Rekordi i Shaqirit në finalet e Championsit: Dy medalje të arta, asnjë minutë lojë


Gazeta Express
1 Qershor 2019 23:07

Xherdan Shaqiri është shpallur kampion i Evropës për të dytën herë në karrierë, pasi që skuadra e tij, Liverpooli, triumfoi ndaj Tottenhamit me rezultat 2:0 në finalen e këtij edicioni të Ligës së Kampionëve.

Liverpooli u tregua shumë i fortë për rivalin e Premierligës, Tottenhamin, në finalen që sonte u zhvillua në stadiumin “Wanda Metropolitano”. Mohamed Salahu dhe Divock Origi e shënuan nga një gol për t’ia siguruar klubit të tyre trofeun e gjashtë në histori, transmeton Gazeta Express.

Ky sukses i Liverpoolit bën që Xherdan Shaqiri ta shtojë edhe një tjetër medalje të artë të Ligës së Kampionëve në kabinetin e tij.

27-vjeçari e kishte shijuar ndjenjën e të qenit kampion i Evropës edhe në vitin 2013, kur me Bayern Munichun e mposhti Dortmundin në finalen e Ligës së Kampionëve. Në atë kohë, Dortmundi drejtohej nga Jurgen Kloppi.

Megjithatë, këtë vit, për dallim nga viti 2013, edhe Kloppi e edhe Shaqiri e mbyllën sezonin e Ligës së Kampionëve me buzëqeshje në fytyrë.

Por, një rekord që mund të mos i pëlqejë edhe aq shumë përfaqësuesit zviceran me prejardhje nga Kosova është që trajnerët e tij nuk ia kanë besuar asnjë minutë lojë në këto dy finale. Ai mbeti në stol për të gjithë ndeshjen edhe në vitin 2013 e edhe sonte.

Por, përkundër që nuk e luajti asnjë minutë, Shaqiri do të pajiset me medalje të artë pasi që kishte kontribuar për Liverpoolin gjatë fazave paraprake, si në ndeshjen kthyese kundër Barcelonës, kur kishte qenë titullar. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart