Qeveria s'i ka kthyer ende përgjigje Osmanit pas kërkesës urgjente për ambasadorët e rinj - Gazeta Express
string(88) "qeveria-si-ka-kthyer-ende-pergjigje-osmanit-pas-kerkeses-urgjente-per-ambasadoret-e-rinj"

Gazeta Express

25/11/2020 9:00

Qeveria s’i ka kthyer ende përgjigje Osmanit pas kërkesës urgjente për ambasadorët e rinj

Gazeta Express

25/11/2020 9:00

Në takimin e parë si u.d e presidentes, Vjosa Osmani e kishte një kërkesë urgjente për kryeministrin Avdullah Hoti.

Gjatë takimit të 9 nëntorit, Osmani i kishte kërkuar Hotit urgjentisht të dërgonte propozimet për ambasadorë të rinj, pas shkarkimit të disa prej tyre në fillim të këtij viti.

Lexo Edhe:

Pavarësisht se kjo kërkesë ishte bërë në këtë takim, Qeveria akoma nuk i ka kthyer përgjigje Zyrës së Presidentit edhe në kërkesën me shkrim, të cilën e kanë dërguar në Zyrën e Hotit dy ditë pas takimit.

Bekim Kupina, këshilltar për media Osmanit, i ka thënë “Zërit” se deri tani asnjë dokument nuk ka mbërritur në Zyrën e Presidentit as nga Ministria e Jashtme, as nga Zyra e kryeministrit Hoti, në mënyrë që të shqyrtohet emërimi i ambasadorëve të rinj.

“Deri tash Qeveria nuk ia ka sjellë u.d. të presidentes, Osmani, asnjë dokument/propozim të vetëm, që lidhet me shërbimin diplomatik, përkundër faktit që u.d. e presidentes ka kërkuar që propozimet të dërgohen urgjentisht. Këtë kërkesë ia ka bërë kryeministrit Avdullah Hoti në takimin e parë, më 9 nëntor, teksa kërkesa me shkrim i është adresuar zyrës së tij më 11 nëntor”, ka thënë Kupina.

Nga Zyra e Kryeministrit kanë treguar pse deri tani nuk kanë kthyer një përgjigje Osmanit.

“Aktualisht është duke u bërë rishikimi funksional i gjithë stafit diplomatik dhe në momentin që të përfundojë ky proces, Zyra e Kryeministrit do të dërgojë propozimet konkrete në Zyrën e Presidentit”, thuhet në përgjigjen nga Zyra e Kryeministrit, pa dhënë ndonjë afat.

Ministria e Jashtme ka refuzuar të flasë në lidhje me këtë, duke thënë se është në proces propozimi i ambasadorëve të rinj dhe derisa të përfundojë nuk do të flasin.

Kujtojmë se ish-presidenti Hashim Thaçi, në fillim të tetorit, kishte nënshkruar dekretin për largimin e ambasadores Vlora Çitaku nga misioni i saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila ishte shkarkuar nga detyra nga ish-ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, bashkë edhe me disa ambasadorë të tjerë në vende të ndryshme të botës.

Ndërsa, edhe pse nga MPJ-ja nuk kanë dashur të flasin për këtë proces, mësohet se në misionin konsullor në Pragë tashmë është emëruar konsulli i përgjithshëm. Flakron Shala është i biri i deputetit të AAK-së, Haxhi Shala, i cili, sipas raportimit të “Kohës”, është emëruar rishtazi në këtë detyrë.