Reagon Ministrja e Financave: Të fokusohemi në rimëkëmbjen ekonomike e jo në sulme personale - Gazeta Express
string(91) "reagon-ministrja-e-financave-te-fokusohemi-ne-rimekembjen-ekonomike-e-jo-ne-sulme-personale"

Gazeta Express

11/07/2020 18:50

Reagon Ministrja e Financave: Të fokusohemi në rimëkëmbjen ekonomike e jo në sulme personale

Gazeta Express

11/07/2020 18:50

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se pajtohet plotësisht me reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Parlamenti të mos përdoret nga askush për qërim të hesapeve personale.

Lexo Edhe:

Ka thënë se nuk është punë e saj të ndërhyjë ndërmjet deputetëve kur ata fjalosen ose acarohen.

“E vetmja përplasje, e vetmja brengë, i vetmi angazhim i imi në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës është dhe do të jetë në funksion të rimëkëmbjes ekonomike dhe mirëqenies së qytetarëve. Jam dakord plotësisht me reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku bëhet thirrje të gjithëve që mos të përdoret Parlamenti për sulme personale”, ka reaguar Bajrami në një shkrim në Fb.

“Kushdo që ka pritur që unë të hyj në mes të deputetëve kur ata fjalosen e acarohen ka pasur pritje të gabuara. Situata të tilla janë të papranueshme dhe duhet të adresohen aty ku e kanë vendin e jo në adresën time. Jam Ministre e Financave dhe i gjithë fokusi im është te adresimi i problemeve ekonomike të qytetarëve, të bizneseve, të atyre që po mbesin për çdo ditë pa punë shkaku i pandemisë”, ka shtuar ajo.

Sipas Bajramit, qytetarët po humbin për çdo ditë me secilën shtyrje që po u bëhet punëve në Parlament. Prej marrëveshjeve ndërkombëtare e deri te shtyrja e rishikimit të Buxhetit.

“T’i lëmë pak inatet personale dhe të fokusohemi në rimëkëmbjen ekonomike. Do të kemi kohë për luftë politike dhe qërim të hesapeve personale kur shteti të rimëkëmbet nga pandemia. Deri atëherë ruajeni shëndetin!”, ka shtuar ajo.

Vjosa Osmani është përplasur me fjalë mbrëmë me deputetin e LDK’së, Xhavit Ukaj, i cili shkoi te foltorja e Kryeparlamentares pasi kjo e fundit e kërcënoi se me forcën e sigurimit fizik do ta largonte nga seanca pasi i njëjti protestoi kundër mënyrës se si ish-Nënkryetarja e LDK’së po i favorizonte deputetët e Albin Kurtit./GazetaExpress/