Puna me lojtarë vendorë, prioritet i kryetarit të ri të Yllit, Hamdi Bytyçi


load
Moral Pozhegu
10 Tetor 2019 9:33

Klubi i basketbollit Golden Eagle Ylli është bërë me kryetar të ri, shkruan Gazeta Express.

Therandasit e kanë mbajtur mbrëmë Kuvendin e Jashtëzakonshëm, ku është emëruar edhe kryesia e re.

Me këtë rast, u shkarkua kryetari i deritanishëm, Naim Berisha me votën unanime të 24 delegatëve të pranishëm në Kuvend.

Në këtë Kuvend u diskutua për situatën në klub dhe disa prej problemeve të trashëguara financiare.

Derisa u falënderua Berisha për punën e bërë deri tash, Kuvendi propozoi që kryetar i ri i klubit të zgjidhet profesor Hamdi Bytyçi, për të cilin po ashtu u votua unanimisht.

Kryetari i ri para delegatëve të Kuvendit të Klubit tha se kjo detyrë nuk është privilegj, por përgjegjësi për ta ndihmuar klubit.

Gjithashtu, e falënderoi paraardhësin e tij për punën e deritashme.

Ndërkohë, në një bisedë me Gazetën Express, kryetari i ri i ka treguar prioritetet e tij me klubin therandas, duke i vënë theks të veçantë rëndësisë për të punuar me lojtarë të rinj vendorë.

“Klubin nuk po e gjej në gjendje të keqe, por kemi ardhur për ta riorganizuar atë, për ta organizuar pak më ndryshe, që ta ngrisim klubin edhe më lartë. Do t’ju japim prioritet lojtarëve lokalë e jo atyre të huaj. Do të punohet në periudha afatgjate, në mënyrë që të nxjerrim lojtarë vendorë cilësorë pas disa vitesh”, deklaroi Bytyçi për Express.

Golden Eagle mbetet sponsori kryesor i klubit, por kreu i ri i klubit pret që edhe sponsorë të tjerë të bashkëpunojnë me klubin therandas në të ardhmen.

Po ashtu, Bytyçi theksoi se Golden Eagle Ylli synon të jetë sa më i suksesshëm në Superligën e basketbollit, por që theksi do të vihet tek puna me gjenerata të reja.

Ndër të tjera, në këtë mbledhje Kuvendi u zgjodh Bekim Kryeziu që të jetë drejtor operativ. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart