Ramush Haradinaj pozitiv ndaj ftesës së Isa Mustafës, flasin zyrtarët e AAK-së


Gazeta Express
19 Gusht 2019 11:24

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, u ka bërë ftesë për takim AAK-së, PSD-së e Nismës Socialdemokrate. Përderisa, Shpend Ahmeti u përgjigj pozitivisht, njësoj po deklarohet edhe partia e kryeministrit në dorëheqje, AAK-ja. Në një përgjigje për Gazetën Express, deputeti i kësaj partie, Muharrem Nitaj, thotë se ky takim mund të zhvillohet pa asnjë problem.

Deputeti Muharrem Nitaj ka thënë se ka informacione për një nismë të tillë nga kreu i LDK-së. Deri më tani, sipas tij, nuk ka ndonjë orë të caktuar për zhvillim të këtij takimi.

“Mund të ketë takim pa asnjë problem. Është krejt normale me u taku liderët e partive. E di që ka pasur një nismë nga z. Mustafa për takim edhe me kryeministrin Haradinaj. Por, nuk ka një ditë e orë të caktuar për realizimin e këtij takimi. Kurdo që i njëjti të mbahet do të jetë transparent dhe publik”, ka thënë Nitaj.

Ndryshe, LDK-ja ka bërë të ditur se takimin e kanë thirrur për sot. Megjithatë, AAK-ja sot në orën 12:00 do të mbledhë Këshillin e Përgjithshëm, ku edhe do të vendoset për koalicionet e mundshme, saktësisht siç ka raportuar Gazeta Express për një marrëveshje parazgjedhore me PSD-në e Shpend Ahmetit.

Te fundit


Kthehu lart