Qeveria pritet të ndihmojë vetëm fëmijët e 3 prej 18 mjekëve që vdiqën gjatë pandemisë - Gazeta Express
string(86) "qeveria-pritet-te-ndihmoje-vetem-femijet-e-3-prej-18-mjekeve-qe-vdiqen-gjate-pandemise"

Lajme

Arbresha Berisha

27/01/2021 17:02

Qeveria pritet të ndihmojë vetëm fëmijët e 3 prej 18 mjekëve që vdiqën gjatë pandemisë

Lajme

Arbresha Berisha

27/01/2021 17:02

Më 12 janar të këtij viti, Oda e Mjekëve kishte bërë kërkesë në Qeverinë e Kosovës dhe në Ministrinë e Shëndetësisë që të kompensohen fëmijët nën 18 vjeç të punëtorëve shëndetësorë të cilët kanë vdekur në krye të detyrës, duke u ballafaquar me pandeminë COVID-19. Nga 18 mjekë të vdekur, pritet të kompensohen vetëm fëmijët e 3 prej tyre, raporton Gazeta Express.

Shumë nga familjet e punëtorëve shëndetësorë të cilët kanë vdekur duke u përballur me pandeminë COVID-19, nuk do të marrin asnjë pagesë nga shteti, edhe pse humbën më të dashurit e tyre në krye të detyrës, ata nuk po ndihmohen financiarisht.

Lexo Edhe:

Mbi 30 punëtorë thuhet të kenë vdekur gjatë pandemisë në krye të detyrës, 18 prej të cilëve janë mjek.

Nga këta 18 mjekë, vetëm fëmijët e 3 prej tyre pritet të ndihmohen financiarisht prej shtetit.

Kjo pasi që kërkesa është që vetëm fëmijët nën 18 vjeç ta marrin një pagë mujore deri sa të mbërrijnë këtë moshë.

Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, ka thënë për Express se tashmë është themeluar grupi punues për hartimin e rregullores për kompensimin e familjarëve të punëtorëve shëndetësorë.

Ai ka thënë që kërkesa është vetëm për kompensimin e fëmijëve që janë nën moshën 18 vjeçare dhe jo mbi për personat mbi këtë moshë.

“Është themeluar grupi punues. Ky proces nëse punohet si duhet mund të kryhet edhe brenda 10 ditëve, pasi që kemi modelin se si duhet të punojmë. Kërkesa është për dhënien e pagave vetëm për fëmijët nën 18 vjeç”, ka thënë ai.

Sejdiu ka thënë se do të diskutojnë edhe për fëmijët që janë mbi këtë moshë.

Ndërsa, kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë se tani nuk mund të kërkojnë paga edhe për familjet e punëtorëve tjerë shëndetësorë që kanë vdekur gjatë pandemisë, për shkak se duhet të përditësohen të dhënat e numrit të të vdekurve e të infektuarve.

Ai ka thënë se mbi 30 punëtorë shëndetësorë kanë vdekur gjatë pandemisë, derisa ka shtuar se do të mundohen të kërkojnë ndihmë financiare edhe për ta.

“Problemi është që ne jemi ende në pandemi dhe për ditë kemi të sëmurë dhe të vdekur dhe nuk mund të bëjmë kërkesa të tilla pa i shikuar mirë rastet dhe cilat mund të jenë kërkesat. Ne do të kërkojmë edhe për ta, por për momentin nuk mundemi sepse për ditë përditësohen të dhënat”, ka deklaruar ai.

Përndryshe Syla ka thënë se edhe kërkesat që janë bërë për kompensimin e fëmijëve nën 18 vjeç, nuk janë të parapara në buxhetin e këtij viti, dhe se ky mund të jetë mashtrim i Qeverisë.

Në anën tjetër, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se këtë muaj kanë formuar Komisionin për Hartimin e Rregullores për kompensimin e familjarëve të mjekëve dhe punëtorëve tjerë shëndetësorë të cilët kanë vdekur në krye të detyrës gjatë përballjes me pandeminë.

Sipas MSH’së, kur të finalizohet punë në këtë komision do t’i prezantohet qeverisë.

“Ky komision në përbërje të secilit ka përfaqësues të MSH’së, SHSKUK’së, IKSHPK’së, Odës së Mjekëve dhe përfaqësues të tjerë, do të hartojë këtë rregullore, në bazë të së cilës pastaj Qeveria e vendit do të mbështes kategorinë për të cilën do të bëjë rregulloren”, është thënë nga MSH.

Oda e Mjekëve të Kosovës kishte kërkuar që fëmijët nën 18 vjeç të punëtorëve shëndetësorë që kanë vdekur gjatë pandemisë të paguhen më 1 mijë e 500 euro në muaj, derisa t’i mbushin 18 vjeç.

Ndërsa, për shumën që do t’i ndahet atyre tashmë do të vendoset në Komisionin e formuar nga Ministria e Shëndetësisë./GazetaExpress/