Rashiq fajëson Beogradin për numrin e madh të serbëve të infektuar në veri - Gazeta Express
string(74) "rashiq-fajeson-beogradin-per-numrin-e-madh-te-serbeve-te-infektuar-ne-veri"

Rashiq fajëson Beogradin për numrin e madh të serbëve të infektuar në veri

Gazeta Express

08/04/2020 13:23

Nenad Rashiq, drejtor i porsaemëruar i Zyrës për çështje të komuniteteve pranë Zyrës së kryeministrit të Kosovës, tha sot se luftimi i epidemisë së koronavirusit aktualisht përbën prioritetin kryesor në Kosovë, është sfidë që mund të afrojë shqiptarët e serbët në atë luftë.

Ai deklaroi në RTK 2 në gjuhën serbe se pandemia ka shkaktuar probleme në gjithë botën dhe se është sfidë e cila me siguri do të ndryshojë mënyrën e sjelljes, jo vetëm të institucioneve shëndetësore, por edhe të vetë njerëzve, transmeton Koha.net.

Lexo Edhe:

Në rastin e serbëve të Kosovës ndokush mund të mendojë se “ne e kemi më lehtë, meqë aty janë dy institucione që mund të kujdesen për ne, të Kosovës e të Serbisë”, u shpreh ai.

“Por, fatkeqësisht, madje në disa rajone ka ndodhur e kundërta e kësaj. Shembull janë zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ku për shkak të injorimit që ishte i dukshëm gjatë javëve të para nga ana e institucioneve të Beogradit, ky injorim është manifestuar në njerëzit në veri. Nuk iu kushtua kujdes i mjaftueshëm që në fillim dhe tani ka rritje të numrit (të të infektuarve me koronavirus) pikërisht për shkak të mungesës së tërheqjes së vërejtjes, ose më mirë të them të kujdesit që nuk arriti me kohë nga Beogradi”, u shpreh Rashiqi.

Serbët në jug janë në një situatë tjetër, sepse dëgjuan këshillat e Prishtinës.

“Unë mendoj se në jug nuk do të ketë koronavirus, meqë duke parë situatën në mjedisin ku jetoj unë, njerëzit ishin mjaft të ndërgjegjshëm dhe iu përmbajtjen distancës sociale. Dëgjuam në atë moment këshillat e Prishtinës që ishin qëllimmira, filluan izolimin me kohë, kështu që rreziku për serbët që jetojnë në jug të Ibrit është më i vogël”, tha ai.

I pyetur nëse e dinte sa është e informuar Qeveria e Kosovës për gjendjen e institucioneve shëndetësore në mjediset serbe dhe nëse ata bashkëpunojnë me Qeverinë e Kosovës, Rashiq u përgjigj se shëndetësia sekondare paguhet me rregull dhe me sistemin e Kosovës ka mjekë, infermiere e personel të shumët që paguhet nga buxheti i Kosovës. Prandaj, ka shtuar ai, kjo do të thotë se ata funksionojnë normalisht.

Duke folur për pakon e masave që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës, ai thotë se parashihen ndihma për një varg kategorish.

“Në radhë të parë, ndihmë për të rrezikuarit, për shfrytëzuesit e ndihmave sociale parashihen pagesa dy herë më të mëdha për muajt prill e maj, secilës kategori sociale, përfshirë edhe pensionistët, parashihet rritje me 30 euro në prill, maj e qershor. Përveç kësaj, mjete shtesë janë paraparë për ato kategori që marrin më pak se 100 euro. Punëtorëve të shoqatave tregtare do t’u paguhen nga 170 euro dhe plus kontribute, nga 300 euro do të marrin punëtorët që u ekspozohen rrezikut nga virusi, nga 100 punëtorët nëpër shitore, ndërsa nga 130 euro punëtorët të cilët për sjkak të krizës kanë humbur punën”, ka sqaruar ai.

Ai ka treguar se dy milionë euro janë ndarë vetëm për ndihmë komuniteteve dhe pjesëtarëve që janë të rrezikuar, ndërsa Zyra që ai e drejton do të jetë e ngarkuar të bëjë shpërndarjen e atyre mjeteve.

“Ato do të jenë projekte që do të sanojnë deri diku dëmin e shkaktuar nga koronavirusi”, u shpreh ai, transmeton Koha.net.

“Do të mund të ketë kërkesa për barëra, përkujdesje shtëpiake, vizita të punëtorëve shëndetësor atyre që janë të izoluar ose që janë të vetëm. Nuk bëhet fjalë vetëm për blerje vaji, por edhe më shumë se aq”, deklaroi Rashiq.

“Po ashtu, të gjithë ata që jetojnë në kushte të rënda dhe nuk kanë kurrfarë benificionesh nga buxheti, siç janë të rinjtë dhe që jetojnë në kushte jo aq të mira, do të mund të marrin nga buxheti nga 130 euro për tre muajt e ardhshëm.

Këto janë të gjitha masat të cilat sipas planit të Qeverisë do të financohen deri më 25 maj”, ka thënë Nenad Rashiq.