Putin: Kim Jong-un udhëhiqet nga interesat kombëtare


Gazeta Express
25 Prill 2019 19:38

residenti rus Vladimir Putin është shprehur i kënaqur me rezultatin e bisedimeve, që zhvilloi në Vladivostok me udhëheqësin koreano-verior, Kim Jong-un. Ai u shpreh se, përfundimet e samitit mund të diskutohen edhe me Kinën e Shtetet e Bashkuara.

“Jemi të gjithë të kënaqur me atë çfarë rezultoi nga ky takim, si unë, ashtu dhe kolegët e mi. Udhëheqësi Kim Jong-un është një njeri i hapur dhe kjo çoi drejt diskutimeve të lira, mbi të gjitha çështjet e renditura në agjendë”, tha Putin.

I pyetur nëse Kim Jong-un do të jetë i gatshëm t’i vazhdojë kontaktet me SHBA-të, shefi i Kremlinit u përgjigj se presidenti i Koresë së Veriut do të “udhëhiqet nga interesat e tij kombëtare”, por shtoi se “asgjë nuk mund të zgjidhet pa bisedime” kur vjen fjala te kriza në gadishullin Korean.

Kim Jong-un, i cili po kërkon ndihmë ekonomike dhe zbutje të sanksioneve, në mes të bisedimeve të bllokuara bërthamore me Shtetet e Bashkuara, tha që në fillim të takimit se shpreson në forcimin e marrëdhënieve me Moskën.

Për Jang Se-ho, hulumtues në Institutin e Seulit për Strategjitë e Sigurisë Kombëtare, situata është e qartë: Peniani ka nevojë për një aleat, ndërsa Moska, që e ka kërkuar me kohë një mundësi për t’u përfshirë më shumë në gadishullin Korean, tani e ka këtë mundësi.

Pasi takimi i Kim Jong-unit dhe Donald Trumpit në Hanoi përfundoi pa marrëveshje, Shtetet e Bashkuara kanë këmbëngulur se nuk do të zbusin sanksionet, për sa kohë Koreja e Veriut nuk e bën të qartë anulimin e programit të saj bërthamor.

Te fundit


Kthehu lart