Realiteti politik si afekt masmedial


Gazeta Express
15 Gusht 2019 11:09

Për çdo ditë ne analizojmë botën, tjerët, tjetrin, kozmosin. Rrjeti social dhe xhungla mediale e krijuar si pasojë e tij na kanë bërë të gjithëve analistë. Analistë pa asnjë fije përgjegjësie. Patjetër se qenia humane asnjëherë nuk do t’ia dalë të analizojë e gjykojë ashtu drejtë siç idealizojnë maksimat e filozofëve dhe profetëve. Njerëzit janë qenie emocionale. Ky është një arsyetim mirëpo që vlen vetëm për mbarë humanitetin, por jo edhe për autorët medial që janë në gjendje të konstruktojnë realitete, kategori, dukuri, opinione apo trauma sociale. Për çka e kemi fjalën?

Xhemal AHMETI

Nëse nuk ia dalim që të ndajmë imazhet (e fiksuara në mbamëndjen tonë) nga nocionet, asnjëherë nuk do t’ia dalim të mendojmë çiltër dhe pa gabime. Kanti e thotë këtë tek „Ligjëratat mbi Metafizikën“. Në formë edhe më plastike kjo do të thotë: Nëse nuk ia dalim t’i heqim parafytyrimet që kemi mbi njerëz, sende e dukuri të caktuara atëherë s’duhet të bëjmë analiza mbi veprimet aktuale të tij, ngaqë stereotipat që kemi na daltonizojnë përballë realiteteve të reja. Bota ec, është dinamike dhe njerëzit ndryshojnë, modifikojnë dijet dhe si pasojë edhe veprimet e tyre. Ne nuk e ndjekim dot këtë proces pa atë diktumin e Kantit – pa e çliruar emrin, nocionin apo sinjifikatin nga imazhet tona. Pa një lloj shkundjeje permanente karteziane, pa një autometanojë mentale që do të na çlironte nga dy trastat personale nuk gjykojmë dot me drejtësi. Dy trastat që ne heqim zhag jetës konsiderohen: a) Habitusi ynë (ideologjitë, morali, kultura, përvojat) dhe b) Parafytyrimet për Tjetrin, tjerët, subjektet e objektet, botën. Kjo pabarazi është gropa që e dështon çdo analizë profesionale. E relikton atë si jokorrekte e të padrejtë, si pamflet që apelon të kundërtën e asaj që thotë: kështu pasi habitusi nuk analizon habitusin tjetër si të tillë, komplet – kjo është e pamundur nëse s’je biograf shumë-veprash i tij – por donë ta djeg atë duke ua vënë flakën fijeve të holla varur trupit të tij, atyre monofileve që ky vetë ia ka mveshur tjetrit në trajtën e paragjykimeve. Mbrojtjen tjetri do ta bëjë në të njëjtën mënyrë.

A ka fund ky rreth luftarak interhabitusor? Donë të thotë kjo se si qenie emocionale që jemi s’do t’ia dalim kurrë të analizojmë pa bërë padrejtësi? Shikuar nga perspektiva joprofesionale dhe pa idealizuar edhe më tepër antropocenin, përgjigja është e qartë: me këtë gabim kemi lindur dhe do vdesim. S’jemi robotë. Ndërkaq shikuar nga perspektiva profesionale dhe duke kërkuar përgjegjësi sidomos nga homo publicusi ekziston një konsensus agorave të kulturës që kondensueshëm mund ta formulojmë kështu: Analisti publik (ai që boton, flet e ligjëron mediave me karakterin institucional si gazetat serioze, tv-të e të ngjashme) për tu përfillur si i tillë duhet të plotësojë dy kushte themelore: 1. Të dijë se media ku vepron nuk është altoparlante e ndjenjave, mllefeve, epsheve apo aspiratave të tij personale politike, por kolektiv me përgjegjësi ndaj shoqërisë 2. Të dëshmojë se di ç’është analiza si metodë dhe formë reflektimi e ndikimi.

ANALIZAT NË SHQIPE

Shumica absolute e analistëve shqiptarë dështojnë që në rreshtat e parë, sepse që aty tregojnë motivin se për ç’arsye shkruajnë: epitetojnë tjetrin pa treguar njëherë se kush është ai; difamojnë tjerët pa thënë fillimisht se ku i gjeti të dhënat; akuzojnë tjerët/tjetrin me tonin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese apo Ajatollahut pa treguar se ku mbaroi jurisprudencën, teologjinë, metafizikën, pa treguar se pse analisti paska mandatin e avokatit të shoqërisë, të varfërve apo homoseksualëve; pse ai psikologjis tjetrin/tjerët pas asnjë gram shkollë të psikologut apo pa pasur pacient ndonjërin që nënçmon, përul? Pra kryesisht lulëzon narcizmi, poshtërimi, etiketimi ad hominem i tjetrit që në titull. Kjo ndodhë për shkak të mosdijes se ç’është analiza e jo patjetër se gjithë analistët qenkan tabula rasa – nuk i prekim ata që i quajnë opinionistë se ata kanë facebookun, twitter-in dhe plotë portale joprofesionale – ndodhë se as mediat e as shoqëria nuk kërkojnë përgjegjësi edhe atëherë kur motivi i tjetrit është gjendja e tij mizantrope, depresive dhe për nga afektet fabrikë atmosferësh linçuese, të panevojshme. Kjo sjellje e mediave serioze ndaj motivit nga edhe riprodhojnë autorët e kategorisë toksogjuhën e tyre është fatale.

MOTIVI

Shumëçka varret nga motivi na thotë Epikuri nga keposi i tij dhe formëtelegrami na shkruan diçka edhe për drejtësinë, barazinë: „Drejtësia nuk është diçka e qenë në vete, por ajo është një kontratë që ne e lidhim ndërmjet veti në akëcilat vende (e situata) për të mos dëmtuar njëri-tjetrin“ (Kyriai doxai 33). Ky qëndrim epikurian nuk është fare i lehtë, ngase pesimisti mezi pret të na demantojë duke na thënë: ka Tjerë që dëmin e kanë agjendë dhe synim kapital jete. Madje ndonjë që ka lexuar Alfred N. Whitehead-in do na thotë se a s’po qëndruaka teza e tij tek ‘Format e Mendimit‘ që thotë: „(…) Parafytyrimi i një nocioni të çiltër ose realizimi mentali i tij në atë mënyrë sikur ai mos ta kishte burimin tek ndonjë emocion është i pamundur“ (2001:57)? Jo vetëm ky por edhe ai qëndrimi i Nietzsche-s në tekstin e tij ‘Pafajësia e bërjes“ bërtet: „Secilit t’i japish të veten: donë të thotë të duash drejtësi e të shkaktosh kaos“ (2,613) qëndron. Ky as që është qëllimi këtu. Adresa e këtyre dy replikantëve nuk është ajo që kemi parasysh ne. Ne nuk kërkojmë nga populli që në një aksion masiv t’ua nxjerrin dhëmbët njeri tjetrit, por i lutemi dentistit që mos shëmtoj njerëzit kot duke ua heq dhëmbët e shëndoshë nga pakujdesia, ngase nuk ndihet mirë ose ngase ka marrë diplomën në kioskë.

ANALIZA PROFESIONALE Analisti i drejtë dhe korrekt duhet të ketë sovranitet – sidomos karshi emocioneve të veta. Besueshmëria nuk vjen pa djers. Në fillimin e çdo analize të tij duhet ta dëshmojë motivin se nuk e ka synim primar ta dëmtojë tjetrin/tjerët por ta shpëtojë botën, universin (o ç’term i dashur në shqipoletrat ky!) nga gabimet e tij. Nga gabimet e tij ta shpëtoj shoqërinë e jo ta shpëtojë botën prej tij si ente et essentia, jo pra ta kërkojë avullimin e tij si ekzistencë e substancë. Prandaj ai ka mësuar nga metodat e shumta që frekuentojnë diskurseve të botës ku funksionojnë shtetet ligjore dhe mediat me përgjegjësi ndaj shoqërisë parasëgjithash se nuk është „mjaftë ta pasqyrosh mjerimin e botës“, siç shkruante kompozitori austriak Friedrich Gulda „porse njeriu është i obliguar ta gjejë një rrugëdalje nga ai“. Analiza masmediale e mirëfilltë i tregon opinionit fillimisht se cili është veprimi, dukuria që s’bën, tregon se cila vepër e X-it është e dëmshme për shoqërinë, tregon se nga cilat instrumente operacionale dhe nga cilat referenca tjera (përveç vetes, pro et contra) fitoi konstatimin se vepra e tjetrit është e dëmshme apo aq e mirë sa për të organizuar një gosti. Kaq i rëndë është ky sistem? Është i domosdoshëm sidomos gjatë kohëve kur popujt zgjedhin qeveritë e tyre. Gatimi i një opinioni që duhet të sjellë ndryshime nuk bëhet me analistë histerikë dhe me hobidiskursantë si unë apo si tjetri, por me pasqyrime racionale e me sistem të realiteteve që duhet ndryshuar dhe atyre që duhet instaluar për të ndihmuar shoqërinë që mos të votojë më të njëjtët nëse vërtet duhet hequr qafe. Media shqipe si komunikatore dhe konstruktuese të gjendjeve dhe opinioneve në shoqëri mund të ndikojnë shumë për ta ndryshuar gjendjen. Jo në këtë mënyrë siç bëjnë aktualisht se ndihmojnë ata që thonë se nuk i duan. Analistin nga opinionisti apo facebookiani duhet ta dallojë pikërisht ai diktusi i Kantit dhe maksima e Epikurit – qoftë edhe duke e inskenuar të fundit. As keq s’kisha shkruar për partitë e korruptuara . Mirë edhe më hiç. Po të isha media do ta konstruktoja një realitet të ri si ofertë të re për zgjedhjet që vijnë – me analiza korrekte!

Te fundit


Kthehu lart