Rama, një diktator më shumë me mbështetje amerikane


Gazeta Express
15 Nëntor 2019 14:14

Në seancën absurde të një parlamenti, të mbledhur në funksion të një kioske noterie poshtë përroit të Lanës, Edi Rama nuk  dha asnjë justifikim që të përligjte qëndrimin e shumicës, në konfliktin e fundit për Gjykatën Kushtetuese. Ai nuk denjoi të flasë as për data, afate, KED, Ardian Dvoranin, Arta Vorpsin dhe shkeljet e ligjit themeltar të shtetit.

Ai u mjaftua vetëm me argumentin se në këtë kapje të re të drejtësisë, ai kishte mbështetjen e Europës dhe Amerikës.  “A mund të manipulohen SHBA dhe BE duke u vënë në dispozicionin tonë”, pyeti ai parlamentarët që e duartrokisnin?

Pra, argumenti i vetëm që i ka mbetur një kryeministri që po zhytet përditë e më shumë në krim, është: “Mua më mbështesin ndërkombëtarët”.

Për të na bindur se e vërteta është ndryshe nga sa e shohin të gjithë, ai e ka përdorur shpesh këtë alibi.

Kur Shqipëria ishte tej përtej e mbushur me kanabis, aq sa ia behën në këtë vend- që e konsideruan si hambarin e hashashit të kontintentit-, të gjitha mediat më të mëdha të globit, Edi Rama përsëriste të njëjtin refren. Ai i drejtohej atë kohë ish depuetetes Jozefina Topalli me shprehjen: “A do na e lejonin aleatët tanë këtë nese ajo që pretendon është e vërtetë?”.

Madje parodia shkoi edhe më tej, në kulmin e denoncimeve kundër trafikut të drogës dhe kur shpërtheu skandali i lidhjes Tahiri- Habilaj, ambasadori Donald Lu, doli të deklaronte se historia e luftës ndaj narkotrafikut është një histori suksesi (shiko videot poshte).

Po e njëjta fabul u kopjua edhe kur në shkelje të Kushtetutës, shumica vendosi të zgjedhë kamikazen anonime, Arta Marku, si Prokurore të Përgjithshme të Përkohëshme. Euralius dhe OPDAT, përgatitën një letër ku justifikonin katapultimin e saj për një kohë të shkurtër, pa të drejta lëvizjeje apo ndëshkimi për vartësit dhe me pretendimin e pavarësisë. Rama sërish përdori justifikimin: “A do na lejonin të huajt”?.

Se si rezultoi eksperienca e Arta Markut, se sa kohë ndenji ajo në detyrë, se sa lëmsh e bëri institucionin, se si i shkatërroi dosjet e vjedhjes së votave, tashmë dihet. Nuk është e vështrirë të kuptohet gjithashtu se sa i kushtoi besueshmërisë së reformës së saponisur në drejtësi ky eksperiment me leje diplomatike.

Por, ironia e gjithë kësaj historie ishte në momentin kur ajo doli përpara KLP për të kërkuar një mandat të plotë. Pasi shfaqi performancën që i gajasi të gjithë shqiptarët që e panë live, ajo guxoi të thotë të njëjtën shprehje si Rama: “Unë kam mbështetjen e ndërkombëtarëve”.

Pra, krimet me lejen e të mëdhenjve i kanë shërbyer kryeministrit vetëm sa për të hedhur përkohësisht lumin, vetëm sa për ta kaluar momentin, por në fund, realiteti ka diskredituar bashkë me artikuluesin e tyre edhe besueshmërinë e mbështetësve që i kanë lejuar në heshtje këto mashtrime.

E njëjta gjë u përsërit edhe në tentativën për të organizuar me çdo çmim zgjedhje moniste në 30 qershor. Kryeministri shkoi në çdo cep të vendit për të kërcënuar me moshyrjen në SHBA dhe BE të atyre që do të tentonin ta prishnin këtë farsë. Asnjë diplomat nuk e kundërshtoi, pavarësisht se të gjithë e dinin se kjo nuk mund të realizohej pa pasur më parë një vendim gjykate, një verdikt të formës së prerë nga drejtësia.

Madje Palmer shkoi deri aty sa për ato votime, që u pa më pas se si i etiketoi ODHIR, të artikulonte formulën: “bëni njëherë zgjedhjet, pastaj shqyrtoni legjitimitetin e tyre”.

Ky film u shfaq edhe këtë të premte në parlament, kur për të përligjur manipulimin e mazhorancës me një nga institucionet e reja të Reformës në Drejtësi (KED) për t’i hequr presidentit të drejtat e tij kushtetuese, si alibi u përdorën deklaratat përshëndetëse të selive diplomatike amerikane dhe europiane.

Pra, tashmë, nuk ka më asnjë dyshim, se në të gjitha marrëzitë e tij, Edi Rama ka pasur mbështetjen e pakushtëzuar të ndërkombëtarëve.

Të pohosh këtë, do të thotë t’u thuash shqiptarëve të vërtetën. Eshtë e kotë të vazhdosh t’i besosh një mashtrimi alternativ, ashtu siç bën opozita jonë e kapur dhe pa ide, se atij po i ngushtohet rrethi apo se këtij regjimi ia kanë hequr vizën.

Më e ndershme sesa të ushqesh publikun me fabula të paqena, do të qe të përpiqeshe të kuptoje se nga vjen mbështeja për këtë regjim dhe cilat janë pasojat e saj.

Njëra nga arsyet mund të kërkohet tek vetë mosbesueshmëria e opozitës, tek mendësia e instaluar, se në këtë humbëtirë të gjithë janë njësoj, e cila e ysht çdo diplomat cinik të mendojë: e pse duhet të angazhohemi apo për ta bërë më keq?

Një tjetër alternativë mund të jetë kokfortësia për të çuar përpara, me çdo mjet, qoftë edhe me ndihmën e një pushteti të korruptuar, eksperimentin e reformës në drejtësi që po degradon dita- ditës. Pasi kanë harxhuar para, propagandë, energji, në Uashington dhe në Bruksel mund të duan thjeshtë të shohin të hedhur suvanë e një godine me themele të shkërmoquara, vetëm për të raportuar se puna u krye, vetëm për të bërë dy- tre shembuj, pavarësisht se drejtësi për shqiptarët nuk do të ketë kurrë. Dhe për ta përfunduar këtë maskaradë, ata e dinë se nuk mund ta bëjnë, as pa mbështetjen e ekzekutivit dhe as pa kartonat e atyre që e votojnë në kuvend.

Idhtarët e teorive konspirative mund ta shpjegojnë këtë mbështetje të palogjikshme, qoftë me paranojat për rolin e Sorosit, qoftë me ato të lobistëve fuqishëm që janë të njëjtë me ata të Vuçiçit.

Të tjerë akoma mund të ngrejnë hipoteza dhe supozime të ndryshme për këtë situatë absurde.

Por, për të gjithë është e qartë se duke u sjellë në këtë mënyrë, aleatët tanë po i zhgënjejnë ata që besuan tek reforma në drejtësi dhe ata që ëndërruan se do të bëhet më mirë, njësoj siç lanë në baltë kurdët e Sirisë, që luftuan përkrah tyre kundër DAESH-it. Ata mund të vazhdojnë ta mbështesin pa kushte regjimin e Ramës, njësoj siç kanë mbështetur Dinh Diemin në Vietnamin e Jugut apo Pinoçetin në Klili.

Historia nuk i përjashton as të mëdhenjtë nga teoria e gabimit.

Por, në pikën ku kemi mbërritur, nëse vazhdojnë ta lënë Edi Ramën të justifikojë çdo krim në emër të tyre, ata jo vetëm nuk e ndihmojnë dot më atë, por e zhveshin edhe veten nga roli i arbitrit moral që kanë luajtur për tre dekada, duke mbathur çizmet e të fuqishmit, që imponohet me anë të dhunës, por jo të besueshmërisë.     

©Lapsi.al

Te fundit


Kthehu lart