Pse Osmani e jo Kurti në samitet BE-Ballkani Perëndimor - Gazeta Express
string(55) "pse-osmani-e-jo-kurti-ne-samitet-be-ballkani-perendimor"

Pse Osmani e jo Kurti në samitet BE-Ballkani Perëndimor

Lajme

Gazeta Express

07/12/2022 11:33

Albin Kurti të martën e ndoqi nga Prishtina samitin e liderëve të Bashkimit Europian me liderët e Ballkanit Perëndimor. Edhe pse ngjarja po mbahej vetëm 250 kilometra larg, në Tiranë, kryeministri i Kosovës nuk lëvizi. Nuk dihet nëse s’e kanë ftuar apo ka refuzuar të shkojë, po ka mbi një vit që shefi i Qeverisë nuk e përfaqëson vendin në mbledhi të tilla. Aty, vendi po përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se një vendim që e mori Kurti para një jave, e la atë jashtë samitit të mbajtur në kryeqytetin shqiptar.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Kryeministri Albin Kurti qëndroi dje në Prishtinë dhe herët në mëngjes e priti në takim emisarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. Bashkëpunëtorja e tij në krye të shtetit, presidentja Vjosa Osmani ishte në Tiranë, ku mori pjesë në samitin e liderëve të Bashkimit Europian me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Ka mbi një vit që Kurti nuk ka shkuar në organizime të tilla të rëndësishme – duke përjashtuar Procesin e Berlinit – ku diskutohen çështjet kryesore që e lidhin Ballkanin Perëndimor me BE-në. Por në mbledhitë, ku janë krejt liderët e Unionit dhe udhëheqësit nga shtetet anëtare të BE-së dhe gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor: Kosova, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Republika e Maqedonisë së Veriut, Kurti po mungon. Nuk dihet kjo u bë me dëshirë të tij, apo udhëheqësit e BE-së vendosën ta ftonin presidenten Vjosa Osmani në vend të tij.

“Me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Tiranë, ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në takimin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor”, njoftoi të dielën Presidenca.

Kështu, u bë e ditur se Kurti nuk do të ishte në samitin e këtij lloji, as kur ky për herë të parë u organizua në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe kur Tirana u përzgjodh që të ishte nikoqire e kësaj ngjarjeje.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri tha se vendimi për ta emëruar Nenad Rashiqin në pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim e la Kurtin jashtë këtij samiti.

“Kurti akuzon qeveritë e kaluara për çdo gjë, por emëron ministra nga e kaluara prej Listës “Povratak”. Dikur kësaj liste i referohej me “Serbët e Thaçit” e sot po të njëjtit i rehabiliton në Kabinet ministrash. E sot, kur e tërë Europa zbarkoi në Samitin historik e më të madhin të organizuar ndonjëherë në Tiranë, Kurti u la jashtë dhe e përcolli prej Prishtinës. Duket se emërimi i Rashiqit e përjashtoi Kurtin nga Samiti historik i Tiranës!”, shkroi Haziri të martën në Facebook.

Në samitin e Tiranës, presidentja Osmani theksoi nevojën e përshpejtimit të integrimit të Kosovës në BE, nisur nga liberalizimi i vizave e deri te mbështetja për aplikimin për anëtarësim, që do të dorëzohet këtë muaj.

Prezenca e parë dhe e fundit e Kurtit në takim të nivelit të lartë shënohet më 6 tetor të vitit 2021, në Brdo të Sllovenisë.

Tashmë është bërë e zakonshme që Osmani ta përfaqësojë vendin në takime të tilla liderësh.

Në kuadër të këtyre organizimeve, në mend mbahet pjesëmarrja e Kurtit në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë në shtator të vitit 2020. Ende s’ishte bërë kryeministër dhe sapo i kishte fituar zgjedhjet e para në Kosovë.

Kurti, në mesin e krerëve të mbi 40 vendeve të botës, liderë institucionesh, ministra e ekspertë, Kurti e kishte goditur idenë e Minischengenit, që më vonë u quajt “Ballkani i Hapur”. Ndërsa e kishte goditur edhe rivalin e tij më të madh, Hashim Thaçin që kishte shkuar atje si president, të njëjtën e kishte bërë edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Ata, Kurti i konsideronte fajtorë që çështja e shkëmbimit të territoreve me Serbinë ishte bërë temë më herët. Vetë kishte propozuar një “Minimarshall Plan” për Ballkanin Perëndimor.

“Nëse një apo dy shtete hyjnë para tjerave në BE, do të ketë edhe më shumë probleme. Njëjtë si në vitin 2004, kur dhjetë shtete hynë në BE në të njëjtën kohë. Ne duhet të punojmë, që të gjitha së bashku të hyjmë në BE. Kjo ideja e ‘Minishengenit’ nuk është shumë e qartë për mua, nuk kam parë shumë dokumente, është një ide e pa projektuar për implementim. Besoj se duhet të hyjë në procesin e Berlinit, kështu do të ishte më së miri, kur të gjashta shtetet janë në tavolinë. Njëjtë sikur “Plani Marshall”, që u hartua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas Luftës së Dytë Botërore, tani neve na duhet një ‘Mini-Marshall Plan’ për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Gjëja e fundit, por edhe më e rëndësishmja, ne duhet të jemi të gatshëm për dialogun e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Duhet t’i kemi parasysh tri parime për t’i shëruar plagët e planit të dështuar. Duhet ta përgatisim mirë, me parime të mira dialogun e ardhshëm në rajonin tonë, në veçanti atë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E para – s’ka marrëveshje pa dialog, e dyta – s’ka dialog me harta, dhe së treti – pa presidentë rreth hartave”, kishte thënë Kurti.

Fjalimi i tij ishte incizuar në kundërshtim me rregullat e ngjarjeve të tilla dhe ishte shpërndarë në rrjetet sociale. Videoja kishte bërë shumë bujë.