Recensioni i javës / Zoti dhe heshtja e tij - Gazeta Express
string(41) "recensioni-i-javes-zoti-dhe-heshtja-e-tij"

Arte

Gazeta Express

24/06/2022 17:16

Recensioni i javës / Zoti dhe heshtja e tij

Arte

Gazeta Express

24/06/2022 17:16

(Rreth librit me ese “Zoti në kinema” të Dritan Dragushës, botuar nga Bard Books, Prishtinë, 2020)

Shkruan: Agnesë Shkodra

Lexo Edhe:

Dritan Dragusha është filozof e gazetar. Ka diplomuar për filozofi në Universitetin e Prishtinës, ndërsa merret edhe me gazetari. Ka qenë autor i emisionit Filozofema në Radio Televizionin e Kosovës, ndërsa, aktualisht, është autor dhe moderator i emisionit Prizma në televizionin T7. Dritan Dragusha është edhe autor i dy librave, Zoti në kinema dhe Metafizika e artit. “Zoti në kinema” është një vështrim filozofik mbi disa filma të caktuar. Dragusha, në shtatë ese dhe përmes teorisë filozofike, trajton filmat The Seventh Seal, The Last Temptation of Christ, Amen, Two popes, Boy erased, Schlinder’s List, The Truman Show, Indignation, The interview etj.

Libri ka një titull goditës dhe provokues. Provokuese janë edhe problematikat që trajtohen në të. Përveç se zbërthehet marrëdhënia midis njerëzores dhe hyjnores, elaborohet edhe në tema ekzistenciale si vdekja, frika e heshtja. Madje, heshtja është karakteristikë kryesore e këtij reflektimi filozofik. Problemi i heshtjes trajtohet në dimensione të ndryshme, si heshtje e Zotit përpara krimeve të njeriut, heshtje e njeriut si rezultat i frikës, frikë ndaj heshtjes dhe frikë ndaj Zotit. Kjo frikë e krijon Zotin, e Zoti krijon heshtjen. Në këtë mënyrë, autori aludon se Zoti është pjellë e psikës njerëzore, apo, siç e quan Borhes, krijesë fantastike. Pra me relacionin midis kinematografisë dhe hyjnores, analizohet, në thelb, raporti Njeri – Zot. Ky raport manifestohet në religjion, që për autorin, nënkuptohet si injorancë njerëzore.

Pikëpyetjen më të madhe të njerëzimit, ekzistencën e Zotit, Dragusha e trajton nga pikëshikimi filmik. Ai e vendos Zotin herë në rolin e regjisorit, që ka krijuar filmin e quajtur glob, herë në rolin e personazhit (aktorit) që luan në filmin me regji njerëzimin. Imazhi i Zotit personifikohet edhe në figurën e njeriut/diktatorit (Kim Jong), që sjellë të keqen. Këtë të keqe e sjellë edhe Zoti memec sepse kur Zoti hesht njeriu vuan kurse kur njeriu qesh Zoti vret. Me një përqasje të tillë kinematografike, Zoti dhe ekzistenca e tij trajtohet në mënyra e dimensione të ndryshme, mirëpo, përgjigja mbetet gjithmonë e njëjtë. Kjo përgjigje barazohet me boshllëkun, hiçin, si e vërteta e vetme që mbretëron përtej varrit.

/Gazeta Express