Rama: Nëse rrezikohet Kosova atëherë rrezikohet edhe Shqipëria, makthi i Vuçiqit është shteti kosovar - Gazeta Express
string(99) "rama-nese-rrezikohet-kosova-atehere-rrezikohet-edhe-shqiperia-makthi-i-vuciqit-eshte-shteti-kosovar"

Lajme

Gazeta Express

12/03/2026 12:41

Rama: Nëse rrezikohet Kosova atëherë rrezikohet edhe Shqipëria, makthi i Vuçiqit është shteti kosovar

Lajme

Gazeta Express

12/03/2026 12:41

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka folur për raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke thënë se nëse kjo e fundit është nën kërcënim atëherë edhe shteti shqiptar është nën kërcënim.

Në intervistën e tij për Türkiye Today, Rama kujtoi se Kosova tashmë është republikë, proces i cili, theksoi ai, është i pakthyeshëm, përcjell Gazeta Express.

“Kosova është e pavarur; është republikë. Ky proces është i pakthyeshëm. Nëse preket Kosova, preket Shqipëria. Nëse Kosova është nën një kërcënim ekzistencial, Shqipëria është nën një kërcënim ekzistencial,” deklaroi Rama.

Megjithatë, duke folur për dialogun e bllokuar të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit, Rama pranoi se perspektiva e tij nga Tirana natyrisht ndryshon nga ajo e kryeministrit Albin Kurti dhe udhëheqjes në Prishtinë.

“Unë jam në Tiranë, jo në Prishtinë. Kam qenë dëshmitar i luftës së përgjakshme që shpërbëri ish-Jugosllavinë dhe që solli në Kosovë furinë e makinerisë nacional-socialiste të vdekjes dhe shkatërrimit. Kujtimet e atij momenti, plagët dhe makthet janë ende shumë të pranishme atje dhe jo aq shumë këtu. Ky është dallimi që gjithmonë duhet ta kem parasysh kur i shoh gjërat ndryshe nga këtu,” shtoi kryeministri shqiptar.

Kryeministri shqiptar nuk i kurseu fjalët për akuzat e fundit të Vucicit se Shqipëria, Kroacia dhe Kosova po formonin një “aleancë ushtarake” që synon të rrezikojë Serbinë. Rama i karakterizoi këto pretendime si frikë që buron nga paaftësia e Serbisë për ta pranuar realitetin.

“Presidenti Vucic është një njeri me njohuri të mëdha, me intuitë të fortë, që sheh shumë gjëra përpara, por ai ka makthin e tij: është Kosova. Kaq. Pikë,” tha Rama.

“Kur makthi pushton emocionet e tij, ai arrin të thotë edhe gjëra që sinqerisht nuk kanë kuptim,” shtoi ai.

Duke folur për “aleancën” e supozuar, Rama e hodhi poshtë pretendimin: “Ky është një tjetër britmë në makth… Merreni me mend, Serbia ka një marrëveshje shumë më të fortë me Kroacinë sesa kjo.”

Këshilla e tij për Beogradin ishte e drejtpërdrejtë: “Prandaj unë gjithmonë them: prite litarin, lëre të shkojë. Duke e lënë të shkojë, makthi do të marrë fund… Të mos e lësh diçka që tashmë ka ikur, bëhet makth.”

Megjatë, pavarësisht mosmarrëveshjeve me Beogradin, Rama tha se presidenti serb Vucic mbetet një lider “me të cilin mund të bisedohet dhe të ndërtohet së bashku”.

“Mendoj se është dikush me të cilin mund të flitet dhe të ndërtohet mbi bazën e objektivave të përbashkëta,” tha ai për Vucicin.

Rama ka folur edhe për marrëdhënien e tij personale me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.

“Kam një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin Erdogan, të cilin e konsideroj një person të lehtë për t’u marrë vesh,” tha ai.

“Ai është shumë i drejtpërdrejtë; po është po, jo është jo,” shtoi Rama.

Biseda preku gjithashtu rendin global në ndryshim, 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit dhe përpjekjen rekord të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

“Nuk mjafton”: Mesazh i drejtpërdrejtë për Ankaranë

Ndërsa Rama personalisht e vlerësoi presidentin Erdogan si një “mik të madh” dhe lider “të drejtpërdrejtë”, ai theksoi se Turqia duhet të bëjë më shumë për të forcuar partneritetin rajonal. Kur u pyet për shtyllat strukturore të partneritetit Turqi-Shqipëri dhe nëse tregtia po avanconte, Rama ishte i qartë.

Në një koment që synonte të ilustronte hendekun mes marrëdhënieve politike dhe atyre ekonomike, Rama bëri një krahasim me klubet më të mëdha të futbollit të Turqisë.

“Nuk kam bërë llogaritjen e vlerës së Galatasaray dhe Fenerbahçe, por kam frikë se, të marra së bashku, vlera e tyre është më e madhe se vlera e tregtisë mes Turqisë dhe Shqipërisë, dhe kjo nuk mjafton,” tha Rama.

“Duhet të paktën të tejkalojmë ligën turke,” shtoi ai.

Ai shtoi se aktualisht nuk ekziston një projekt ekonomik kryesor që ta mbështesë marrëdhënien dypalëshe.

“Produkti më i madh, pa diskutim, që Turqia ka eksportuar në rajon është presidenti Erdogan dhe popullariteti i tij,” tha Rama. “Nuk e di nëse i pëlqen ajo që po them, por them se nuk mjafton. Duhet të ketë diçka përtej tij.”

“Do të doja që Turqia të bënte më shumë,” tha Rama, duke reflektuar mbi praninë e Ankarasë në rajon.

“Ka shumë paragjykime, stereotipe dhe marrëzi për përfshirjen e Turqisë në rajon, por për mua nuk mjafton. Është shumë larg të qenit e mjaftueshme.”

“Çfarë neo-osmanizmi?”

Duke iu përgjigjur akuzave të shpeshta nga vendet fqinje për ambicie “neo-osmane” të Turqisë, Rama reagoi me ironi, duke përmendur një projekt të vonuar restaurimi të një xhamie të vogël të dëmtuar nga përmbytjet në Shqipëri nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

“Kemi një nga xhamitë më të bukura të ndërtuara në këtë rajon, një gjë të vogël, dhe prej, nuk e di, tre vitesh tani presim që TIKA të bëjë punën e saj për ta riparuar,” tha ai.

“Pra, nëse do të ishin vërtet neo-osmanë, të paktën ajo xhami do të ishte ngritur dhe do të shkëlqente pas përmbytjes së madhe që shkaktoi kaq shumë dëme,” shtoi Rama.

Rama vuri në dukje gjithashtu ironinë që Serbia bën këto akuza, duke theksuar realitetin se ku rrjedh në të vërtetë kapitali turk në rajon.

“Çfarë neo-osmanizmi?” pyeti Rama. “Jam i sigurt se, duke qenë një person i fiksuar pas numrave dhe shifrave, presidenti i Serbisë mund ta shohë shumë mirë që Turqia ka investuar më shumë në Serbi sesa në Shqipëri dhe Kosovë së bashku.”

Tetorin e kaluar, presidenti serb Aleksandar Vucic akuzoi Turqinë se “po ëndërron për Perandorinë Osmane” pas dorëzimit të dronëve Skydagger në Prishtinë. Më vonë ai akuzoi gjithashtu Turqinë dhe Shtetet e Bashkuara se po armatosin shqiptarët në Kosovë, duke e paraqitur këtë si “një kërcënim të drejtpërdrejtë për Serbinë dhe integritetin e saj territorial”.

Advertisement
Advertisement
Advertisement