Regjimi i vizave i paraqet problem Prishtinës në Europa League


Gazeta Express
25 Qershor 2019 18:16

FC Prishtina po has në probleme për t’u pajisur me viza për ndeshjen që do ta zhvillojë në fillim të muajit korrik kundër ekipit St Joseph’s nga Gjibraltari

Presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, i ftuar në emisionin “Frontal” në T7 ka zbuluar se Bardhekaltrit po hasin në probleme për t’i pajisur me viza të Gjibraltarit, ku prishtinasit pritet ta zhvillojnë ndeshjen e kthimit të rrethit parakualifikues të Europa Leagues kundër ekipit St Joseph’s, në fillim të muajit korrik, shkruan Gazeta Express.

“Më shumë se rezultati, ne po na brengos puna e vizave. Pas disa ditësh e kemi ndeshjen e kthimit në Gjibraltar, por nuk jemi pajisur ende me viza. I kemi kërkuar edhe në Angli, por na thanë se duhet t’i marrim në Gjibraltar. Jemi të shqetësuar, kjo nuk është në rregull, ende po kemi probleme me viza”, ka treguar Ejupi.

Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, ai beson se prishtinasit do të kalojnë tutje në Europa League.

Ndërkohë, i uroi suksese edhe Feronikelit për të shkuar sa më larg në Champions League, ku thotë se në fazën parakualifikuese është favorit.

Sipas Ejupit, do të ishte mirë që klubet kosovare të arrijnë suksese në Evropë, në mënyrë që në një të ardhme të afërt në garat evropiane të dalin katër klube nga Kosova. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart