Rasti “Target-Fortesa”, Mijallkov nuk e pyeti Verushevskin


Gazeta Express
10 Tetor 2019 15:58

“Fajtorë kryesorë të përgjimeve ilegale janë ish kryeministri Nikolla Gruevski, ish agjentët e DSK-së Goran Grujovski dhe Nikolla Boshkovski”, tha në dëshminë e tij Zoran Verushevski. Ai në rastin “Target-Fortesa” gjatë pyetjeve të kryqëzuara të prokurores Lençe Ristovska tha se i arratisuri në Hungari, Gruevski ka pasur një dëshirë patologjike për të qëndruar në pushtet, kështu që ka shkelur çdo ligj, ka keqpërdorur institucionet e sigurisë së shtetit, duke i përgjuar qytetarët dhe opozitën.

 Dokumentet bazë të përgjimeve janë në duart e tre të arratisurve edhe sot, të cilët kanë pasur monopolin e gjithë procesit të përgjimeve ilegale. Këtë dosje që kreu i LSDM-së i ka dorëzuar PSP-së janë vetëm një pjesë e vogël e përgjimeve, të cilat atëherë i ka pasur në posedim Nikolla Gruevski, Goran Grujovski dhe Nikolla Boshkovski. Pjesa më e madhe e përgjimeve janë në duart e të arratisurit në Hungari dhe dy të arratisurve tjerë në Greqi. Se çfarë përmbajnë ato vetëm Zoti e di!”-tha Zoran Verushevski, Ish-drejtor i DSK-së.

Si ish-përgjegjës për çështje sigurie në LSDM, Verushevski tha se kreut të opozitës së atëhershme Zoran Zaev i ka siguruar përgjimet në formë elektronike, pa theksuar pajisjet në të cilat kanë qenë përgjimet. Ai në dalje nga gjykata nuk deshi të japë më shumë informacione për opinionin.

 Na intereson pjesa kur thatë se vetëm një pjesë e vogël e përgjimeve është dorëzuar tek PSP-ja? Do të bëjmë një pres konferencë dhe do t’i sqarojmë të gjitha çështjet. Në këtë moment dhashë dëshminë në gjykatë. Ju faleminderit!”-theksoi Zoran Verushevski, Ish-drejtor i DSK-së.

I akuzuari i tjetër, ish kreu i DSK-së Sasho Mijallkov hesht si në gjykatë ashtu edhe para kamerave. Ndërsa ish Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska, tha se vendimi është në duar të gjykatës.

 Nuk kam çfarë të shprehem e kënaqur apo jo, ky dëshmitar ishte i të akuzuarve të tjerë. A vlerëson se ju amniston me këtë dëshmi? Nuk mendoj asgjë, duhet të shohim çfarë do të thotë gjykata”-pohoi Gordana Jankullovska, ish-ministre e Brendshme.

Në këtë lëndë që PSP e hapi në vitin 2016, nuk akuzohet Nikolla Gruevski. Por, në mesin e të akuzuarve janë ish-kreu i drejtorisë së 5-të të MPB-së Goran Grujevski dhe agjenti i DSK-së Nikolla Boshkovski, të cilët në përpjekje për të arratisu janë burgosur në Greqi dhe për ta është e hapur procedura e ekstradimit.

Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve të përcjellës së komunikimit në DSK ndërmjet 2008 dhe 2015 në mënyrë të paligjshme janë përgjuar 4,286 numra telefonik. Përgjimet janë bërë para se të jepej urdhri gjyqësor dhe pas skadimit të atij urdhri për përcjellje të komunikimit të 1.541 numrave telefonik , me ç’ rast ilegalisht janë përgjuar mbi 20 mijë biseda të qytetarëve.

Seanca e radhës së lëndës “Target-Fortesa” është caktuar më datën 24 tetor, ku pritet të jep dëshminë e tij kryeministri Zoran Zaev, në cilësinë e dëshmitarit i thirrur nga Prokuroria.

Te fundit


Kthehu lart