Rektori i parë i Universitetit të Prizrenit godet ekspertët dhe Këshillin e Cilësisë, rreshtohet me Haradinajn


Gazeta Express
16 Korrik 2019 15:03

Universitetit të Mitrovicës, Pejës e Prizrenit i është hequr akreditimi nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë. Kjo nënkupton se këtë vit, këto universitete nuk do të pranojnë asnjë student të ri. E për këtë, Gazeta Express ka kontaktuar rektorin e parë të Universitetit të Prizrenit, Mazllum Baraliu. Ai ka vënë në pikëpyetje kredibilitetin e ekspertëve ndërkombëtarë, e ka akuzuar KShC-në për vendim të ngutshëm dhe e ka përkrahur kryeministrin Haradinaj që të ndërhyjë në këtë situatë të krijuar.

Baraliu, si rektori i parë i Universitetit të Prizrenit, ka thënë se universiteti të cilin ai një kohë e ka udhëhequr është konsoliduar shumë, madje nëse shikohet historia e arsimit të lartë në Prizren, i bie që ky institucion ka një traditë pune 70 vjeçare.

“Sa i përket vendimit për Universitetin e Prizrenit, mund të them me përgjegjësi të plotë që është universitet tashmë i konsoliduar. Prizreni si i tillë ka traditë 70 vjeçare, me arsimin e lartë”, tha Baraliu.

Baraliu, gjithashtu tha se ka përvojë të tillë me ekspertë ndërkombëtarë, dhe se ata vetëm përdorin përkufizime të tipit copy-paste, dhe se ka akuzuar se mendimi i tyre nuk duhet të merret i thënë si ekspertizë.

“Mendimet e ekspertëve kinse ndërkombëtarë janë dëshmuar edhe herave të kaluara, edhe në raste kur unë kam qenë rektor në Universitetin e Prizrenit. Po këta ekspertë, hera-herës kanë bërë improvizime të tipit copy-paste për raste të veçanta dhe se mendimet e tyre nuk janë dominante si ekspertizë”, tha ai për Gazetën Express.

Rektori i parë i Universitetit në qytetin jugor të Kosovës madje tha se ekspertët ndërkombëtarë kanë bërë kinse janë të tille dhe se vendimi për mosakreditim është i nxituar, sepse mendimet e tyre duhet analizuar.

“Mendoj që vendimi i agjencisë është i nxituar dhe mendimet e atyre ekspertëve që paskan bërë kinse janë të tillë, mendoj se duhet analizuar gjithanshmërisht”, tha Baraliu.

Madje, ai e përkrah vendimin e kryeministrit Haradinaj, duke thënë se “është qëndrim i drejtë, duhet rishikuar mirë në të gjitha dimensionet, e më pas të vazhdohet akreditimi i atyre universiteteve dhe jo të ndërprehen në këtë mënyrë”.

Universitetet e Mitrovicës, Pejës e Prizrenit e kanë humbur akreditimin e tyre. Ata i kanë bërë thirrje studentëve që të mos shqetësohen, sepse ky vendim nuk është përfundimtar. /GazetaExpress/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart