Qeveria gjermane: Emërimi i përfaqësuesit special për Kosovën është çështje e Brukselit


Gazeta Express
18 Shtator 2019 14:23

Caktimi i një përfaqësuesi special nga Bashkimi Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun Kosovë-Serbi, Qeveria gjermane e kancelares, Angela Merkel, thotë se është një çështje që i përket Komisionit të BE-së dhe përfaqësuesit të lartë, Josep Borell, kur ta marrë detyrën e re, shkruan Gazeta Express.

Besnik VELIU

Kështu i kanë thënë Gazetës Express në një përgjigje me shkrim nga Zyra për Media e Qeverisë Federale.

“Kjo është një çështje për të cilën do të duhet të vendosë Komisioni i BE-së me përbërje të re dhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, sapo ta marrë detyrën e re”, ka thënë një zëdhënës i Qeverisë për Gazetën Express.

Sa i përket taksës, ata thonë se qëndrimi tyre është i pandryshueshëm dhe se Gjermania përkrah heqjen e një vendimi të tillë.

“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Taksat ndëshkuese e shkelin Marrëveshjen e Evropës Qendrore për Tregti të Lirë dhe për këtë arsye, njësoj si BE-ja, Gjermania e përkrah heqjen e taksave ndëshkuese”, thuhet në përgjigje.

Ndërkohë të pyetur për afatet kohore rreth arritjes së një marrëveshjeje finale ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nga Qeveria Gjermane thonë se përkrahin fuqishëm përpjekjet e BE-së për normalizim të raporteve, dhe thonë se palët duhet të kthehen sa më shpejtë në tryezën e bisedimeve.

“Qeveria federale i përkrah fuqishëm përpjekjet e BE-së për ta promovuar normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Pritjet janë që ky dialog të vazhdojë sa më shpejt që është e mundur. Kjo gjë është në interesin e të dyja shteteve’, përfundon përgjigja.

Sot gjatë ditës Radio Evropa e Lirë ka raportuar se Gjermania do ta përcaktojë të dërguarin special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë në mediat serbe ka pasur raportime që holandezja Angelika Einchorst do të jetë përfaqësuesja special e BE-së për dialogun, duke qenë se ka një përvojë të gjatë në institucionet e BE-së dhe e njeh mirë rajonin e  Ballkanit Perëndimor.

Idenë që edhe Bashkimi Evropian të caktonte një përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun Kosovë-Serbi e kishte dhënë në Prishtinë, deputeti i CDU/CSU, Peter Beyer, gjatë vizitës së tij në Prishtinë para pak ditësh.

Këtë deklaratë ai e kishte dhënë teksa kishte folur për vendimin e Sekretarit Amerikan, Mike Pompeo, për të emëruar Matthew Palmer si përfaqësues special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë senatori amerikan, Chris Murphy, në një shkrim të publikuar dje në të cilin kishte përshkruar vizitën e tij në Prishtinë, kishte treguar se krerët e shtetit kosovarë i ishin ankuar se mospajtimet mes BE-së dhe SHBA-së po shkaktojnë probleme për sigurinë e rajonit.

Murphy ka treguar se ata madje kanë thënë se tashmë nuk dinë se kë të dëgjojnë për atë se si duhet vazhduar dialogu, Bashkimin Evropian apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke qenë se të dy palët japin ide të ndryshme për rrugën që duhet ndjekur. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart