Qeveria malazeze me notë proteste ndaj Shqipërisë: Mbi 100 qese me pula të ngordhura kanë ardhur nga lumi Buna


Gazeta Express
10 Tetor 2019 22:08

Qeveria e Malit të Zi i ka dërguar një notë proteste Shqipërisë për shkak të ndotjes së vazhdueshme që lumi Buna përcjell në territorin e Malit të Zi.

Letra e protestës ka ardhur me iniciativë të nënkryetarit për politikë ekonomike Milutin Simovic dhe Ministrit të Turizmit Pavel Raduloviç. Lajmi është përcjellë gjerësisht në median malazeze ku thuhet se në rrjedhën e lumit Buna nuk vijnë vetëm mbetje plastike, por edhe pula të ngordhura.

Qeveria malazeze “këmbëngul vazhdimisht në zbatimin e të gjitha konventave ndërkombëtare, në përputhje me politikën e fqinjësisë së mirë, duke bërë thirrje për kujdes të përbashkët për burimet, në komunikim të vazhdueshëm me palën shqiptare,” thotë Ministria e Jashtme e Malit të Zi.

Madje në letër, Ministria “kërcënon” se çështjen mund ta dërgojë dhe tek partnerët ndërkombëtarë, pasi pulat e ngordhura ishin të infektuara me salmonella, çka mund të dëmtojë shpendët dhe jetën e egër.

Prandaj Mali i Zi është i detyruar të informojë partnerët ndërkombëtarë, “çfarë do të bëhet në një procedurë zyrtare emergjente”.

Drejtoresha e Drejtorisë për Sigurinë e Ushqimit, Veterinarisë dhe çështjeve Fitosanitare Vesna Dakovic, pasi vizitoi terrenin, tha dje se gjithçka ishte një problem ndërkufitar, pasi nuk ka ferma të pulave në pjesën malazeze.

“Rezultatet e analizës laboratorike të mostrave treguan se shpendët nuk ishin të infektuar me ndonjë sëmundje që mund të bartej te njerëzit, por ishin me Salmonella, e cila ka një efekt tek  shpendët dhe nga e cila pulat me shumë gjasë u vranë“, tha Dakoviç, Drejtoresha e Drejtorisë për Sigurinë e Ushqimit, Veterinarisë dhe çështjeve Fitosanitare në Malin e Zi.

Ndërkohë Ministria malazeze e Bujqësisë vuri në dukje se pulat e ngordhura ishin Brenda disa qeseve, mbi 100 të tilla.

 “Më shumë se 100 qese janë hequr me kafshë të ngordhura, e cila vlerësohet të jetë një pjesë e rëndësishme e sasisë së vrojtuar në rrjedhën e sipërme përgjatë brigjeve të Bunës, me shtrirje nga grykëderdhja deri në vendbanimin e Raçës ”, tha Ministria e Bujqësisë malazeze./Express

Te fundit


Kthehu lart