Qeveria e Kosovës: Nesër në Bruksel flasim për financat dhe çështjen e pronave - Gazeta Express
string(77) "qeveria-e-kosoves-neser-ne-bruksel-flasim-per-financat-dhe-ceshtjen-e-pronave"

Gazeta Express

28/10/2020 10:36

Qeveria e Kosovës: Nesër në Bruksel flasim për financat dhe çështjen e pronave

Gazeta Express

28/10/2020 10:36

Zyra për media e kryeministrit të Kosovës ka njoftuar se nesër në takimin mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, do të diskutohet për zgjidhjen e pretendimeve financiare dhe çështjet e pronës.

Në komunikatën për media, zyra e kryeministrit Hoti ka thënë se koordinatori Skender Hyseni ka udhëtuar për në Bruksel për t’u takuar me palën serbe me ftesë të emisarit Miroslav Lajçak, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

“Me ftesë të Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, delegacioni i Kosovës, i prirë nga koordinatori Shtetëror Skender Hyseni, ka udhëtuar sot për në Bruksel, ku nesër pritet të zhvillohet takimi i radhës me delegacionin nga Serbia. Temë e diskutimit do të jetë zgjidhja e pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve. Me ndërmjetësimin e emisarit Lajçak, në takimin e nesërm, delegacionet do të vazhdojnë diskutimin e filluar në takimin e kaluar rreth kësaj çështjeje”, thuhet në komunikatë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, dje ka konfirmuar për Express se në tavolinën e bisedimeve të enjten nuk do të diskutohet Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe për të cilën kishte insistuar Serbia.

“Kryenegociatorët do të takohen për të diskutuar zgjidhjen e pretendimeve financiare dhe çështjeve të pronës”, tha ai.

Ndërkaq, pardje zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, deklaroi se takimet në Bruksel do të zhvillohen në përputhje me masat institucionale belge të futura për të ndaluar përhapjen e COVID-19.

Takimi i 29 tetorit vjen pasi ishte shtyrë takimi i paraparë në fund të shtatorit.

Njëra nga arsyet e shtyrjes së takimit ishte edhe refuzimi i Kosovës për të biseduar rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe për të cilën kishte insistuar Serbia.

Çështja e Asociacionit në Kosovë po shihet si problematike për implementim dhe atë e kanë kundërshtuar të gjithë liderët politikë.

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, i cili ndërmjetëson takimet mes Kosovës dhe Serbisë, gjatë një vizite në Kosovë dhe Serbi para dy javësh kishte deklaruar se dy vendet duhet të konsiderojnë ndryshimin e kushtetutës nëse duan të arrijnë marrëveshje ndërkombëtare për ta përfshirë atë në rendin ligjor dhe kushtetues. /GazetaExpress/