Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Prof. Naser Ramadani, është parë duke pirë kafe në një restorant në hapësirën e oborrit të Qendrës Klinike Universitare, duke shkelur masat e MSH-së dhe rekomandimet e institucionit të cilin e udhëheq vetë ai.
Gazeta ka siguruar disa fotografi dhe video ku Ramadani shihet ulur në restorant pa maskë gjatë ditës së djeshme së bashku me zyrtarin tjetër të IKSHPK-së, Naim Jerliu dhe një person tjetër. Përveç tyre në të njëjtën kohë në restorantin “Beni” i cili është shumë afër ndërtesës së Institutit, janë parë ulur duke pirë kafe në tarracë edhe plot qytetarë të tjerë.
Ky veprim i drejtorit të Institutit Kombëtar dhe dy zyrtarëve tjerë është në kundërshtim me rekomandimet që kanë dalë deri tani nga IKSHPK-ja, si dhe masat kufizuese të Ministrisë së Shëndetësisë për bizneset e gastronomisë.

Ministria e Shëndetësisë pati mbyllur restorantet dhe kafenetë në Kosovë pas shfaqjes së rastit të parë pozitiv me Covid-19 më datën 13 mars. Ky vendim, sikurse të gjitha kufizimet tjera të vendosura nga MSH-ja, janë marrë me rekomandim të Institutit Kombëtar.
MSH-ja ka lejuar bizneset e gastronomisë që të shërbejnë klientët e tyre në formë ‘merre me vete’ që nga data 18 maj dhe ky vendim ende nuk ka ndryshuar. Por këtë nuk e ka respektuar vetë drejtori i Institutit, Prof. Ramadani, duke u ulur në restorant së bashku me persona të tjerë.
Kujtojmë se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i cili udhëhiqet nga Ramadani, ka bërë thirrje vazhdimisht qytetarëve që të respektojnë rekomandimet e tyre për të mbajtur distancën, mbajtjen e maskave, si dhe respektimin e masave të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Qytetarë, kthjelluni, ejani në vete, vëni gishtin në kokë, virusi nuk tallet”, ishin disa nga thirrjet e IKSHPK-së për qytetarët që nuk respektonin masat dhe rekomandimet për mbrojtje nga koronavirusi.

Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...