Pse rasti i memorialit erdoganist është një nga format e vetëvrasjes së PD


Gazeta Express
14 Gusht 2019 12:45

Nga Alfred Lela

Komunikimi publik ‘nëpër dhëmbë’ për çdo individ, por sidomos për një forcë politike është një nga format më të sigurta të vetëvrasjes.

Të flasësh ‘nëpër dhëmbë’ do të thotë dy gjëra: nuk ke një mesazh për të dhënë/komunikuar, ose nuk je i sigurt për atë që don të japësh/përcjellësh.

Në cilin prej këtyre kategorive mund ta klasifikojmë ‘nëpërdhëmbëshin’ e fundit të Partisë Demokratike sa i takon memorialit erdoganist, të ngritur në Tiranë për 15 korrikun e vitit 2016, si përkujtim për grushtin e shtetit në Turqi?

(I duhet mëshuar asaj se memeorali është ‘erdoganist’ dhe jo turk, ngaqë turqit duhen ndarë nga udhëheqësit e tyre, sidomos kur këta janë autoritaristë me tipare islamike; sidomos në një Turqi që pat përqafuar laicizmin që prej Ataturkut).

PD dha mesazhe çorodie, duke dërguar në ceremoninë e memorialit një prej njerëzve kryesorë të marrdhënieve me jashtë, njëkohësisht kryetar (në ikje) i këshillit bashkiak të Tiranës, Kreshnik Çollakun dhe më pas duke ‘e tërhequr’ Çollakun për të futur në lojë një tjetër eksponent të marrdhënieve me jashtë, Gerti Bogdanin.

Ky i fundit me një mesazh të dytë ku e dënonte vendosjen e memorialit.

Në një akt të llojit ‘më ka çu nana me la gojën’, Bogdabi u njëjtësua me një pjesë të konsiderueshme të opinionit publik, që u alarmua me lehtësinë me të cilën kryeqyteti shqiptar u pajis me pllakatën përkujtimore të një ngjarjeje kontroversiale në vendin e vet. Shqetësimet janë dy dhe secili ka peshën e vet, edhe pse njëri kumbon këmbanën e një alarmi më të lartë.

I pari njofton se PD është në ditë të hallit sa i takon komunikimit publik; nuk ka një mesazh të unifikuar dhe, për më shumë, në marrdhëniet me jashtë flet me dy zëra. Nuk ka pra, një strategji. Kjo, edhe pse shqetësuese, është e riparueshme, sepse edhe PD mund ta gjejë një ditë ‘fugën’ e vet për orkestrën e komunikimit.

Çka përbën një more-ku-je! akute është pyetja: a mos lidershipi i PD e ka të qartë mesazhin dhe atë se çfarë i kërkohet si forcë politike, por bën lëvizje të dyfishta për t’i hedhur hi syve ndjekësve, opinionit dhe partnerëve ndërkombëtarë?

A mos z. Basha i trembet ndikimit erdoganist së jashtmi, por edhe peshës elektorale të erdoganistëve dhe muslimanëve së brendshmi, dhe luan me dy porta, njëra çollakçe e tjetra bogdançe?

Kjo nëpërdhëmbje, ky ambiguitet, kjo paqartësi, kjo ‘jam edhe me popullin, edhe me të fuqishmit’ është arsyeja kryesore se pse PD vazhdon të jetë e paragjykuar, edhe pse është në opozitë prej 6 vitesh, dhe tashmë për të duhet të kishte rënë hija e fundit e çdo dyshimi.

Lidershpi i PD, saktësisht z. Basha nuk e ka lejuar forcën e vet të kridhet në ujrat spastruse të katharsisit politik, duke luajtur një ‘qingj interesaxhi’ që kërkon benefitet e pushtetit (relativ) dhe kredon e opozitarit të pakompromis. Siç e thotë Kim Mehmeti politikanët shqiptarë kërkojnë edhe lavdinë edhe thesin. Nuk mund t’i kenë të dyja.

PD nuk mund të jetë e dënuar më gjatë me stigmën e hipokritit. Asaj i duhen të gjitha kauzat publike dhe të gjitha qartësitë mbi to.

Deri atëherë, deri kur idetë ta kenë zëvendësuar thesin në partinë e lindur nga një ide e qartë për Shqipërinë, asnjë dyshim nuk do bjerë në publik. Po bie ama një kambanë edhe më e rëndë në veshët e atyre që kanë ide: a është në lojë dhe në rrezik orientimi properëndimor i Shqipërisë?

A mos politikanët tanë, majtas e djathtas, janë gati që të bëhen, me turkun, rusin dhe dreqin e mallkuar, nëqoftëse pushteti dhe interesi i tyre dhe i klanit ua bie thesin dhe të mbrothtën?

*Shënim: Editoriali trajton vetëm rastin e Partisë Demokratike, duke lënë pa përmendur parti të tjera të opozitës. Jo pa qëllim. Autori mendon se në PD ka ende njerëz dhe ide për Shqipërinë. Partitë e tjera, pjesa më e madhe e tyre, janë kuti ekskluzive interesash.

Politiko.al

Te fundit


Kthehu lart