Reagon Osmani: Mustafa e di për cilin zyrtar të LDK’së e kam fjalën, e kam informuar më 27 shkurt - Gazeta Express
string(94) "reagon-osmani-mustafa-e-di-per-cilin-zyrtar-te-ldkse-e-kam-fjalen-e-kam-informuar-me-27-shkurt"

Reagon Osmani: Mustafa e di për cilin zyrtar të LDK’së e kam fjalën, e kam informuar më 27 shkurt

Albioneta Ademi

26/05/2020 17:21

Nënkryetarja e LDK’së, Vjosa Osmani, i ka reaguar shefit të partisë, Isa Mustafës, për një përgjigje dhënë Gazetës Express rreth “letrave kundër saj”, që Osmani thotë se zyrtarë të lartë të LDK’së ia kanë dërguar administratës amerikane.

Osmani thotë se Mustafa është njoftuar më datë 24 shkurt për një zyrtar të lartë të partisë, që sipas saj, ka dezinformuar për të në qarqet më të larta të administratës amerikane dhe thotë se kreu i partisë i ka dëshmitë për këtë çështje.

Lexo Edhe:

“Kryetarin Mustafa e kam informuar më datë 27 shkurt lidhur me dezinformatat që një zyrtar i lartë i LDK-së (anëtar i kryesisë) i ka bërë ndaj meje drejtuar niveleve më të larta të administratës amerikane. Pra është i informuar se për kë është fjala dhe ja kam dërguar dëshmitë për një gjë të tillë”, ka thënë Osmani për Gazetën Express.

Mustafa më herët e ka komnetuar intervistën e Osmanit dhënë mbrëmë në Pressing të Televizionit 7.

Kreu i LDK’së ka thënë se nuk ka njohur që dikush nga LDK’ja ka folur për kryeparlamentaren e tanishme me administratën amerikane. Për akuzat e Osmanit, kreu i partisë e fton atë që t’i bëjë publike emrat e zyrtarëve.

“Si Kryetar i LDK-së nuk kam njohuri se dikush nga strukturat e larta të LDK-së ka komunikuar me administratën amerikane apo me EPP-inë për znj Osmani. Por, në qoftë se znj. Osmani ka argumente, do ta ftoja që ato t’i bëjë publike, me emër dhe mbiemër”, ka thënë Mustafa.

Osmani, që në zgjedhjet e fundit ishte kandidate e LDK’së për kryeministre, dje në Pressing ka akuzuar zyrtarë të lartë të kësaj partie, se u kanë thënë amerikanëve se ajo nuk e përfaqëson partinë.

“Kishte zyrtarë të LDK’së që i dërgonin letra administratës amerikane, EPP’së, dhe të tjerëve lidhur me mua, prapa shpine. Flitet për letra ku thonin se Vjosa Osmani nuk shpreh asnjë qëndrim të LDK’së. Pastaj po këta zyrtarë të SHBA’së dhe të EPP’së më njoftonin mua çka u ka thënë partia”, është shprehur Osmani. /Express/