Recensioni i javës / Peter Camenzind, ose lumturia mund të jetë aty prej nga ke ikur - Gazeta Express
string(81) "recensioni-i-javes-peter-camenzind-ose-lumturia-mund-te-jete-aty-prej-nga-ke-ikur"

Arte

Donjeta Abazi

12/08/2022 17:02

Recensioni i javës / Peter Camenzind, ose lumturia mund të jetë aty prej nga ke ikur

Arte

Donjeta Abazi

12/08/2022 17:02

Indiferenca nganjëherë është paqe, por paqja jo domosdo është lumturi. Paqja përkon me qetësinë në disa momente, por vija që i ndanë qetësinë dhe furtunën shpeshherë mund të jetë shumë e hollë

Peter Camenzind është një fëmijë i lindur në një familje të vogël e të harruar në një fshat në Alpet e Zvicrës. Ai është fëmija i vetëm, me nënën ka një lidhje që as nuk vihet shumë në pah e as nuk venitet, qëndron. Babai i tij është abuzues, ushtron dhunë mbi të, pa e ditur e pa arsye, ai e rreh Peterin pa arsye e ky hesht po ashtu pa arsye. Është interesante të përcillet lidhja e të dyve deri në fund të romanit.

Lexo Edhe:

Peter Camenzind ka një fëmijëri të cilën e do, nuk njeh asgjë jashtë kodrinave të fshatit të vet të vogël, ama është i lumtur. Ngjitja e maleve, fushat e kodrinat do të jenë për kohë të gjatë formimi më i mirë i djalit i cili do të mbetet malësor gjithë jetën e tij.

Në moshën 10 vjeçare guxon për herë të parë të ngjitet në maje të kodrinave të shohë që bota të cilën dëshiron ta njohë dhe njohuritë që ka marrë për një kohë janë krejt të kundërta. Aty vendos për një të ardhme ndryshe, një të ardhme që nuk do ta përkrahë asnjëri.

Si ‘ikës’, njihet herën e parë kur niset si gjimnazist për të mbaruar kolegjin, e për të vazhduar me studime, në një statut financiar të palakmueshëm.

Gjatë viteve të rinisë së tij, Peter do të mësojë miqësinë, dashurinë, shthurjen, ekzistencën, jetën e vdekjen, gjatë kësaj kohe ai do të mësojë për artin, pianon, Geten, Schillerin e Niçen, gjatë kësaj periudhe ai do të marrë nga jeta mjaftueshëm sa për fundin e tij në gjenezë.

Riçardi do të jetë miku i tij më i mirë për vite me radhë, mbështetja e tij emocionale e financiare, përmes tij Peter do të mësojë jetën e muzikës, të njerëzve që e adhurojnë artin, atyre që kanë lexuar më shumë nga çka ai ka menduar se është e mjaftueshme.

Peter nuk ka kurrfarë trashëgimie nga i ati përpos muzikës ‘jodl’ që ai i ka mësuar për vite me radhë sa ishte fëmijë, alpeve të Zvicrës.

Megjithatë ai mbijeton, i mëson truket e jetës së qyteteve të mëdha, pijeve të pafund, ndejave me artistë të mëdhenj të kohës. Peter ëndërron që një ditë të behet poet, ai kurrë nuk e pranon që di të shkruajë, por njëjtë nuk mendojnë të gjithë ata që e rrethojnë.

Ai nuk do të bëhet kurrë poet, së paku nuk do të botojë asnjëherë libër me poezi, përpos recensioneve të cilat i shkruan për të mbijetuar, çdo recension i ofron një vakt. Do të luftojë shumicën e rinisë së tij që të mbijetojë financiarisht, duke shkruar për gazeta të ndryshme, shkrime e recensione.

Vdekja e shokut të tij të ngushtë, Riçardit, vdekja e nënës së tij, injorimi i gruas që ai e dashuron gjithë jetën, do ta shtyjnë në një humnerë depresive prej të cilës nuk largohet asnjëherë, por as nuk mbaron nën të.

Vitet e fundit të jetës do t’i kalojë në vendlindje, në fshatin e vogël të alpeve zvicerane, pranë babait të moshuar dhe të sëmurë, pranë fshatarëve të tij të paket të cilët gjithë jetën e tij e kanë njohur si ‘ikës’. Nuk do të bëhet kurrë poet, vendos t’i kthehet gjenezës së tij, të vdesë në rolin e babait të tij, duke shpresuar që nuk do të trazohet më nga jeta e vdekja sepse nga të dyja kishte parë më shumë së qe duhet.

Ndarja e librit në dy fryma

Libri i parë i shkrimtarit nobelist ndahet në dy pjesë, jo domosdoshmerisht përmes kapitujve, por lexuesi e vëren kur libri nga fryma e gëzueshme e plot vrull kalon në mërzitje e dëshpërim.

Fëmijëria dhe pjesa e rinisë se personazhit përshkruhen shumë pastër e me një frymë dehëse përkundër të gjitha vështirësive përkundër luftës së tij për vetënjohje. Pjesa e dytë pastaj bie në luhatje, ngjarjet zhvillohen më ngadalë dhe entuziazmi i vargjeve është disi i venitur.

Kalimi nga e lumtura tek dëshpëruesja në fakt është imitim i jetës dhe shkrimtari e përshkruan shumë mirë. ‘Peter Camenzind’ është ta lexosh jetën dhe kapërcimin e valëve të vështirësive, mbijetesës e lumturisë që nga fillimi e deri në njëjtësim.

Monotonia e fakti që nuk ndodh më asgjë, e përcjellin individin prej momentit që ka përjetuar shumicën e gjërave në jetë dhe asgjë më nuk është e re, njëjtë ndodh me personazhin e Hesses.

Njohja e vetes, arti si katalizator

Ideja se di të shkruajë poezi nuk pranohet kohë të gjatë prej tij, ama dikur pas sa vitesh e sheh që në fakt është një dell i fjetur i tij diku dhe nuk mund të përjashtohet. Mbërritja në qytet të riun do ta pasurojë me një botë që ai realisht as e ka menduar ndonjëherë. Arti, muzika, poetët, shkrimtarët, gazetarët do të jenë të servuar para tij qysh në fillim. Mes vargjeve lexojmë se shkrimtari e ka një revoltë me artin e asokohe, nuk e bën në fillim kur Peter është veç një naiv dhe një i etur për dije, por tamam kur mbërrin moshën e pjekurisë dhe gjërat të cilat dikur i ishin dukur të reja e të magjishme tash i sheh me një sy prej kritiku. Pse ndodh kështu është sepse njëjtë ndodh thuajse më shumicën të cilët e njohin një anë të artit në fillim për shkak të pasionit e më pas fillojnë dhe e vlerësojnë racionalisht.

Gëte, Schilleri, Shekspiri, Niçe e shumë e shumë të tjerë janë brumi që e krijojnë botëkuptimin e tij veçse në dëshpërim e sipër ndjenjat ‘alla werteriane’ do t’i urrejë dhe do të mundohet me çdo kusht t’i përbuzë, ani pse nuk mbërrin kurrë, ama përpiqet.

Hesse personazhin e tij në këtë libër e ka shndërruar në spiritual, në dikë të ndjeshëm, në mendësinë e të cilit arti poezi dhe natyra janë gjërat që kanë krijuar çdo qelizë të tij dhe se ka këto ai nuk funksionon.

Kthimi në pikën fillestare

Peter ka provuar gjithë ndjesitë që mund të provohen, asgjë më nuk është e re, krejt çka nuk dihet në fund të romanit është nëse ai tani në atë pikë është i lumtur ose jo. Vite me parë kishte përjetuar oazën e një idilikeje, me njerëzit, artin e librat kishte mbërritur një pikë në të cilën ndihej jo veç i lumtur por edhe i ekzaltuar. Pastaj vite më pas gjithë pasqyra e gjërave kthehet kundër tij, dëshpërimet, mërzitjet, humbjet e vdekja do të jenë bastunët ku ai mbështet pa qare, jo me qejf. Pas kalimit të të dy gjendjeve, të dy botëkuptimeve e dy ndjesive në jetë, Peter është indiferent, por a është i lumtur, nuk mund të thuhet.

Indiferenca nganjëherë është paqe, por paqja jo domosdo është lumturi. Paqja përkon me qetësinë në disa momente, por vija që i ndanë qetësinë dhe furtunën shpeshherë mund të jetë shumë e hollë.

Personazhi i Hesses do të kthehet në vendlindje aty ku nisi gjithçka, me dajën e tij me të cilin kanë filluar ndërtimin e një varke kur Peter ishte ende fëmijë dhe tani pas thuajse 40 vitesh po tentojnë ta rindërtojnë.

Kthimi i tij në shtëpi, tregon për ciklin jetësor, për faktin se lumturia më e thjeshtë është një fshat i vogël ku nuk shihet gjë përtej kodrinave. Shpirtërorja më e pastër nuk i takon njerëzve por natyrës, ajo çka Peter Camenzind ka përjetuar si fëmijë malësor në Alpe nuk do ta ripërjetojë as në asnjë qytet të botës sepse kur gjërat janë të thjeshta veç përjetohen, kur studiohen ose kuptohet me shumë për to pastaj kalojnë në gjithçka tjetër pos ndjeshmërisë.

Herman Hesse, Peter Camenzind, përktheu: Anna Kove, përkthimin e mbështeti Instituti Goethe, Shtëpia Botuese ‘Dukagjini’

/Gazeta Express