“Rama po nxit konfliktin civil në Shkodër”


Gazeta Express
15 Qershor 2019 18:46

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi doli mesditën e sotme në konferencë për të denoncuar provokimet e veglave të Edi Ramës, siç thuhet në njoftimin e PD-së, me qëllim nxitjen e konfliktit civil.

Në bashkitë e drejtuara nga opozita ka nisur beteja për qendrat e votimit, pasi kryebashkiakët kërkojnë largimin materialeve të KQZ-së sepse nuk e njohin 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale.

E njëjta situatë është edhe në kryeqendrën e veriut ku punonjësit e bashkisë kanë marrë masat për të rimarrë nën administrim ambientet që do të përdoren nga KZAZ-të.

Por Ademi deklaroi sot se punonjësit e Policisë Bashkiake janë shantazhuar nga disa persona civil, që janë prezantuar si punonjës të Policisë së Shtetit.

“Ata ndër të tjera i kanë kërkuar verbalisht, që në oren 15.30 të paraqiten në zyrën e oficeres së policisë gjyqësore Sulela Gerxhaliu. Ky është një veprim i paligjshëm dhe që nxit konflikt”, u shpreh Admi.

Ajo kërkoi nga organi i Prokurorisë që të informojë zyrtarisht bashkinë e Shkodrës nëse ka ndonjë kërkesë ligjore mbi veprimtarinë e këtij institucioni, si dhe i bëri thirrje oficeres Gerxhaliu që të reagojë për çështjen.

“Nëse personat civil të prezantuar si punonjës policie, kanë keqperdorur emrin e prokurorisë, i bëj thirrje oficeres së policisë gjyqësore Suela Gerxhaliu të zbatojë menjëherë ligjin dhe të marrë nën përgjegjësi penale personat që kanë abuzuar me detyren, nën emrin e saj”, tha kryebashkiakja.

Voltana Ademi shtoi se “bashkia Shkodër është e vendosur të zbatojë ligjin dhe i kërkon Policisë dhe sipas rastit Prokurorisë, të ndal menjëherë provokimin, ndaj bashkisë Shkodër. Nxitja e konfliktit nga vartësit e Edi Ramës nuk i shërben stabilitetit të vendit.”

Ajo theksoi gjithashtu se si “kryetare e bashkisë së Shkodrës jam e vendosur të zbatoj Dekretin e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e datës 30 Qershor. Asnjë kërcënim, nuk më ndal, as mua dhe as kolegët e mi në të gjithë Shqipërinë, që të veprojnë në respekt të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Shtetin personal, me institucione personale, Edi Rama nuk ka për ta ndërtuar dot në Shkodër.”

Te fundit


Kthehu lart