Rama flet sërish për filxhan, Kryemadhi: Hiq dorë nga përçarja e shqiptarëve


Gazeta Express
15 Qershor 2019 21:55

Nga qyteti i Korçës, Edi Rama hodhi një “lumë” akuzash ndaj opozitës.

Teksa komentoi bllokimin e rrugës dhe protestën që u bë në Bilisht, Rama ironizoi edhe kryetaren e LSI-së.

“Kush është ngritur këtu Salianji që doli në Devoll me çunin e Fahri Balliut që kishin marrë dërrasë me gozhda për të shpuar gomat se i kanë parë në filma? Këta do të bëjnë ’97? Meta e ka të thjeshtë t’i thotë gruas shiko filxhan për dajë Titin (Petrit Vasilin) thuaj si do shkojë puna me nervin shiatik. Edhe për shoqen tonë Norën, (Nora Malaj) ti sheh filxhan Nora qan, çdo bëhet me popullin edhe lotët vu. Ti thotë Monës boll merru me këto. Dhe Saliu t’i thotë Lulit, Lulzim shpejt, në shtëpi. Këto të ndodhin, dhe nuk ndodh ’97.

Këta thonë po vendoset diktatura, këtu në fakt ka një tentativë për të vendosur diktaturën e marrëzisë me një filxhan dhe një kukull. Këtu nuk po bëhet asnjë gjë, këta kanë një hall të madh që ne do t’ia zgjidhim më 30 qershor. Dhe ata që i shkojnë nga mbrapa, thuajini fqinjëve dhe kushërinjve demokratë, merrini në telefon, dhe thuajini, vazhdoni të pakënaqur por mos merrni vendin ën qafë, se kush vete mbas tyre në 30 qershor, nuk është puna se e zë ligji dhe ngelen brenda por kur të dalin nga burgu do mbeten brenda.

Qeveria e SHBA me emër mbiemër, Lulzim Basha, Monika kryemadhi, thotë kujdes se po digjesh, kujdes se do bëhet klubi i atyre pa vizë. Saliu nuk diskutohet është kryetari i shoqatës, nuk diskutohet që kush vete mbas tyre e pëson. Mirë në Amerikë, por as në Greqi nuk do vënë dot. Tani ja vlen të lësh Selanikun për Monikën? Ata mbjellin çdo ditë frikën, pro do ta shikoni, do treten nga frika e tyre. Ne jemi  me të drejtën dhe e drejta do të na shpërblejë”, tha Rama.

Në përgjigje të Ramës, Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i kërkon që të mos merret me “filxhanë e kazanë, por shpjegoju shqiptarëve disa të vërteta të mëdha”.

Ndërsa rendit disa nga të vërtetat që, sipas saj, Rama duhet t’u shpjegojë shqiptarëve. Kryemadhi jep edhe një këshillë për kryeministrin Rama, ku i thotë të mos përçajë shqiptarët, pasi, kushdo që ka tentuar, sipas saj, ka korrur fund të tmerrshëm.

Postimi i plotë:

Edi sa keq më vjen për ty. Je bërë si Kizi dikur. Merr nëpër gojë, shan e pështyn këdo, që të fanepset në ëndrra dhe të prish rehatinë e pushtetit tënd kriminal.

Ed, mos u merr me filxhanë, kazanë apo tepsi, por dil e shpjegoju shqiptarëve disa të vërteta të mëdha, që do të ndjekin gjithë jetën. Ndoshta për fat të keq edhe pas saj.

Shpjegoju shqiptarëve si e ke vënë shtetin ne shërbim te krimit. Dhe jo vetëm për trafiqet e drogës, pastrimin e parave, por për atë që të është bërë hall shumë i madh dhe nuk të lë as të flesh. Përdorimin e policisë dhe prokurorisë në shërbim të ca bandave, që blejnë votat për ty, kundër disa bandave të tjera. Asgjë më pak se në Chicago e viteve 20 të shekullit të kaluar. Këtu e ke çuar shtetin e shqiptarëve.

Shpjegoju shqiptareve si ka mundësi që 500 milion euro PPP, të rrugëve Balldren-Milot dhe rrugën e Arbërit, ua jep dajë e nip. Dy koncesionet me korruptive, jo në Shqipëri, por besoj në të gjithë Botën.

Shpjegoju shqiptareve kush do i paguajë 140 milion eurot e humbura me Beçhettin për hir të tekave të tua dhe për t’i shërbyer pronarëve të megafonëve të çjerrë të propagandës tënde. Dhe kjo vlerë sa vjen e rritet nga interesat dhe gjyqet e tjera, që do të pasojnë. Tregoju shqiptarëve sa para po ju merr nga xhepat e tyre, për hir të pushtetit tënd të kriminalizuar.

Shpjegoju shqiptarëve si ka mundësi që zgjerimi i një rruge me 3 metra e gjatësi 14 km kushton 70 milion euro. Një koncesion tjetër famëkeq ai i Orikum-Dukat.

Shpjegoju shqiptarëve, si për hir të pushtetit tënd dhe lidhjeve të tua me kriminelet, po i lë jashtë nga ëndrra e tyre për një Shqipëri në BE.

Shpjegoju si po i shkatërron fermerët dhe blegtorët nga urrejtja, përbuzja dhe përçmimi qe ke për ta, sa edhe subvencionet ja ke ulur deri ne 6 herë.

Shpjegoju prindërve të familjeve shqiptare, si po ua bën jetën ferr të rinjve shqiptare, që të vetmen dëshirë dhe ëndërr që kanë, është të ikin sa më parë nga vendi i tyre.

Edi, harroje se kriminelë dhe me dhunën e policisë do nënshtrosh shqiptarët në betejën e tyre për zgjedhje te lira dhe të ndershme.

Hiqe nga mendje që mund t’i nëpërkëmbësh shqiptarëve, aspiratën e tyre, që në ,90, për një Shqipëri si gjithë Evropa.

Edi lëri shfaqet si arushi Silva, por hapi rrugën zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Mjaft u përpoqe të përçash shqiptaret, t’i kundërvësh ata kundër njëri-tjetrit, vëllain kundër vëllait, motrën kundër motrës, prindërit kundër fëmijëve, komshiun kundër komshiut, për të vetmin qëllim të mbash pushtetin tënd në shërbim te oligarkëve të oborrit tënd dhe banditëve, pjesëtarë të tavolinave të tua të natës.

Edi, kam edhe një këshille për ty. Hiq dorë nga mbjellja e përçarjes mes shqiptareve, se kush është munduar ta bëjë ka korrur një fund të tmerrshëm.

Hiq dorë nga përçarja, se kush e ka bërë ka korrur fund të tmerrshëm.

Te fundit


Kthehu lart