Rektorit po i duhet një xhip për së shpejti


Gazeta Express
12 Korrik 2019 13:34

Për nevoja të rektorit të Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, ky institucion po kërkon të blejë një xhip me procedura të përshpejtuara.

Sipas tenderit të iniciuar, nga Universiteti janë shkurtuar afatet e dorëzimit të ofertave, kjo me arsyetimin se veturat që i kanë për përdorim janë jashtë funksionit.

“Për shkak të nevojës urgjente, duke marrë parasysh se menaxhmenti i Universiteti te Prishtinës- ‘Hasan Prishtina’ veturat që i kanë në shfrytëzim janë jashtë funksionit si dhe duke pa të domosdoshme kërkesën e pjesës tjetër menaxheriale të Universitetit te Prishtinës jemi të obliguar që ne të iniciojmë Procedurë me afat të shkurtër”, thuhet në njoftim.

Mirëpo, xhipi për rektorin nuk është kërkesa e vetme që ka UP. Në njoftimin për kontratë bëhet e ditur se planifikohen që të blihen edhe katër vetura tjera, dy limuzina, një transporter dhe një Caddy.

Krejt këto në total do të kushtojnë 82 mijë e 500 euro. Për të gjitha veturat, janë dhënë specifika të detajuara si për përmasat dhe performancat e veturës edhe për interierin dhe pajisjeve përcjellëse.

Ofertat e operatorëve ekonomikë për këto kërkesa të UP-së kanë mundur të dërgohen deri më 8 korrik.

Te fundit


Kthehu lart