Real Madrid e nisi epokën e Xabi Alonsos me Kylian Mbappén në spital dhe me një sulmues të panjohur në fushë.
Por tifozët e “Los Blancos” po mësohen shpejt me emrin Gonzalo Garcia Torres, sulmuesi 21-vjeçar që ka spikatur me paraqitjet e tij të para në ekipin e parë.
Me Mbappén jashtë loje për shkak të gastroenteritit akut që e ka mbajtur jashtë për gati dy javë, Alonso vendosi t’i besojë një “9-shi” natyral – dhe kështu Garcia mori shansin e tij.
Ai e ka shfrytëzuar në mënyrën më të mirë: ka realizuar dy gola dhe ka dhënë një asist në tre ndeshjet e para si titullar.
Sipas “Cadena SER” dhe “Diario AS”, Real Madrid ka marrë interesime konkrete nga tre klube të Premier League që ndodhen në pjesën e sipërme të tabelës.
Përgjigjja e madrilenëve ka qenë e qartë – kush e do lojtarin, duhet të paguajë klauzolën e lirimit prej 50 milionë eurosh.
Gjithashtu, raportohet se gjysma e klubeve të La Ligës janë të interesuara për ta marrë Garcian në huazim pasi të nisë sezoni.
Pavarësisht planeve të mëparshme të klubit për të shtuar një tjetër sulmues në merkato – veçanërisht pas boshllëkut të lënë nga Joselu sezonin e kaluar – Garcia ka shprehur dëshirën për të qëndruar dhe për të realizuar ëndrrën e tij: të luajë në Santiago Bernabéu si pjesë e ekipit të parë.
Trajneri Xabi Alonso është shprehur së fundmi se “asnjë vendim nuk është marrë ende” për të ardhmen e lojtarit, por raportet e fundit tregojnë se Garcia po e bind gjithnjë e më shumë trajnerin bask.
Fillimisht, klubi kishte menduar ta shiste, por krahasimi i bërë nga Alonso mes Gonzalos dhe legjendës Raúl González është një tregues i qartë se ai e sheh me sy shumë pozitiv lojtarin e ri.
E ardhmja e Garcias mbetet për t’u parë, por forma e tij mbresëlënëse po e kthen atë në një emër për të cilin Real Madrid do të duhet të mendojë dy herë përpara se të heqë dorë./GazetaExpress/