Pushteti dhe opozita ende pa asnjë progres - Gazeta Express

Gazeta Express

17/04/2019 15:29

Pushteti dhe opozita ende pa asnjë progres

Gazeta Express

17/04/2019 15:29

Pushteti dhe opozita kanë ngrirë pozicionet mbi propozim-Ligjin për Prokurorinë Publike. Derisa opozita pret përgjigjen e shumicës parlamentare për pranimin e kërkesave të tyre, Qeveria kërkesat e VMRO-DPMNE-së i cilëson si anti-Evropiane. Bisedimet do të vazhdojnë deri në gjetjen e konsensusit.

“Materialet të cilat VMRO-DPMNE-ja i ka dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë si bartëse e procesit, nuk janë në përputhje me rekomandimet e BE-së. Kështu që bisedimet do të vazhdojnë”. – theksoi Mile Boshnjakovski, Zëdhënës i Qeverisë

Ekspertët vlerësojnë se Bashkimi Evropian ka vendosur vëmendjen në fatin e Prokurorisë Speciale Publike, shkruan Alsat. Sipas Simonida Kacarskas nga Instituti për politikë Evropiane, në rast se raporti i Komisionit Evropian i gjen palët pa konsensus për PSP-në, shtetet anëtare këtë do ta konsiderojnë si detyrë të papërfunduar.

“Pa dyshim që ajo që mbetet në fokus të vendeve anëtare është se si do të sigurohet pavarësia e Prokurorisë Publike Speciale dhe si do të përfshihet në sistemin për Prokurori Publike. Edhe ne kishim një reagim në lidhje me nevojën që duhet të ketë transparencë në këtë proces dhe shihet qartë se vendet anëtare kyçe të BE-së presin përparim në lidhje me këtë çështje deri në marrjen e vendimit në qershor, dhe ky është një nga aspektet që qëndron si detyre e pa përfunduar”.- tha Simonida Kacarska, Instituti për politikë Evropiane

Çështja për të cilën deri më tani janë pajtuar grupet e punës mes pushtetit dhe opozitës është ndarja e 65 amendamenteve të propozuara nga VMRO-DPMNE-ja në teknike dhe thelbësore. Opozita propozon shkrirjen e PSP-së në Departamentin për krim të organizuar dhe korrupsion ndërsa pushteti kërkon që PSP-ja të vazhdojnë punën si organ i pavarur në kuadër të Prokurorisë Publike. Lidhur me “bombat” dhe akuzat e ngritura nga PSP, opozita kërkon që të mos vlejë asnjë akuzë e shtruar pas 30 qershorit 2017, ndërsa pushteti kërkon që “bombat” të vlejnë deri në vitin 2020./GazetaExpress/