Qeveria LDK-AAK-NISMA e komunitetet, profilet e zëvendëskryministrave dhe ministrave të kabinetit qeveritar - Gazeta Express
string(106) "qeveria-ldk-aak-nisma-e-komunitetet-profilet-e-zevendeskryministrave-dhe-ministrave-te-kabinetit-qeveritar"

Qeveria LDK-AAK-NISMA e komunitetet, profilet e zëvendëskryministrave dhe ministrave të kabinetit qeveritar

Gazeta Express

04/06/2020 18:12

Me 61 vota pro, një abstenim dhe 24 vota kundër, deputetët e Kuvendit të Kosovës dje i thanë “po” formimit të qeverisë së re të udhëhequr nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Qeveria Hoti do të ketë katër zëvendëskryeministra dhe 15 ministri. Express u sjell profilin e kryeministrit, zëvendëskryeministrave dhe ministrave.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Gati 70 ditë pas shkarkimit nga pozita e zëvendëskryeministrit, Avdullah Hoti ka arritur që të zërë karrigen e Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës. Ai dje ka marrë besimin e 61 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të krijojë Qeverinë e re.

Hoti u zgjodh kryeministër pas shkarkimit të Qeverisë Kurti më 25 mars, kur edhe u votua mocioni i mosbesimit iniciuar nga partneri i koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Qeveria Hoti do të ketë katër zëvendëskryeministra dhe 15 ministri. Por, kush është Avdullah Hoti, zëvendëskryeministrat dhe ministrat e qeverisë së udhëhequr nga ai?

Hoti ka shërbyer si zëvendëskryeministër për disa javë në Qeverinë Kurti, ndërsa u shkarkua pas prishjes së koalicionit LVV-LDK.

Ai ka udhëhequr me Ministrinë e Financave në mes të vitit 2014 dhe më 2017 në koalicionin qeverisës PDK/LDK.

Hoti është profesor i rregullt në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, që nga viti 1998 dhe ligjëron lëndët Makroekonomi I dhe Makroekonomi II.

Nga 1999 deri ën vitin 2004 ishte hulumtues në Institutin Riinvest në Prishtinë, derisa ishte edhe kryeredaktor i Revistës Kontabiliteti Bashkëkohor, botuar nga Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës.

Nga gushti 2006 deri në vitin 2007 ishte këshilltar i lartë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Kurse, nga janari 2008 deri në 2009 ishte këshilltar për ekonomi i Kryetarit të Prishtinës, derisa më pas ishte nënkryetar i Komunës së Prishtinës. 

Profilet e zëvendëskryeministrave

Si zëvendës të Hotit janë emëruar Besnik Tahiri, Driton Selmanaj, Albulena Balaj-Halimi dhe Goran Rakiq.

Besnik Tahiri do të jetë zëvendëskryeministri i parë nga AAK-ja në Qeverinë Hoti.

Tahiri ka qenë këshilltar i ish-kryeministrit Haradinaj dhe është sekretar i Përgjithshëm i AAK-së.

Ai gjatë qeverisjes së Haradinajt ishte koordinator Nacional për Reforma Shtetërore.

Ka qenë kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës në disa palë zgjedhje.

Zëvendëskryeministër do të jetë edhe Driton Selmanaj. Ai është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës në vitin 2017.

Selmanaj është zgjedhur dy herë deputet i Kuvendit të Kosovës. Ai kishte punuar në projekte të ndryshme të shoqërisë civile, për të kaluar pastaj në LDK. Me profesion është jurist.

Edhe Albulena Balaj-Halimi do të jetë zëvendëskryeministre. Ajo ka mbajtur pozitën e Drejtoreshës së një shkolle dhe asistente në një kolegj.

Balaj-Halimaj është master i shkencave juridike kushtetuese, administrative ndërkaq ka qenë deputete në Kuvendin e Kosovës në periudhën e gjashtë legjislative nga 03.08.2017 në 22.08.2019.

Ajo në Kuvendin e Kosovës ka qenë pjesë e komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi.

Në pozitën e zëvendëskryeministrit është emëruar edhe Goran Rakiq. Rakiç ka mbajtur detyra të rëndësishme edhe më parë, e më e fundit është kryetar i Mitrovicës së Veriut.

Rakiç ka kryer funksionin e kryetarit të komunës së komunës së Mitrovicës së Veriut që nga viti 2014. Ai e fitoi mandatin e tij të dytë katërvjeçar në vitin 2017 duke fituar zgjedhjet lokale. Që nga viti 2017, ai ka qenë dhe kryetar i Listës Serbe.

Profili i Ministrave të LDK’së në Qeverinë Hoti

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme është rikthyer nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu.

Ai kishte qenë në krye të kësaj ministrie edhe gjatë Qeverisë Kurti, por që ishte shkarkuar nga ish-kryeministri, shkaku i një deklarate që e kishte dhënë në mesnatë lidhur me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, shkaku i pandemisë COVID-19.

Veliu është njëri ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, më vonë edhe udhëheqës i kësaj dege për shumë vjet.

Që nga viti 1998, Veliu është pushtet duke qenë në pozita udhëheqëse qoftë në nivelin lokal, qoftë atë qendror.

Ai ka mbajtur për tri vite postin e Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, dy vite pozitën e deputetit, derisa ka udhëhequr me Komunën e Podujevës nga viti deri në shkurt të këtij viti, kur ishte emëruar në krye të MPB’së.

Ministër i ri i Infrastrukturës dhe Ambientit do të jetë Arban Abrashi. Abrashi ka të përfunduar fakultetin e shkencave politike në Universitetin “Hasan Prishtina”, derisa e ka përfunduar Masterin e Integrimeve Evropiane, në Universitetin e Sussex-it në Britani të Madhe.

Që nga viti 2008 ka pasur poste në institucionet shtetërore. Ai ka qenë Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale gjatë qeverisjes së Isa Mustafës, derisa e ka mbajtur një kohë edhe postin e zëvendësministrit të Integrimeve Evropiane.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, ai kishte qenë kandidat për Kryetar të Prishtinës, por që ishte renditur i dyti.

Ministër i Mbrojtjes do të vazhdojë të jetë Anton Quni. Ai ka studiuar në Akademi Ushtarake dhe është graduar si Oficer i karrierës. Gjatë luftës së fundit në Kosovë, ai braktisi Zvicrën për të ju bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U rreshtua në UÇK nën komandën e kolonel Ahmet Krasniqi.

Me njësinë e tij, zhvilloi operacione të suksesshme ushtarake në thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, në Koshare.

Pas lufte, Quni ka shërbyer në TMK dhe FSK, derisa më pas ka qenë pjesë e Kabinetit të Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, si përgjegjës për Sigurinë Kombëtare. Nga viti 2010, Anton Quni, ka qenë deputet në Parlamentin e Kosovës.

Ai u emërua si Ministër i Mbrojtes në Qeverinë Kurti, derisa do të vazhdojë të mbajë këtë pozitë edhe në Qeverinë Hoti.

As në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nuk do të këtë ndryshime në udhëheqje. Në krye të këtij dikasteri do të vazhdojë të jetë Vlora Dumoshi.

Dumoshi ka kryer studimet universitare në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës dhe ka përvojë mbi 20 vjeçare në fushën e arsimit, rinisë e kulturës.

Nga viti 2009 deri më 2013, Dumoshi ka qenë Drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës. Ajo ka qenë edhe Shefe e Stafit të ish kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, gjatë periudhës 2014-2017.

Pjesë e Kabinetit Qeveritar do të jetë edhe deputeti i disa legjislaturave të Kuvendit nga LDK’ja, Armend Zemaj.  Ai do të udhëheq me Ministrinë e Shëndetësisë.

Zemaj ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 6 tetorit 2019, Armend Zemaj ka marrë 10 mijë e 567 vota, i pozicionuar si i 15-ti në listën e më të votuarve të LDK-së, sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së.

As Besian Mustafa nuk do të ndërrojë pozitë. Ai do të vazhdojë të udhëheqë me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Studimet bachelor i ka përfunduar në Universitetin La Roche në ShBA, në drejtimet financa dhe kontabilitet, ndërsa studimet Master në Universitetin e Qytetit në Neë York, ShBA.

Ka qenë Drejtor i Përgjithshëm në Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë dhe anëtar i disa bordeve, derisa nga viti 2018 mbanë edhe pozitën e zëdhënësit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor të vitit 2019 kandidoi për deputet,  duke rezultuar ndër 6 më të votuarit në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndërkohë, Ministrja e deritanishme e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami, tash e tutje do të udhëheq me Ministrinë e Financave.

Nga viti 2014 deri më 2017 ajo ka shërbyer si ministre e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Që nga viti 2010, ajo është zgjedhur si deputete e LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës në katër legjislatura. Gjatë angazhimit si deputete, Bajrami ka qenë anëtare e disa Komisioneve Parlamentare, si: Komisioni për Buxhet dhe Financa dhe Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.

Në vitin 2010, Bajrami ka qenë këshilltare e Bankës Botërore, për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Studimet themelore i ka përfunduar në vitin 2000, në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Prishtinës, drejtimi Menaxhment dhe Informatikë, derisa studimet e magjistraturës i ka përfunduar në Staffordshire University, në Angli, në vitin 2003.

Profili i ministrave të AAK’së

Në Qeverinë Hoti, politikën e jashtme do ta udhëheqë Meliza Haradinaj – Stublla. Ajo është pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ka qenë këshilltare politike e ish-kryeministrit Haradinaj.

Në biografinë e saj të shkurtër në rrjete sociale, Meliza Haradinaj tregon se është këshilltare e Haradinajt, por nuk ka lidhje të gjakut me të.

Në vitin 2014 ka qenë kandidate e AAK-së për deputete, ku kishte marrë 2153 vota.

Haradinaj – Stublla studimet master i ka kryer në universitetin Oxford.

Vitin e kaluar, ajo ishte dënuar nga Gjykata për mosdeklarim të saktë pasurisë, gjatë deklarimit të saj si zyrtare e shtetit.

Ministrinë e Drejtësisë në këtë qeveri do ta udhëheq Selim Selimi. Ai është ndër njerëzit më të afërt të Haradinajt. Ish-kryeministri e emëroi Selimin shef të stafit të tij, pas largimit të Avni Arifit, që ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i kreut të AAK-së ndër vite.

Selimi më parë ka qenë pjesë e kabinetit të presidentes Atifete Jahjaga, si këshilltar ligjor i saj.

Studimet për drejtësi i ka kryer në Universitetin e Torinos dhe në Duke University në SHBA.

Ministrinë e Arsimit, AAK-ja ka zgjedhur që ta udhëheqë Ramë Likaj, që më parë nuk është parë në pozita politike në vend.

Likaj është profesor i rregullt në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe pritet të marrë nën drejtim një prej dikasterve që konsiderohet që ka pasur rezultatet më të dobëta në Kosovë. Për avancimin e tij si profesor në UP kanë ngritur dyshime në Organizatën për Rritjen e CIlësisë në Arsim.

Sipas ORCA’s, Likaj si profesor në UP është avancuar në mënyrë të dyshimtë.

“Ramë Likaj është i përfshirë në skandalin më të madh të Universitetit të Prishtinës si një nga profesorët e avancuar përmes plagjiaturës dhe mashtrimit akademik i njohur si rasti i Supermenëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike”, kanë deklaruar nga kjo organizatë.

E Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik do ta udhëheqë Blerim Kuqi. Kuçi është pjesë e AAK-së që nga viti 2009, e deri atëherë ka qenë anëtar i LDK-së.

Ai ka qenë deputet në Kuvendin e Kosovës, kryetar i Suharekës dhe Ministër i Punëve të Brendshme.

Profili i ministrave nga NISMA

Pjesë e Qeverisë Hoti do të jenë edhe Skënder Reçica e Vesel Krasniqi nga Nisma për Kosovën.

Reçica do të jetë Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, pozitë të cilën e mbante edhe gjatë Qeverisë Haradinaj.

Ai a përfunduar studimet universitare në Fakultetin e Filologjisë në drejtimin Gjuhë dhe Letërsi Gjermane si dhe  studimet pasuniversitare në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci.

Ka qenë Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale nga viti 2017, këshilltar për Protokoll dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, në periudhën 2008 – 2014.

Nga  viti 2015 është anëtar i kryesisë dhe Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i Partisë NISMA për Kosovën.

E me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë tash e tutje do të udhëheq Vesel Krasniqi.

Krasniqi a përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës në vitin 2000, ndërsa ka mbaruar magjistraturën në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, drejtimi financat publike, në vitin 2012.

Ka qenë zyrtar i Turizmit në Drejtorinë për Ekonomi, Buxhet dhe Financa në Komunën e Malishevës, shef i Inspektoriatit në Drejtorinë për Ekonomi, Buxhet dhe Financa, shef i Thesarit dhe më pas drejtor për Ekonomi, Buxhet dhe Financa në Komunën e Malishevës.

Mediat kanë raportuar dje se edhe Veseli është me aktakuzë aktive, e cila atë e ngarkon me veprën penale “Vetëgjyqësi”.

Ai është liruar nga aktakuza më 2 mars 2020, mirëpo ky vendim sipas përgjigjes së zëdhënësit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, Lekë Muçaj, të datës 21 maj 2020, akoma nuk e ka fituar formën e prerë.

Krasniqi, në qeverinë e cila udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, ishte në pozitën e zëvendësministrit të  Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR).

Pjesë e Kabinetit Qeveritar do të jenë edhe Delibor Jevtiq, i cili do të udhëheq me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim dhe Enis Kervan, i cili do të jetë Ministër i Zhvillimit Rajonal./Gazeta Express