Qeverisja plot dritëhije e Ramush Haradinaj-t - Gazeta Express
string(45) "qeverisja-plot-dritehije-e-ramush-haradinaj-t"

Ermal Mulosmani

24/01/2020 10:46

Qeverisja plot dritëhije e Ramush Haradinaj-t

Ermal Mulosmani

24/01/2020 10:46

Ramush Haradinaj erdhi mbrëmë në Tiranë ndoshta në daljen e fundit televizive si Kryeministër i Kosovës.  Në kontekstin e padisë gjyqësore nga Kryeministri i Shqipërisë, komentet e tij ishin me mjaft interes për publikun shqiptar ndaj kësaj çështje së pari e pastaj edhe ndaj formimit të Qeverisë së re dhe mungesës së takimit të tij me ambasadorin Grenell. 

Por, në këtë shkrim nuk do merrem fare me bisedën e mbrëmshme por me një rezume të qeverisjes dyvjeçare së Haradinajt.

Lexo Edhe:

Ramush Haradinaj u bë Kryeministër i Qeverisë së Kosovës  si kandidat i përbashkët i koalicionit parazgjedhor PAN (PDK+AAK+NISMA). Megjithëse rezultati zgjedhor i këtij koalicioni ishte krejtësisht zhgënjyes (mori vetëm 39 deputetë nga 54 që kishin në mandatin paraardhës) u arrit formimi i Qeverisë me votat e minoriteteve dhe kalimin e AKR-së (zotit Pacolli) në koalicionin fitues.  Sigurisht ky ishte një koalicion tejet  i brishtë, një ekuilibër që varej vetëm në duart e dy a tre deputetëve qofshin edhe të minoriteteve. Për më tepër, pesha e Partisë së Kryeministrit brenda koalicionit ishte në minorancë.

Duket se PDK e Presidentit Thaçi ishte zhgënjyer nga rezultati zgjedhor dhe e kuptoi  që ky ishte mandati I fundit qeverisës. Nisur nga kjo premisë, Qeveria e re kaloi në përmasa enorme zv/Kryeministrash e zv/Ministrash për të kënaqur orekset e gjithfarë deputeti, u theksuan si asnjëherë më parë shpërdorimet, nepotizmi  dhe korrupsioni. I pafuqishëm për të vënë veto për asgjë, Kryeministri me muskuj, komandanti  më i famshëm i gjallë i UÇK-së, po përballej me betejën ndoshta më të pabarabartë të jetës së tij. Shto këtu edhe presionin e Serbisë dhe xhelozinë e partnerëve në koalicion dhe situata bëhej edhe më e zymtë. Presidenti Thaçi, beniamini i Perëndimit në Kosovë, një mjeshtër në shfrytëzimin e anëve të dobëta njerëzore dhe joshjen e ambicies, ia arriti ta shmangte Haradinajn nga ngjarje të mëdha siç ishte dialogu me Serbinë (me mirëkuptimin absurd të Haradinajt).  Arrestimi I 6 gylenistëve në territorin e Kosovës dhe deportimi i tyre në Turqi, pa dijeninë e Haradinajt, ndoshta ishte edhe treguesi më publik i këtij mënjanimi. Megjithëse Kryeminsitri largoi Ministrin e vet të Brendshëm dhe shefin e agjensisë së zbulimit, asgjë nuk mund ta vinte nderin e tij në vend. Për më tepër, deklarata publike e Erdogan sipas së cilës “Haradinaj do jepte llogari për mbrojtjen e terroristëve turq” ishte një shenjë tjetër për vetminë e madhe të Kryeministrit.  Thaçi kishte edhe përkrahjen e hapur të Kryeministrit të Shqipërisë zotit Edi Rama, me të cilin Haradinaj kishte kaluar një përplasje dhe pajtim publik.

Ai ishte kapiten i një ekipi futbolli ku secili luante për qejfin e tij…

Si të mos mjaftonin këto zhvillime,  më 20 nëntor 2018 (14 muaj më parë), një iniciativë e Kosovës për t’u bërë anëtare e Interpolit bie poshtë në sajë të një lobimi ndërkombëtar të Serbisë. Ky ishte momenti i kthesës së Ramushit

. Një propozim i beftë i Ministrave të PDK-së (thuhet që propozimi është bërë nga Enver Hoxhaj me përkrahjen edhe të Kadri Veselit) duket ishte “leva e Arkimedit” për aktivizimin e fortë të Haradinajt! Kryeministri miraton një taksë 100% për të gjitha mallrat serbe që futen në Kosovë! Ky lajm ngjalli mallëngjim të madh kombëtar. Nuk mbeti njeri pa e përkrahur. “Sikur tre ditë të rrijë ajo taksë mjafton”!  Ramushi u kthye menjëherë në Rambo duke prekur menjëherë një nderim publik që tejkalon çdo racionalitet. Vetëm Hashim Thaçi, njeriu kryesor i koalicionit, nuk dha asnjë deklaratë. Sa herë që i duhej të deklarohej rreth atij vendimi, me dinakëri shprehej “ishte një vendim i duhur me iniciativën e Ministrit Hoxhaj dhe Kryetarit Veseli”. Kjo ishte thyerja e parë e madhe Thaçi-Haradinaj . Ramushi nuk kishte pranuar të ishte viktima perfekte e Komandantit të Përgjithshëm.

Më 14 Dhjetor shënohet edhe suksesi tjetër publik i Ramush Haradinajt. Kuvendi i Kosovës miraton transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës. Pak është thënë por ky vendim i Qeverisë së Kosovës nuk pati përkrahjen e të gjithë faktorëve ndërkombëtarë. Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, do ta cilësonte “jo në kohën e duhur” madje e kërcënonte Kosovën se ”do të përballej me pasoja serioze nëse do vazhdonte transformimin e FSK-së në Ushtri”.

Ramushi po luante fort.  Kosova e mësuar me një politikë të përunjur ndaj perëndimit po tregonte shenjat e para të mosbindjes dhe korrte fitore të vogla politike.

Ndërkohë Presidenti po zhvillonte paralelisht një ide për mbylljen përfundimtare të konfliktit me Serbinë. Në ëndrrat e veta, me siguri, Hashim Thaçi shihte edhe marrëveshjen e paqes me Serbinë. Ishte mbyllja perfekte e karrierës së një politikani dinak dhe me shumë nuhatje. Ai përmendte vazhdimisht “lënien jasht kufinjve tokësorë të Medvegjës e Bujanovcit”  pa përmendur aspak “shkëmbimin territorial” si mënyrën për të shkuar aty. Përkundrazi integrimi i shqiptarëve të Luginës do të bëhej në sajë të “përkushtimit jetësor”  të Hashim Thaçit ndaj kësaj çështjeje. Në fakt po përflitej gjerësisht në rrethet mediatike se ekzistonte një ide për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë. I inspiruar nga protagonizmi  i kohëve të fundit, Haradinaj bëhet flamurtari i bllokimit të kësaj marrëveshje. 

Ramushi  po luante me kartën e populizmit. Nuk do kalonte shumë kohë dhe do vinte rënia e Qeverisë, kjo ndjehej. Rruga që kishte nisur Ramushi nuk ishte e gjatë.

Në Samitin e Berlinit, në Korrik 2019, Ramush Haradinajt i kërkohet publikisht të pezullonte përkohësisht taksën 100%. Ia kërkonin Merkel dhe Makron, dy më të fuqishmit e Evropës. Mirëpo Ramushi nuk pranoi përtej thashethemeve për premtime fantastike. Ai e kishte lidhur taksën me njohjen e Serbisë dhe me emrin e vet. Ndoshta Thaçi dhe Rama do ta ëndërronin një kërkesë të tillë nga Macron dhe nuk e kuptonin këmbënguljen e Kryeminsitrit Haradinaj.

Sikur Ramushi të shpallte dorëheqjen e tij të nesërmen e Samitit të Berlinit do të kishte pasë një rezultat shumë më të mirë. Por ai gjeti një moment tjetër, të papërshtatshëm, duke u viktimizuar me thirrjen si  dëshmitar në Gjyqin Special. Shpalli dorëheqjen nga Kryeministër për tu futur përsëri në garën e Kryeministrit. Çka e bënte pakuptim dorëheqjen…

Gjithsesi, Ramushi ka lënë gjurmë. Ai i dha dinjitet Kosovës me taksën. Ai zbuloi një instrument presioni mjaft efikas ndaj luftës që mund t’i bëjë Serbia Kosovës. Ai e formoi ushtrinë e Kosovës me një kurajo që pak do ta kishin bërë. Sikur vetëm këto dy gjëra t’I numërohen në bilancin e historisë dyvjeçare nuk janë pak.