Raporti i KLSH-së: Kopshtet dhe çerdhet kanë kosto të fshehura - Gazeta Express
string(61) "raporti-i-klsh-se-kopshtet-dhe-cerdhet-kane-kosto-te-fshehura"

Raporti i KLSH-së: Kopshtet dhe çerdhet kanë kosto të fshehura

Gazeta Express

20/02/2020 15:18

Kopshtet dhe çerdhet mbajnë kosto të fshehura për prindërit sipas Kontrollit të lartë të shtetit.

Një auditim i KLSH-së në bashkinë e kryeqytetit, atë të Vlorës dhe Qendrën Ekonomike për Zhvillimin dhe Edukimin e Fëmijëve Tiranë, ka zbuluar se gjatë vitit shkollor prindërit përballen me “kosto të fshehura” për pjesën më të madhe të nevojave që ka një shërbim i tillë si ujë, lodra, mjete didaktike, pajisje dhe orendi të tjera si lavatriçe, frigoriferë, soba ngrohje apo riparimi i tyre, arredime të ndryshme, etj.

Lexo Edhe:

Megjithëse kushtet higjieno sanitare paraqiten optimale në Qendrën Ekonomike për Zhvillimin dhe Edukimin e Fëmijëve Tiranë është konstatuar se procedura e verifikimit dhe marrjes në dorëzim të artikujve ushqimorë nuk është parashikuar në mënyrë optimale. Ajo kryhet e nxituar për të arritur shpërndarjen e këtyre artikujve çdo ditë brenda ditës në të gjithë kopshtet dhe çerdhet e kryeqytetit, duke mbartur riskun e mos verifikimit të plotë dhe të detajuar të cilësisë dhe sasisë së artikujve.

Problem tjetër i rëndësishëm është mbipopullimi i kopshteve dhe çerdheve duke bërë që të mos jenë hapësira e duhur në dispozicion të fëmijëve. Në të dyja qytetet, u vu re gjithashtu prania e portativëve për vaktin e gjumit, të cilat përbëjnë një shqetësim madhor për shëndetin fizik të fëmijës. Fjetja në kushte të pa përshtatshme dhe dëmet në formimin fizik gjatë kësaj moshe janë të pariparueshme thotë KLSH.

Po kështu, në të dy rastet u konstatua se si pasojë e mungesës së hapësirave të nevojshme, i njëjti ambient shërbente edhe për aktivitetet ditore dhe në përfundim të tyre ngriheshin tavolinat dhe shtroheshin portativët për fjetjen. Së fundmi, u konstatua masivisht mungesa e dhomave të veçanta të mjekut, psikologut dhe të izolimit në rast sëmundje të fëmijës, si dhe elementët e sigurisë për mbrojtjen nga emergjencat, apo kamerat në ambientet e godinave, në kundërshtim me standardet e projektimit. KLSH ka lënë një sërë rekomandimesh për përmirësimin e situatës./t.ch