Raportet e këqija Thaçi –Haradinaj – reflektohen edhe në reagimin e Presidentit


Gazeta Express
19 Korrik 2019 18:25

Presidenti Hashim Thaçi ka bërë një reagim interesant rreth dy orë pasi Ramush Haradinaj shpalli dorëheqjen për shkak të ftesës për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale.  Ai e ka potencuar se lajmin për dorëheqjen e Haradinajt e ka mësuar nga mediat e jo që është informuar nga ish –Kryeministri, duke dëshmuar kështu se raportet mes të dyve nuk janë të mira.

Pastaj, shefi i shtetit nuk ka bërë ndonjë koment rreth aktit të dorëheqjes së Ramush Haradinajt – zakonisht në momente të tilla thuhen fjalë të mëdha për veprime të tilla, por Thaci ka thënë se vetëm e respekton vendimin e tij“.

Po ashtu Presidenti e ka relativizuar paska peshën e Kryeministrin duke dhënë lajme se edhe këshilltari i tij Bislim Zyrapi dhe disa eprorë tjerë të UÇK ‘së janë ftuar.

Thaci nuk ka treguar se cili do të jetë vendimi i tij nëse vendi do të shkojë në zgjedhje, apo do të ketë zëvendësim të Haradinajt dhe rikompozim të koalicionit. Ai ka thënë se vendimin do ta publikojë shpejtë.

Haradinaj e Thaçi kanë pasur përplasje të shpeshta viteve të fundit për shkak të dialogut Kosovë –Serbi. Haradinaj vazhdimisht ka thënë se Thaçi ka hyrë në aranzhmane për ndarjen e Kosovës ndërkohë që ish-Kryeministri është goditur shpesh për shkak të taksës së vendosur ndaj mallrave serbe.

Ky është postimi i plotë i Thaçit.

Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së. Nga mediat tani u informova edhe për vendimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e tij. Unë e respektoj vendimin e tij dhe si President i Republikës së Kosovës ju siguroj se do të veprojë bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë. Unë besoj në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe besoj në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë. As vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së nuk mund ta cenojë askush! HTH

Te fundit


Kthehu lart