Rama Meta, çfarë po ndodh? - Gazeta Express
string(24) "rama-meta-cfare-po-ndodh"

Rama Meta, çfarë po ndodh?

Ermal Mulosmani

26/05/2020 17:07

Shqipëria i është rikthyer ngjarjeve të forta politike. Pas periudhës së gjatë të mbylljes, ku ngjarjet kryesore ishin publikimet e Kryeministrit në FB dhe komentet e njerëzve mbi to si dhe përditësimet mbi të ardhmen e koronavirusit, tashmë jemi në fazë të nxehtë të debatit politik.

Komentet publike e Ambasadores së USA, znj Yuri Kim, zgjuan reagime të forta në të gjithë aktorët e politikës shqiptare. Znj Ambasadore, përmes një tweet-i fillimisht dhe një deklarate televizive pak më pas, aludoi për një “marrëveshje prapa krahëve për të vrarë Reformën në Drejtësi”.

Lexo Edhe:

Interesante ishte që në daljen përpara mediave, Ambasadorja u kujdes ta fillonte komunikimin e saj me fjalinë “Mesazhi im është shumë i qartë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan atë që populli shqiptar do…”.

Por si e priti Kryeministri komentin e Ambasadores?

Sigurisht duke e parë gjetkë mesazhin. Ai përmes një devize shekspiriane deklaroi dakordësinë absolute të tij me atë që thoshte Ambasadorja duke i parë “djajtë” në anën tjetër të barrikadës.

Në fakt më shumë se kujtdo ai mesazh duhej t’i digjte Kryeministrit. Pa atë nuk ka marrëveshje të hapur ose prapa krahëve. Është Ai dhe vetëm Ai që jep miratimin ose kundërshtimin e çdo propozimi apo ideje, nga kushdo që të vijë. Të tjerët “mund të duan ta varrosin” me çdo mënyrë Reformën por, thjesht nuk mundet të bëjnë asgjë, nuk kanë asnjë mekanizëm bllokues ose progresues. Nëse Kryeministri, për arsye të caktuara, bën aleanca me ndonjë prej faktorëve opozitarë, askush nuk mund ta këkrojë fajtorin te këta të fundit. Është gjëja më normale që opozitarët pa asnjë ofiq apo të drejtë, të kërkojnë akses në Reformë. Do ishte absurde të mos e bënin. Por, nëse ka marrëveshje progresive apo vrastare, merita apo faji është i atij që pranon marrëveshjen. Pra e Kryeministrit.

Reforma Në Drejtësi është objektiv madhor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Për të arritur këtë objektiv, shpeshherë kanë zgjedhur të bëhen palë me Ramën duke bërë kështu të shohim djallin në anën tjetër të barrikadës. Edhe kur Ardian Dvorani (Kryetari i KED) dhe KED-ja e tij bënë shkelje flagrante kushtetuese në radhën e propozimit për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Ambasada e  USA-s mbajti qëndrime pro këtyre vendimeve.

Mbrëmë Presidenti i Republikës bëri publike disa mesazhe të ardhura nga zyrtarë të Ambasadës menjëherë pas konfliktit mes tij dhe shumicës (Kryeministrit) për këtë rast. Zyrtari, që flet në emër të Ambasadës, i shkruan Presidentit: “Ne do të mbështesim emërimin e kandidates për GJK si vendim tuajin (meqë nuk jeni shprehur në kohë) megjithëse nuk ishte radha juaj për të zgjedhur”.  Për ta bërë edhe më skandaloz pazarin, Ambasada i komunikon Presidentit që “Kandidatja e preferuar prej jush do të vijë përsëri nga KED si propozim dhe, atëherë, je i lirë ta dekretosh. Rama nuk do t’a kundërshtojë”.

Përmes këtij teksti skandaloz, kuptojmë që Kryeministri është Zoti i vërtetë i Reformës në Drejtësi. Ai ka në dorë ta ripropozojë përmes KED-së kë të dojë, të miratojë apo të kundërshtojë dekretet kushtetuese të Presidentit por edhe të urdhërojë Ambasadën amerikane për të ndërmjetësuar me Presidentin pazare emërimesh të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë kontekst, publikimi i atyre mesazheve ishte një shërbim fort i çmueshëm ndaj interesit publik.

Atëherë ku hyjnë këtu të tjerët? Të tjerët kanë në dorë veç çelësat e kashtës…

Problemi duket te njëfarë përafrimi që vërehet mes Kryeministrit dhe Presidentit këto kohë. U përfol shumë qysh gjatë pandemisë një farë zbutjeje qëndrimesh mes tyre. Kryeministri e mënjanoi dukshëm fjalorin agresiv e përtallës ndaj tij por edhe Presidenti e shpagoi me dekretimet e famshme të ndryshimeve në Kodin Penal të 22 Prillit. Qysh atëherë u përfol edhe një pakt Rama Meta….

Në daljen e mbrëmshme televizive, Presidenti u kujdes të përmendte zhgënjimin e tij nga lideri i PD-së, Lulzim Basha… Ai deklaroi për herë të parë premtimin që Basha i kishte bërë për pjesëmarrje në zgjedhjet e dekretuara lokale të Tetorit 2019 përkundër deklarimit të Bashës që “as në Tetor nuk do merrte pjesë”. Ai përmendi një term të çuditshëm për të ironizuar opozitën duke e quajtur “Opozita Luli-Mona”. Shto këtu edhe kundërshtimet e bëra publike disa herë për daljen e opozitës nga parlamenti, duket që pakënaqësitë e Metës kanë ardhë duke u rritur. Deklarata e mbrëmshme e tij, që, në të ardhmen ai do ishte  një President me marëdhënie institucionale, gati ceremoniale, me të gjithë faktorët politikë i shkon mjaft për shtat Kryeministrit dhe maxhorancës çka ia përmendi edhe Fevziu.

Nga ana tjetër, Baton Haxhiu, një zë publik dhe i mirëinformuar i politikës shqiptare, shumë afër Kryeministrit Rama, hodhi tezën e një aleance Rama- Meta. Ai tekstualisht tha: “Këto marrëveshje (është fjala për platformën e Metës) shkojnë përtej momentit, përtej Reformës në Drejtësi. Esenca është që ky President a mund të jetë i rrezikshëm nëse ka zgjedhje, nuk i dekreton zgjedhjet. Duhet të relaksohet kjo marrëdhënie në ato pika që ai don. Ai i ka vendosë ato 14 pika për të ndërtu një mardhënie me z.Edi Rama që mund të shkojë një koalicion i mundshëm paszgjedhor, mund të shkojnë shumë gjëra…”

A ishte kjo deklaratë e z. Haxhiu së bashku me qëndrimin e Presidentit në Opinion një konfirmim i shqetësimit të ambasadores Yuri Kim? Mbetet për t’u parë në të ardhmen.

Në vitin 2013, darka e ngjalave ishte një vit më parë se të ndodhte koalicioni i 1 Prillit. A po pregatitet një koalicion i së ardhmes? Ligjërimi i Presidentit në Opinion, mbrëmë, ishte mjaft i dyshimtë. Besimi i tij në triumf opozitar në zgjedhjet e ardhshme dukej mjaft i zbehtë e për pasojë mundësia për të braktisur koalicionin “Luli-Mona” mjaft e fortë. Këtë interes e konfirmoi edhe komenti i z. Haxhiu.

E këtu m’u kujtua fjalia e fillimit të Ambasadores Kim. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan atë që populli shqiptar do…” Nëse është fjala për një koalicion Rama-Meta, atëherë është e vërtetë kjo lloj përqasje. Askush nuk e do një koalicion të tillë.