Qeveria s’i ndihmoi Telekomit, ata kanë zgjedhur “prapësimin” kundër Z- Mobile


Gazeta Express
23 Korrik 2019 18:03

Prishja e Qeverisë do të jetë problematike veçmas për kompaninë Telekom. Derisa janë dërguar te përmbaruesi nga kompania Dardafon, ata e panë si zgjidhje të vetme Qeverinë e cila shpresonin t’u ndihmonte për t’i larë 25.9 milionët e Arbitrazhit. Me rënien e Qeverisë kjo ndihmë është zhdukur nga horizonti, në vend të kësaj ata thonë se “prapësimi” është zgjidhja e vetme.

GAZETA EXPRESS

Më 15 korrik Dardafon e dërgoi te përmbaruesi kompaninë publike Telekom duke i dhënë afat vetëm një javë për të kthyer milionat, në të kundërtën kundërshtuan me bllokim të llogarive.

Pa pasur ndonjë zgjidhje tjetër që mund të shtyjë sado pak skenarin e bllokimit të llogarive që do të thotë rrugë e shpejtë drejt falimentimit për Telekomin, nga kjo kompani kanë vendosur që të kundërpërgjigjen duke e dërguar në prapësim procedurën e përmbarimit.

Kjo po shihet si zgjidhja nga ta sidomos tash pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i Kryeministrit që do të cojë në rënien e Qeverisë.

Këtë kundërpërgjigje ndaj Z-Mobile e ka konfirmuar për Gazetën Express, Bedri Istrefi, Këshilltar Ekzekutiv i Telekomit.

Istrefi ka thënë se pas këshillimit që ka pasur me ekspertët e kompanisë, prapësimi është parë si zgjidhje e vetme.

“Ne e kemi bërë prapësimin. Procedurat e prapësimit marrin kohë, qëllimi është që të shtyhet sa më gjatë e të mos vihet deri te ekzekutimi, sipas ekspertëve tanë premtimet janë që të shkohet deri në 1 vit e gjysmë derisa të bëhet proces në këtë çështje, prej Qeverisë e të merret me seriozitet, ta trajtojë rastin që t’i jepet një zgjidhje. Pa ndërhyrë qeveria është problem, sepse bëhet fjalë për vlera të mëdha”, ka deklaruar për Express, Istrefi.

Situata politike po shihet me shqetësim edhe nga udhëheqës të kompanisë publike.

“Na e kemi njoftuar aksionarin edhe për te përmbaruesi edhe për prapsim e tash rrethanat politike po i shohim çfarë janë fatkeqësi për Telekomin që problem me pas një situatë të qëndrueshme politike që marrin vendime”, shtoi tutje Istrefi.

Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit po thonë se kanë përdorur të vetmen mënyrë ligjore kundër Dardafonit. Sipas tyre prapësimi është bërë duke u bazuar në argumente, në mënyrë që të mos shkohet në bllokim të llogarive apo përmbarimit të dhunshëm, që do të thotë që mjetet financiare të sigurohen nga shitja e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të debitorit.

Tash krejt kjo punë ka mbetur në dorë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, që do të vendosë se çka do të ndodhë me këtë proces.

Sipas ligjit për procedurën përmbarimore, neni 67 saktëson se procedura juridike në procedurë përmbarimore janë prapësimi dhe ankesa.

Ndërsa, neni 69 thotë se prapësimi bëhet me shkrim në Gjykatën Themelore e cila ka të lëshuar vendimin përmbarues.

Përgjigja për prapësimin bëhet në afat prej 15-ditëve nga Gjykata përkatëse./GazetaExpress

Te fundit


Kthehu lart