Rashkaj: Kemi bërë punë të mirë deri tash, ta kompletojmë misionin me sukses


Moral Pozhegu
14 Nëntor 2019 15:37

Anel Rashkaj thotë se Përfaqësuesja e Kosovës e kishte një ecuri mjaft të mirë deri tash në kualifikimet e Euro 2020. Prandaj, mesfushori kosovar thotë se “Dardanët” duhet të vazhdojnë me ritëm të njëjtë edhe në dy ndeshjet e nëntorit, ndaj Republikës Çeke sonte dhe Anglisë të dielën

Anel Rashkaj është i gatshëm ta japë kontributin e tij për Përfaqësuesen e Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Mesfushori kosovar thotë se Kosova deri tash e kishte një rrugëtim mjaft pozitiv në kualifikimet e Euro 2020.

Ndërkohë, ai pret që “Dardanët” ta vazhdojnë këtë ritëm edhe në dy ndeshjet e fundit të kampanjës kualifikuese, ndaj Republikës Çeke sonte dhe kundër Anglisë të dielën.

“Janë ndeshje shumë të vështira, por nuk ka ndeshje të lehta nëse dëshiron të kualifikohesh. Mendoj se deri tash kemi bërë punë të mirë dhe duhet të vazhdojmë me angazhim, e pastaj të shohim”, ka thënë Rashkaj në një bisedë me Gazetën Express.

Ai shpreson që me shokët këtë javë ta kompletojnë misionin e nisur, duke e realizuar ëndrrën – kualifikimin në Evropian.

“Do të ishte kënaqësi e madhe nëse e arrijmë qëllimin sepse Kombëtarja e Kosovës e ka një histori të veçantë dhe kualifikimi do ta bënte edhe më të veçantë atë”, vazhdoi ai.

Nëse eventualisht nuk e arrin kualifikimin përmes fazës eliminatore, Kosova e ka edhe planin B, atë përmes Ligës së Kombeve.

Mirëpo, trupa e Bernard Challandes nuk po mendon për momentin për këtë opsion.

“Jo, për momentin nuk po mendojmë për planin B. Kemi kohë të mendojmë për atë plan. Tash duhet i tërë përqendrimi të jetë në këto dy ndeshje”, nënvizoi ai.

Rashkaj nuk ka pasur minutazh të pamjaftueshëm në ndeshjet e fundit.

Por, ai nuk e ka fort problem këtë, duke insistuar se është në dispozicion të trajnerit kurdo që është nevoja.

“Nuk mendoj shumë në minutazh. Me rëndësi janë rezultatet. Normalisht që duhet të jesh i përgatitur për çdo minutë sepse kundërshtarët e kanë nivelin e lartë dhe kërkohet përqendrim maksimal”, përfundoi Rashkaj.

Kosova do ta zhvillojë sonte ndeshjen e rëndësishme ndaj Republikës Çeke në stadiumin “Doosan Arena” në qytetin Plzen, duke filluar nga ora 20:45.

Ndërkaq, kampanjën kualifikuese do ta mbyllë të dielën me ndeshjen ndaj Anglisë, që do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke filluar nga ora 18:00. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart