Deputetja Kica reagon për herë të parë ndaj gjuhës së Mentor Shalës ndaj saj - Gazeta Express
string(76) "reagon-per-here-te-pare-deputetja-kica-ndaj-gjuhes-se-mentor-shales-ndaj-saj"

Lajme

Gazeta Express

22/06/2021 11:49

Deputetja Kica reagon për herë të parë ndaj gjuhës së Mentor Shalës ndaj saj

Lajme

Gazeta Express

22/06/2021 11:49

Deputetja e Listës “Guxo”, Daorsa Kica-Xhelili, ka reaguar sot për herë të parë, pas gjuhës seksiste që zv.drejtori i RTK-së, Mentor Shala e përdori ndaj saj. Ajo tha se nuk ka reaguar për këtë çështje deri më sot pasi asgjë nuk ia ndikon mendimin e lirë të saj, shkruan Gazeta Express.

Më tutje, deputetja në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, ka thënë se për të nuk ka rëndësi se kush çfarë flet, e kush çfarë poston, teksa shtoi se postimi i Shalës për të nuk ishte i rëndësishëm.

Lexo Edhe:

“Unë do të doja shumë shkurt, sepse po mendoj që i kemi trajtuar mjaft shumë çështjet e Bordit të RTK-së, tash e disa mbledhje që po mbahen. Para së gjithash për shkak se u ngrit tema e ditës së fundit ku është përmendur emir im, ekziston një arsye pse unë nuk kam reaguar. Është arsyeja që ditën kur unë e kam lexuar reagimin për mua nuk ka qenë qas i rëndësishëm. Për mua personalisht, kush çka flet, kush çka poston, nuk ma ndikon mendimin tim të lirë për çështje esenciale”, ka deklaruar ajo.

Kica-Xhelili tha se të premten kur edhe është publikuar postimi i Shalës, për të kanë folur qytetarët e shoqëria civile.

“Nëse dikush ka për të kundërargumentu diçka për ato që i them unë, jam e gatshme me dalë në debate publike dhe private, por ato kërkohen në mënyrë të denjë. Për shkak se kanë reagu shoqëria civile, mediat, po du me ardh te pika të tjetër që të premten unë nuk kam qenë zëri qytetarëve të Kosovës por  qytetarët kanë qenë zëri jem, kam një borxh reciprok”, ka thënë ajo.

Zëvendësdrejtori i Radio Televizionit të Kosovës, Mentor Shala, të premten  ka reaguar me një gjuhë të papranueshme ndaj deputetes së listës ‘Guxo’, Doarsa Kica-Xhelili, e cila në një intervistë e kishte përmendur atë, si zyrtar të RTK-së, raporton Gazeta Express.

Shala përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se po i duket se Doarsa e ka mendjen vetëm tek ai dhe e ka ftuar për një takim.

“Doarsa bukuroshja paska fol mbrame prap për mu. Shumë bre ka qef me ma përmend emnin. Po më duket vetëm te unë e ka mendjen! A e caktojmë një takim Doarsë, për drekë a për darkë a? Që don i thrrasim edhe ato mikeshat e tua në RTK! Knaqemi edhe t’kallxoj krejt për RTK-në, edhe nime e kupton çka është RTK-ja! E miqt e RTK-së?! Jo valla s’pi thrrasim!

Kallxom, kur po dalim, Doarsë!”, është shprehur Shala në Facebook-un e tij. /Express/