Pse u kursye nga hetimet Kadri Veseli? Çfarë thonë Prokuroritë në Prishtinë e Ferizaj?


load
Arlena Krivenjeva
23 Maj 2019 18:16

Pamjet ku emri i kreut të PDK-së, Kadri Veselit lakohet krahas një shume të parave prej 200 mijë eurosh, për të cilat flitet se i kishte marrë i njëjti, nuk iu ishte bashkuar dosjes së hetimeve që kishte bërë Prokuroria Themelore e Ferizajt ndaj Rrahim Hashimit, Ekrem Likës, e Kadri Rexhepit. Veseli kishte shpëtuar nga dëshmia për përfshirje në rast, derisa rrjedhimisht ka shpëtuar edhe nga hetimet për mashtrim, detyrim e fajde, ani pse nga grupi dyshohet se ka marrë 200 mijë euro, shkruan Gazeta Express

Videoja në të cilën dëgjohet teksa persona të dyshuar për përfshirje në fajde përmendin emrin e kreut të PDK-së, e krye parlamentarit Kadri Veseli, nuk i kishte rënë në duar Prokurorisë Themelore të Ferizajt, në hetimet për tre persona, për të cilët është ngritur tashmë aktakuzë.

Këto video, nuk kanë qenë pjesë e dosjes, që më vonë do të vazhdonte si aktakuzë në Gjykatën Themelore të Ferizajt, ani pse të njëjtat kishin rënë në dorë të organeve të drejtësisë.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.

Jashari po thotë se ishte Faton Dalladaku ai i cili kishte lajmëruar vite më parë në prokurorinë e Ferizajt, Rrahim Hashimin, Ekrem Likën e Kadri Rexhepin.

Të tre këta, sipas asaj që biznesmeni Dalladaku kishte deklaruar në prokurori, kishin qenë pjesë e një grupi që të njëjtin e kishin mashtruar, përmes kërkimit të fajdeve, duke i marrë shuma të mëdha të parave, të cilat iu ishin premtuar për të ndërtuar një spital në qendër të Prishtinës.

“Deklaratat e personave, dokumentet e falsifikuara, këto i kemi pas provë. Jo nuk mundem me konfirmu se i kemi pas videot që kanë dalë në media”, shton tutje.

Jashari pohon se meqenëse nuk i kishin pasur videot që janë bërë publike, ata nuk kishin pas ndonjë provë që përfshinte kreun e PDK-së, Kadri Veselin në këtë rast. Rrjedhimisht, Veseli nuk ka deklaruar asnjëherë në hetuesi për përfshirjen në këtë grup.

Kryeprokurori ka bërë të ditur për Express, se Dalladaku kishte filluar problemet me këtë grup që nga viti 2011, e bëhej fjalë për spitalin privat të kardiokirurgjisë që ishte në plan të ndërtohej atë herë.

 “E kemi hetu Rrahim Hashimin, Ekrem Likën edhe Kadri Rexhepin.  E kemi ngritë aktakuzën me 21 mars 2018-të, kundër Rrahim Hashimit edhe Kadri Rexhepit, për Ekrem Likën është pezullu procedura sepse ka qenë i paarritshëm, s’kemi mujt me e siguru prezencën e tij në procedurë për shkak që ai nuk ka qenë këtu”, thotë kryeprokurori i Ferizajt.

Në mars të vitit të kaluar për këta persona u ngrit aktakuzë për veprën penale të mashtrimit.

“Mashtrim lidhur me ndërtimin e këtij spitalit. Ferizaji e ka pas sepse është besu fillimisht që vepra është kry në Ferizaj. I dëmtuari ka qenë i Ferizajit është lajmëru te ne në prokurori. Faton Dalladaku e ka lajmëru”, shton tutje.

Gazeta Express ka kontaktuar edhe Prokurorinë Themelore të Prishtinës, për të parë nëse deri më tani është konfirmuar ndonjë lidhje e Veselit me grupin e arrestuar.

Prokurori Armend Hamiti që po merret me hetimet për këtë rast, ka bërë të ditur për videon në të cilin dëgjohet përmendja e Veselit, janë mbyllur hetimet, e sa i përket lidhshmërive që mund të ketë i njejti me grupin e udhëhequr nga kryemafiozi Ismet Osmani, i njohur si Curri, nuk kanë gjetur ende ndërlidhje.

 “Sa kanë fillu hetimet, lidhur me këtë personin që shihet në video janë dy akuza të kryera, kështu që nëse ndërlidhet me akuzat e ngritura nuk mund të shkohet në procedurë për të njejtën cështje”, shton Hamiti.

Mirëpo, përderisa pohon se deri më tani në shkresa të lëndës nuk ka dicka që mund të lidhë me Veselin, ai shton se nëse do të del ndonjë lidhshmëri të gjithë personat e përfshirë do të merren në pytje.

Dalladaku e kishte lajmëruar rastin në Prokurorinë Themelore të Ferizajt, problemet e tij me fajdet nuk ishin ndalur.

Të hënën janë arrestuar edhe katër persona të tjerë, përfshirë këtu edhe Rrahim Hashimin, të cilin Dalladaku e kishte lajmëruar edhe vite më parë.

Bëhet fjale për krye mafiozin Ismet Osmanin të njohur si Curri, Ilir Bojkun, Adil Thacin, e Mentor Maqanin, këtyre iu është caktuar një muaj paraburgim, deris Rrahim Hashimit, Gjykata ia ka refuzuar kërkesën për të njëjtën masë.

Në arrati ndërkaq janë Ekrem Lila dhe Zekë Jasiqi. Lika ishte kërkuar që nga hetimet e para që ishin bërë në Ferizaj, por, që i njëjti ka qenë edhe atë herë i pakapshëm.

Tashmë janë bërë publike disa video incizime ku përmendet zyrtarë të PDK-së, si dhe kreu i partisë, Veseli. Sipas asaj që thonë të dyshuarit, Veseli kishte marrë 200 mijë euro. Megjithëse me rastin janë marrë dy prokurori, i njëjti nuk është intervistuar asnjëherë në asnjë cilësi.

Në anën tjetër, vetë Kadri Veseli e partia e tij, siç duket janë alarmuar nga situata. Në orët e vona të mbrëmjes pak orë pasi që video u bë publike, nga kabineti i Veselit, njoftuan se do të mbahet një konferencë nga vetë krye parlamentari.

Kryetari i PDK-së, tha para mediave se do të jep dorëheqje nëse vërtetohet ndonjë lidhje e tij me këtë grup, e paralajmëroi padi për ata që e lakojnë emrin e tij në rrethana të tilla.

Pak orë më vonë, për temën foli edhe krahu i djathë i Veselit, Enver Hoxhaj.

Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj njëjtë si shefi i tij kritikoi organet e drejtësisë që tha se i kanë përfunduar hetimet./

Veseli tashmë ka dorëzuar kallëzim penal për personat që ia lakuan emrin në video./GazetaExpress

Te fundit


Kthehu lart