Në zemër të Alpeve Shqiptare, në një lartësi prej rreth 2,100 metrash mbi nivelin e detit, Maja e Vajushës po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për turistët vendas dhe të huaj. E pozicionuar në zonën piktoreske të Lëpushës, kjo majë mbresëlënëse po tërheq vëmendjen e dashamirësve të natyrës dhe sporteve malore, duke u shndërruar në një pikë të rëndësishme të turizmit malor në Shqipëri.
Shtegu që të çon drejt majës është i mirë-shënuar dhe ofron lehtësira për pushime të shkurtra gjatë rrugës, me burime natyrore uji dhe pamje panoramike që të lënë pa frymë. Ajri i pastër, qetësia dhe kontrasti i gjelbërimit me majat shkëmbore krijojnë një përvojë unike për çdo vizitor.
Së fundmi, edhe kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje spektakolare nga ky destinacion malor, duke e promovuar si një nga thesaret natyrore që duhet zbuluar nga çdo shqiptar dhe udhëtar i huaj.