Qeveria pranon se ka humbur gjyqin me Becchetin, kërkon zyrë avokatie për të anuluar vendimin


Gazeta Express
27 Qershor 2019 8:53

Pak ditë më parë qarkulloi lajmi se Gjykata e Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ISCID) i dha të drejtë biznesmenit Francesco Becchetti në çështjen që ky i fundit kishte hapur kundër Shqipërisë.

Dëmshpërblimi që shteti shqiptar duhet të paguajë në këtë rast u lakua në nivelin 111 milionë euro. Vetëm pak ditë pas kësaj situate, Avokatura e Shtetit ka hapur një procedurë ku kërkon një zyrë avokatie që do të përfaqësojë Shqipërinë në gjykatën e Arbitrazhit (të njëjtë me atë ku është dhënë vendimi për çështjen Becchetti) dhe ku kërkohet anulimi i një vendimi.

“Në mbështetje të nenit 18, pika 2, të ligjit nr. 10018, datë 13.11.2008 “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar, Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.381, datë 12.06.2019 “Për përcaktimin e procedurave dhe të kritereve për përzgjedhjen, kontraktimin e pagesën e avokatëve ose zyrave të avokatisë vendase ose të huaja”, komisioni i ngritur për kryerjen e procedurës përzgjedhëse me Urdhrin nr. 180/1, datë 18.06.2019 të Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit, ju njofton për fillimin e procedurës së konkurrimit për përzgjedhjen dhe kontraktimin e avokatit ose të zyrës së avokatisë vendase ose të huaj, dhe ju fton të paraqisni interesin tuaj së bashku me ofertën përkatëse për të marrë pjesë në këtë procedurë me detajet si më poshtë vijon: Objekti i kontratës përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të procesit të anulimit të një vendimi arbitrazhi në ICSID” thuhet në njoftimin e Avokaturës së Shtetit.

Në këtë njoftim nuk jepen detaje lidhur me çështjen për të cilën kërkohet anulim i vendimit por hapja e procedurës përkon me vendimin që i jep fitoren Becchettit dhe ngarkon Shqipërinë me pagesën e një dëmshpërblimi 111 milionë euro.


Dorëzimi i ofertave nga zyrat e interesuara të avokatisë do të pranohen nga Avokatura e Shtetit deri më 7 korrik 2019.

Konflikti mes investitorit italian Becchetti dhe shtetit shqiptar nisi në vitin 2014 kur palët ngritën padi për njëra-tjetrën në arbitrazh. Qeveria prishi në mënyrë të njëanshme kontratën me Hydro SRL zotëruar nga Becchetti dhe që kishte në objekt ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit. Kompania e zotëruar nga Becchetti e paditi Shqipërinë në Gjykatën e Arbitrazhit duke kërkuar zgjidhjen e koncesionit të Kalivaçit dhe 137.3 milionë euro dëmshpërblim nga qeveria shqiptare, me pretendimin e ishte shteti shqiptar ai që e kishte penguar ndërtimin e hidrocentralit.

Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit në Paris dënoi kompaninë me pagesën e 7 milionë eurove kundrejt shtetit shqiptar. Ndërkohë që në një padi tjetër që lidhej me sekuestrimin e aseteve të Becchettit ka përfunduar në kahun e kundërt duke shpallur fitues investitorin dhe duke kërkuar dëmshpërblim nga pala shqiptare./monitor

Te fundit


Kthehu lart