Rasti i Salih Mustafës, sot dëshmon dëshmitari i dytë - Gazeta Express
string(52) "rasti-i-salih-mustafes-sot-deshmon-deshmitari-i-dyte"

Rasti i Salih Mustafës, sot dëshmon dëshmitari i dytë

Lajme

Gazeta Express

23/09/2021 14:55

Dëshmitari i parë në rastin e Salih Mustafës e ka përfunduar sot dëshminë. Me këtë rast kryetarja e trupit gjykues Mappie Veldt Foglia e ka falënderuar atë dhe e ka udhëzuar që të mos flasë me askënd për ato çka ka deklaruar në Gjykatën Speciale në Hagë, për katër ditë rresht, shkruan Gazeta Express.

Foglia tha se ky dëshmitar ka ndihmuar në perpjekjen për t’u zbuluar e vërteta në rastin e Mustafës.

Lexo Edhe:

“Po bëhen katër ditë që je këtu me ne, ma merr mendja se ka qenë e lodhshme dhe e vështirë për ty dhe të falënderoj që ke qenë këtu këto ditë me ne. Na ke ndihmuar shumë në përpjekjen tonë për të zbuluar të vërtetën. Të uroj udhëtim të mbarë dhe të kujtoj edhe një herë që të mos flasësh me askënd për deklaratën që e ke dhënë para Gjykatës Speciale të Kosovës”, ka thënë ajo.

Kujtojmë që gjatë dëshmisë sot, kryetarja e trupit gjykues e ka sfiduar dëshmitarin me pyetjen, se pse e ka ndërruar deklaratën nga ajo që e ka dhënë për UNMIK-un në 2006.

Sot nga ora 14:30 do të nisë një seancë e re ku do të shfaqet dëshmitari i dytë në rastin ku është i akuzuar ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, i njohur si Cali.

Aktakuza kundër Salih Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020.Ndaj Salih Mustafës , ish- Komandant Calit, është konfirmuar aktakuza e Prokurorisë së Specializuar për krime lufte.

Sipas aktakuzës, Mustafa do të përballet në gjyqin e Hagës për vrasje të paligjshme, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar të civilëve gjatë kohës së luftës në Kosovës.

Aktakuza thotë se Salih Mustafa, ish-Komandant Cali, ishte epror i njësitit BIA, që kishte 500-600 anëtarë, të cilët vepronin kryesisht në zona të mëdha urbane si Prishtina dhe Obiliqi dhe përreth këtyre zonave, si dhe në rajonin e Gollakut në të cilin ndodhet fshati Zllash.

Sipas aktakuzës, njësiti BIA vepronte në një kompleks në Zllash që përfshinte një numër ndërtesash e përdorej si vendstrehim i sigurt dhe si qendër ndalimi dhe marrjeje në pyetje.

Aktakuza e ngarkon Mustafën se mes 1 dhe 19 prillit 1999-të së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi VELA’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Sipas aktakuzës personat e ndaluar u mbajtën të ruajtur me roje, në një stallë të kyçur dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Aktakuza thotë se i akuzuari Salih Mustafa së bashku me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së, kishin kryer trajtim mizor sepse 6 të ndaluarve nuk u kishin dhënë mjaftueshëm ushqim, ujë dhe nuk u kishin siguruar kushte higjienike dhe sanitare, fjetje, strehim dhe të kujdesit shëndetësor.

Pika e akuzës që  ngarkon Mustafën me torturë thotë se i akuzuari Mustafa së bashku me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së u shkaktuan viktimave të ndaluara, vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim marrjen e informatave ose deklaratave pranuese, duke i ndëshkuar, frikësuar ose shtrënguar viktimat ose duke i diskriminuar viktimat, ndër të tjera për arsye politike.

Aktakzua ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellur personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur dhe shënjestruar më shumë se personat e tjerë.

Sipas aktakuzës, gjatë kohës së ndalimit të personit të vrarë, familjarët e tij vazhdimisht kishin kërkuar informata rreth tij, por nuk u ishin dhënë informata të plota, ose u ishin dhënë informata të rreme./Express