Rektori Mynyr Koni i “fut në sherr”, ministrja Besa Shahini përplaset me Presidentin Meta


Gazeta Express
7 Maj 2019 17:07

Qeveria përmes Ministres së Arsimit Besa Shahini kohë më parë kërkoi shkarkimin e rektorit të Universitetit  të Tiranës (UT) Mynyr Koni, por Presidenti e refuzoi kërkesën duke argumentuar se motivet ishin politike dhe jashtë kuadrit ligjor.

Meta e shpjegoi ditën e djeshme vendimin e tij për mosshkarkimin e rektorit të UT-së, por këtë të martë, Ministrja e Arsimit Besa Shahini është shprehur e “zhgënjyer me refuzimin pasi është në dëm të interest public dhe në mbështetje të një shkelësi të ligjit”, që sipas saj është rektori Koni.

“Jam e zhgënjyer me vendimin e Presidentit të Republikës për të refuzuar shkarkimin e rektorit Koni! Për mua është e pakonceptueshme që institucionet e larta shtetërore të marrin vendime të tilla, qartazi në dëm të interesit publik dhe haptazi në mbështetje të një shkelësi të ligjit!”-shkruhet në reagimin e Ministres.

Por nuk ka vonuar dhe përgjigja e Presidencës, e cila përmes një reagimi për shtyp nga ana e zëdhënësit të institucionit Tedi Blushi, ka saktësuar se argumentat e dhëna dje nga Kreu i Shtetit Meta janë ligjore dhe të qarta. Në reagim thuhet se Ministria e Arsimit duhet të mbajë përgjegjësi për zbatimin e reformës së arsimit të lartë, të respektojë autonominë universitare dhe të lërë mënjanë retorikat boshe.

REAGIMI:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta në dekretin e tij për rrëzimin e propozimit për shkarkimin e rektorit të Universitetit të Tiranës, z. Mynyr Koni ka folur me argumenta ligjorë më gjatë se kurdoherë tjetër.

Ministria e Arsimit duhet të mbajë përgjegjësinë e saj të plotë për zbatimin e Reformës në Arsimin e Lartë dhe nëse nuk është dakord me argumentat ligjorë të bëra publike nga Presidenti, të ndjekë procedurën që dikton ligji, përtej retorikave boshe.

Institucionet e Arsimit të Lartë janë autonome dhe askush nuk duhet të guxojë të prekë pavarësinë e tyre./Express

Te fundit


Kthehu lart