Rama flet për Alvin Berishën: Puna ka nisur, por zgjidhja është e komplikuar


load
Gazeta Express
18 Tetor 2019 17:20

Kryeministri Rama ka folur për herë të parë në lidhje me historinë e trishtë të 11 vjeçarit shqiptar Alvin Berisha, i cili qëndron prej 5 vitesh në një kamp ku mbahen persona të lidhur me ISIS.

Pas përpjekjeve të të atit të tij dhe emisionit italian Le Iene vogëlushi u gjet në një kamp të burgosurish në pjesën kurde të Sirisë ku jetonin fëmijët dhe gratë e luftëtarëve të ISIS, por që fatkeqësisht nuk mund të shpëtohej prej aty.

Sipas Ramës, çështja në fjalë është mjaft e komplikuar dhe se zgjidhja e saj nuk mund të vijë përmes ambasadës shqiptare në Turqi. Rama shpjegoi se është kryer një punë e madhe në lidhje me këtë çështje dhe se prej kohësh ka nisur një bashkëpunim mes Shqipërisë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Më tutje Rama theksoi se prioritet janë fëmijët dhe gratë që kanë mbetur në kampin në fjalë, i cili rrezikohet për shkak të luftimeve të reja që kanë nisur në Siri.

Rama: Pas 8 orësh pa gjumë, jemi këtu në përfundim të gjithë kësaj odiseje për të ndarë së bashku opinionin tonë lidhur me mospërfundimin me konsensus të procesit. Përpara sesa të hyj në temën e Këshillit Evropian, dëshiroj të ndaj me të gjithë një shpjegim dhe një shqetësim që e kam marrë prej një numri të konsiderueshëm shqiptarësh mbi një emision të mbrëmshëm të RAI-t, kushtuar një të mitur shqiptar në një kamp.

Për fat të keq ai emision drithërues, sipas të gjithë përshtypjkeve të marra, unë vetë nuk e kam ndjekur… ka lënë të kuptohet se ajo është thjesht një çështje vullneti, Kjo është e pavërtetë.

E vërteta është se prej disa kohësh kam nxjerrë një urdhër, është një material i klasifikuar, lidhur me personat, familjet apo individëd që gjenden në atë territor, si pasojë e përfshirjes së burrave në një luftë për të tjerë, në funksion të organizatës terroriste të ISIS. Shqetësimi ynë ka qenë lidhur me nevojë për të aksesuar pikërisht këto kampe, ku ka një numër grash dhe fëmijësh.

Dhe, në bashkëpunim me partnerët amerikanë, ne kemi filluar një proces të tërë identifikimi. Disponojmë të dhëna mbi këta persona, por ju përsërish se janë të dhëna shumë sensitive sepse ata njerëz janë të rrezikuar. Tërheqja e tyre nga ato kampe nuk bëhet as me ambasada e as me ambasadorë, pasi aksesi dhe i gjithë procesi është tejet i komplikuar dhe kërkon koordinim me partnerët. Kemi punuar intensivisht dhe kemi një plan të tërë veprimi të rakorduar me partnerët tanë kryesorë. Ka një sërë grupesh të përfshira në këtë proces. Dua t’i them të gjithëve po të ishte një çështje ambasadash, edhe vendet e tjera do të kishin tërhequr individëd dhe në rradhë të parë gratë dhe fëmijët.

Kam komunikuar edhe me të afërmit dhe me babain e djalit dhe e kam sqaruar që është një çështje që nuk varet nga ne, pra nuk është çështje e strukturave tona diplomatike, sepse nuk bëhet fjalë për kampe refugjatësh të zakonshëm. Natyrisht që gazetarët mund të hyjnë në ato kampe… por nuk është e njëjta gjë për të shkuar dhe për të zhvilluar një operacion tërheqjeje të personave.

Kështuqë, duke shprehur të gjithë keqardhjen, dëshiroj të ndaj se e vërteta është kjo. Së fundmi, situata është edhe më e komplikuar duke patur parasysh situatën, ne do të vazhdojmë të bëjmë punën dhe siç ju thash, jemi në koordinim të plotë me partnerët. Asnjë vend deri më sot, përfshi dhe Italinë fqinje, nuk ka bërë tërheqjen e njerëzve sepse është një operacion vërtet i komplikuar. Kini parasysh se është një zonë ku nuk ka autoritete dhe kontaktet janë të ndërmjetme.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart