Pse parkingu nëntokësor te Filologjiku ka ngecur – tash ka një afat të ri për punimet


Liridonë Çeta
15 Maj 2019 16:16

Që nga viti i kaluar, Komuna e Prishtinës është në fazën përzgjedhëse të kompanisë e cila do ta ndërtojë parkingun nëntokësor në oborrin e Kampusit Universitar në kryeqytet. Tash komunës i kanë dalë telashe me njërën prej kompanive e cila ka konkurruar për të marrë përsipër ndërtimin e parkingut. Pasi është eliminuar nga konkursi, e njëjta ka dorëzuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit ndaj Komunës së Prishtinës, për diskriminim dhe përjashtim të padrejtë. Sipas komunës, kjo është arsyeja pse po vonon fillimi i ndërtimit të parkingut

Me gjithë kritikat nga arkitektët dhe njohësit e çështjeve të trafikut rrugor për lokacionin e zgjedhur për parkingun nëntokësor në kryeqytet, Komuna e Prishtinës kishte vendosur që ta ndërtojë atë në oborrin e Kampusit Universitar.

Arkitektët kishin thënë se parkingu nëntokësor i qytetit në lokacionin e përzgjedhur nga komuna vetëm sa do ta ngarkojë edhe më tepër komunikacionin.

Njohësit e çështjeve të trafikut rrugor patën thënë se një herë duhet të gjendet zgjidhja se si duhet të orientohen automjetet drejt parkingut, e më pas të ndërtohet ky parking.

Ani se përgjatë vitit të kaluar ishte thënë se punimet për parkingun do të nisin shumë shpejtë, ato ende nuk kanë filluar.

Zyra për komunikim me Media e Komunës së Prishtinës Gazetën Express ka thënë se është në vijim e sipër procesi i përzgjedhjes së kompanisë e cila do të në një përgjigje për kryejë punimet për parkingun.

Mirëpo ky proces ka ngecur për shkak se një kompani ka dërguar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), e kjo sipas komunës ka bërë që të vonohet edhe nisja e ndërtimit të parkingut.

“Për momentin jemi në pritje të përgjigjes nga OSHP-ja pasi që njëra nga kompanitë garuese ka paraqitë ankesë në OSHP. Prandaj edhe nuk është vazhduar me procesin e përzgjedhjes së kompanisë fituese”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Ndërkaq komuna bën të ditur se procesi i përzgjedhjes së kompanisë fituese i ka disa faza dhe nëse procedurat e prokurimit nuk zgjaten shumë, vera e këtij viti do të jetë koha kur do të nisë ndërtimi i parkingut nëntokësor në kryeqytet.

“Nëse procedurat e prokurimit nuk tej zgjaten, dhe nëse konstatohet qe kemi oferte të përgjegjshme nga kompanitë garuese, besojmë që gjatë verës së këtij viti mund të fillojë ndërtimi i parkingut”, theksohet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

Drejtori për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm në Komunën e Prishtinës, Genc Bashota, ka thënë për Express se punimet për parkingun nëntokësor do të fillojnë sapo OSHP’ja ta përfundojë shqyrtimin e ankesave të bëra.

“Prokurimi është kompetent që t’i përzgjedhë kompanitë fituese në bazë të procedurave, gjatë procedurave një kompani është ankuar tash presim përgjigjen e OSHP’së për me vazhdu më tutje.  Nuk mund të tregojmë kush dhe për çfarë është ankuar sepse janë procedura të prokurimit, lënda është në zyrën e prokurimit dhe jo në drejtorinë time. Kjo është procedurë tipike e prokurimit që janë dy faza, janë kriteret teknike dhe financiare”, ka thënë Bashota.

Ndërkaq kompania e cila ka dorëzuar ankesën ndaj Komunës së Prishtinës në OSHP,  Nuha Bauunternehmung GmbH & Co. KG & Qamili GbR “Alba Clean”, në arsyetimin e ankesës thotë se KP’ja e ka eliminuar padrejtësisht. Kjo kompani thotë se komuna nuk i ka dhënë arsyet për të cilat e ka eliminuar nga konkursi. 

“Veprimi i AK-Komuna e Prishtinës nga eliminimi i padrejtë i ofertës sonë ka bërë shkeljen e nenit 6 të LPP-se. Ekonomociteti dhe Efikasiteti saktësisht paragrafit 1 të këtij neni ku thuhet se “Të gjitha autoritetet kontraktuese, janë të obliquara që të sigurojnë që fondet publike dhe burimet publike të përdoren në mënyrën më ekonomike, njëkohësisht duke marrë në konsideratë qëllimin dhe lënden e prokurimit”, thuhet në ankesën e komapnisë.

Kompania në fjalë thotë se arsyetimi i Komunës së Prishtinës se nuk plotësohen detajet teknike arkitektonike të projektit nuk qëndron. Ndaj kjo kompani pretendon se komuna ka bërë shkelje ligjore duke thënë se kompania është diskriminuar vetëm për faktin se është kompani e cila vepron në Gjermani.

“Eliminimi nga aktiviteti i prokurimit me arsyetimin e lartcekur paraqet shkelje të rëndë të nenit 7 të LPP-se Barazia ne Trajtim/ Jo-Diskriminimi, ku ne si konzorcium me pronar shqiptar ndërsa që veprojnë ne Gjermani nuk jemi t7ajtuar njejte si konzorciumi tjetër dhe njëherit kjo paraqet një diskriminim në raport me ofertën tonë. AK-Komuna e Prishtines me datë 07.03.2019 neve na ka njoftuar vetëm përmes emailit. Përveç kësaj në email nuk janë dhëne as detajet e eliminimit nga aktiviteti i prokurimit dhe as të drejtat e ofertuesve për t’u ankuar”, theksohet tutje në ankesën e kompanisë Nuha Bauunternehmung GmbH & Co. KG & Qamili GbR “Alba Clean”.

Ndryshe, Komuna e Prishtinës përgjatë vitit 2018 kishte filluar fazën e parë për ndërtimin e parkingut e që është shpallja e kërkesës për kualifikim, për të vazhduar më pas me shpalljen e kërkesës për propozim dhe për të përfunduar me përzgjedhjen e ofertuesit më  të suksesshëm, 

Në fazën e parë, atë të të aplikimit të ofertuesve kishin aplikuar gjashtë kompani.

Kërkesa për kualifikim ka për qëllim që t’i përzgjedhë kompanitë që kanë potencial financiar dhe operativ për të realizuar projektin, dhe bazohet në kualifikimet minimale teknike si dhe kualifikimet minimale financiare.

Por rreth çështjes së ndërtimit të këtij parkingu, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ishte zotuar se punimet do të fillojnë në vitin 2018, por edhe pse jemi në muajin e pestë të vitit 2019, kjo ende nuk ka ndodhur.

Ky parking nëntokësor pritet të ketë kapacitet për së paku 500 vetura. Sipërfaqja e ndarë për parking është 13,990 metra katrorë dhe është planifikuar që të ndërtohet në 2 etazhe. Disniveli në pjesën perëndimore të lokacionit mund të shfrytëzohet për ndërtimin e disa lokaleve afariste, në sipërfaqe të përgjithshme prej 500 metrash katrorë.

Një prej pjesëve të rëndësishme të këtij projekti, është parku mbi parking, i cili do të jetë edhe parku qendror i kryeqytetit./GazetaExpress

Te fundit


Kthehu lart