QKUK jep detaje për të helmuarit: Dy gra janë shtatzëna - Gazeta Express

QKUK jep detaje për të helmuarit: Dy gra janë shtatzëna

Ballina

Gazeta Express

13/10/2019 14:05

Nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës janë deklaruar për nëntë pacientet femra të cilat dyshohet se u helmuan nga kutitë me vota serbe. Dy nga nëntë pacientet janë shtatzënë. Ndërkohë gjendja shëndetësore e të gjitha këtyre pacienteve sipas QKUK’së raportohet të jetë stabile, shkruan Express.

“Në ora,11:58, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, janë lajmëruar 9 pacientë të gjinisë femrore, dy prej tyre shtatzënë, me  kruarje të duarve të intenzitetit të ultë.  Dy nga to kanë patur edhe vjellje.  Të gjitha kishin ndjenjë diskonforti dhe frikë. Te të gjitha rastet nuk ka patur sindromë infeksioze dhe gjendja e përgjithshme është stabile”, deklarohen për Express, zyrtarë ngta zyra e drejtorit të SHsKUK’së.

Sipas tyre pacientët pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfave brenda në kuti të votimeve kanë ndjerë aromë kundërmuese. 

“Ekipa kujdestare e Klinikës Infektive kanë ndërmarrë masat e duhura duke i spitalizuar dhe duke i ofruar ndihmën e duhur mjekësore.  Konziliumi i SHSKUK dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në vazhdimësi janë duke e monitoruar gjendjen shëndetësore të pacientëve të spitalizuar.

Ndërkohë salla ku janë këto zarfe për momentin është e mbyllur. Në vendin e ngjarjes pritet që të arrijnë ekipet e posaçme me të policisë së Kosovës për t;u futur brenda sallës ku gjenden këto zarfe.

Policia për momentin nuk po e lejojnë asnjë zyrtarë e as qytetar t’i afrohet qendrës së votimit.

Me gjithë rastin tashmë po merret edhe policia e Kosovës. Kjo e fundit i ka nisur hetimet.

Vendi i ngjarjes

Lajmin për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

“Policia posedon informacionin e tillë, ndërsa lidhur me detaje ne ketë fazë adresohuni KQZ’së dhe autoriteteve shëndetësore. Ne po e trajtojmë rastin”, ka deklaruar Hoxha.

Megjithëkëtë janë 26 zyrtarë të shtetit që kanë qenë në Qendrën e Numërimit të Rezultateve që kanë qenë të pranishëm në kohën kur janë hapur pesë kutitë me zarfe të ardhura nga serbia e që kanë pasur votat e serbëve që i kanë dhënë për zgjehdjet e fundit në Kosovë.

Për këtë rast  për Express ka folur edhe  Besnik Buzhala nga divizioni i Shërbimit të Votuesve. Sipas tij, zyrtarët kanë shenja të alergjisë në fytyrë dhe në duar.

Ai për Gazetën Express ka deklaruar se janë 5 kuti rreth 80 litërshe që kanë ardhur nga Serbia me vota të cilat pas hapjes kanë kutërbuar.

“Janë diku rreth 26 zyrtarë që janë helmuar pra kanë marrë alergji në duar dhe fytyrë.  Ne në mëngjes i kemi pas zarfet edhe aty zyrtarëve u është shfaqë alergjia. Janë 5 kuti rreth 80 litërshe që kanë ardhur nga Serbia”, ka deklaruar Buzhala për Express.

Policia dhe ekipet e tjera në vendin e ngjarjes

Procesi i numërimit të votave të ardhura nga Serbia ka nisur mëngjesin e sotëm. Mirëpo ai është ndërprerë pas disa munitave për shkak të kutërbimit. /GazetaExpress/