Reagon Mustafa: Do të shkoja te Clintoni dhe Albrighti, por s’pati ftesë për mua


Gazeta Express
13 Qershor 2019 13:51

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është deklaruar lidhur me mospjesëmarrjen e tij në ceremoninë e shënimit të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ku morën pjesë ish-presidenti Bill Clinton dhe ish-sekretarja Madeleine Albright. Mustafa ka thënë se ai nuk ka marrë pjesë në këtë ceremoni, meqenëse nuk ka pasur ftesë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa ka thënë se në selinë e LDK-së kanë ardhur vetëm ftesa për disa familje të dëshmorëve dhe veprimtarëve, por jo edhe për të.

“Nuk kam marrë pjesë, sepse nuk më ka ardhur ftesë për këtë ceremoni dhe për asnjë aktivitet tjetër”, ka shkruar Mustafa.

Mustafa e ka shfrytëzuar këtë ceremoni që të promovojë punën që thotë ta ketë bërë si kryetar i Prishtinës.

“Fundja, edhe pse nuk kisha ftesë të marr pjesë në këtë ceremoni, ndihem krenar se ajo u mbajt në Sheshin Skënderbeu të qytetit tim, të cilin aq me përkushtim e ndërtuam sa unë dhe LDK-ja drejtonim Prishtinën, dhe pranë monumentit të Skënderbeut që, po ashtu, e ngritëm pas çlirimit me para të mbledhura nga bashkatdhetarët tanë, kur ishim si qeveri në ekzil e LDK-së. Dhe, se në këtë solemnitet ishin miqtë tanë, heronj të çlirimit të Kosovës”, ka thënë ai.

Ndryshe, Zyra e Presidentit ka sqaruar se me ftesat është marrë Protokolli i Shtetit, i cili ka konfirmuar se kanë qenë të ftuar edhe Mustafa e edhe Kurti.

Postimi i plotë i tij:

Te nderuar qytetarë

Po shoh se është bërë temë mospjesëmarrja ime në ceremoninë e shënimit të njëzetvjetorit të çlirimit të vendit.

Nuk kam marrë pjesë, sepse nuk më ka ardhur ftesë për këtë ceremoni dhe për asnjë aktivitet tjetër.

Nuk mund ta di se si ka vepruar Protokolli i Shtetit, a më ka pasur në listë apo jo, si kryetar të LDK-së, shef të opozitës, partisë më të madhe opozitare sot dhe partisë shtetëformuese gjatë tridhjetë viteve sa ekziston ajo, apo si Kryeministër i qeverisë së kaluar.

Në Selinë e LDK-së, më kanë informuar se kanë ardhur ftesa për disa familje të dëshmorëve dhe veprimtarëve të LDK-së. Tjetër jo.

Nuk ka datë më të rëndësishme për çdonjërin nga ne se ajo e çlirimit të Kosovës. Prandaj pjesëmarrja ime ose e njërit nga nënkryetarët e LDK-së, për arsye të shkaqeve të mia shëndtësore, do të ishte e padiskutueshme. Çlirimi sikurse edhe pavarësia nuk janë pronë e askujt, janë e arritur, mburrje dhe pasuri e çdonjërit nga ne.

Fundja, edhe pse nuk kisha ftesë të marr pjesë në këtë ceremoni, ndjehem krenar se ajo u mbajtë në Sheshin Skënderbeu të qytetit tim, të cilin aq me përkushtim e ndërtuam sa unë dhe LDK drejtonim Prishtinën, dhe pran monumentit të Skënderbeut që, poashtu, e ngritëm pas çlirimit me para të mbledhura nga bashkatdhetarët tanë, kur ishim si qeveri në egzil e LDK-së. Dhe, se në këtë solemnitet ishin miqtë tanë, heronjë të çlirimit të Kosovës. IM

Te fundit


Kthehu lart