Rasti “Kumanova” dërgohet në Gjykatën Supreme


Gazeta Express
18 Shtator 2019 17:29

Pasi Gjykata e shkallës së dytë e refuzoi kërkesën e avokatëve të Grupit të Kumanovës për rikthimin e rastit në Gjykatën Themelore për rigjykim, avokatët mbrojtës shpresën e tyre e mbështesin tek Gjykata Supreme. Avokati Naser Raufi thotë se ata në vazhdim do të bëjnë ankesë tek gjykata më e lartë, nga ku presin që ajo të marrë vendim të drejtë, pasi sipas Raufit, kjo gjykatë ka qenë vendimtare për zbardhjen e disa rasteve të montuara në periudhën e kaluar.

Naser Raufi, avokat mbrojtës

“Ne mendojmë se shansi jonë është te Gjykata Supreme, e cila do ta zbardh edhe këtë rast. Mendoj që tash për një interval kohor të shkurtë, do ta marrim këtë gjykim dhe do të bëjmë ankesë se kemi të drejtë ankese. Pra, do ta bëjmë edhe një ankesë si mjet të rregullt juridik rreth Gjykatës Supreme”.

Kurse avokati Asmir Alispahiq zbulon se në vendimin e gjykatës së Apelit, ishte vutuar 3 ndaj 2, pra duke vërtetuar vendimin që e ka marrë gjykata e shkallës së parë. Megjithatë, siç thotë Alispahiq, ky vendim nuk i ka befasuar, por e kanë pritur që të jetë i tillë.

Asmir Alisphiq, avokat mbrojtës

“Ne si avokat gjithmonë presim që ankesat e tonë çdoherë të pranohen, mirëpo siç tha edhe kolegu Raufi, ne nuk jemi të befasuar nga vendimi, sepse sipas informacioneve tona votat ishin 3 ndaj 2. E kemi pritur këtë vendim se do ta vërtetojnë atë. Por ne besojmë se kemi shanse në  Gjykatën më të lartë, që kjo ankesë të bëjë që ta shfuqizoj vendimin dhe lënda të kthehet në rigjykim”.

Gjykata Themelore më 2 nëntor 2017 Grupin e Kumanovës e kishte dënuar me 746 vjet burgim. Për veprën terrorizëm ishin dënuar gjithsej 37 persona, shumica shtetas të Kosovës, të cilën ishin shpallur fajtorë për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në “Lagjen e Trimave”.

Ndërkaq, një ditë më parë kryeministri në detyrë i Kosovës Ramush Haradinaj deklaroi se janë duke pritur që të merret vendimi përfundimtar, që pjesëtarët e rastit të Kumanovës të ekstradohen në Kosovë.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart