Pse nuk ka telefonatë Thaçi - Lajçak? - Gazeta Express
string(37) "pse-nuk-ka-telefonate-thacii-lajcak-2"

Pse nuk ka telefonatë Thaçi – Lajçak?

Gazeta Express

26/05/2020 12:24

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, deri tani në përgatitjet e tij për rinisjen e procesit të negociatave nuk ka njoftuar për ndonjë telefonatë vetëm me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Kjo duket se është si rezultat i kritikave të shumta e të hapura të presidentit drejt sllovakut.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, qëkur ishte përmendur emri i Miroslav Lajçak për t’u emëruar si emisar i BE-së në dialogun Kosovë – Serbi, kishte shprehur hapur kundërshtinë e tij. Madje, presidenti i vendit kishte shkuar aq larg, saqë kishte thënë se s’do të pranojë të takojë Lajçakun, nëse ky i fundit do të ulet në tryezën e dialogut me qëndrimin e shtetit sllovak sa i përket pavarësisë së Republikës së Kosovës. Presidenti Thaçi këto kritika drejt Lajçakut i kishte bërë në mënyrë të hapur, derisa në një rast kishte nxitur edhe reagimin e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano.

Duket se një qasje e tillë ka bërë që kontakti i vetëm i deritanishëm mes Thaçit dhe Lajçakut si emisar i BE-së të jetë vetëm një letër e shkruar më 8 prill, derisa sllovaku ka telefonuar nga dy herë të gjithë liderët politikë e institucionalë të Kosovës përveç presidentit Hashim Thaçi.

Lajçak, gjithashtu, ka biseduar në telefon edhe me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, atë malazias, Milo Gjukanoviq, Edi Ramën, Stevo Pendarovskin e gjithë krerët politikë të Bosnje e Hercegovinës.

Miroslav Lajçak deri tani ka telefonuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, liderin e LDK-së, Isa Mustafa, kreun e Nismës, Fatmir Limaj, e gjithashtu edhe nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri.

Gjithashtu, Lajçak ka telefonuar pothuajse të gjithë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë, Maqedoninë, Shqipërinë e Bosnje e Hercegovinën.

Më 12 prill, Lajçak në cilësinë e emisarit të BE-së kishte telefonuar presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, me të cilin kishte folur për dialogun dhe rreth situatës me pandeminë COVID-19.

Katër ditë më pas, sllovaku kishte telefonuar Isa Mustafën, Vjosa Osmanin dhe Fatmir Limajn.

Ndërkohë, më 17 prill, kishte telefonuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe kreun e Listës Serbe, Goran Rakiq, me të cilët kishte thënë se ka pasur një bisedë produktive rreth rinisjes së procesit të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Më 21 prill, Miroslav Lajçak kishte telefonuar edhe presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me të cilin, gjithashtu, kishte biseduar për impaktin pozitiv që do të ketë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dialogu Kosovë – Serbi i drejtuar nga Brukseli.

Pas Pendarovskit, më 22 prill sllovaku ka telefonuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin kishte treguar se kanë folur për arritjen e një marrëveshjeje Kosovë – Serbi.

Më 23 prill, Lajçak ka telefonuar presidentin e Malit të Zi, Milan Gjukanoviq, më të cilin, gjithashtu, ka biseduar për procesin e negociatave Kosovë – Serbi.

Gjithashtu emisari i BE-së ka telefonuar edhe të gjithë krerët politikë të Bosnje e Hercegovinës.

E në muajin maj, Lajçak ka filluar edhe serinë e dytë të bisedave telefonike me krerët politikë të Kosovës.

Më 13 maj ka telefonuar përsëri Vjosa Osmanin, më 15 maj kreun e LDK-së, Isa Mustafa, dhe më 18 maj ka telefonuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Lajçak ka telefonuar edhe drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq.

Lajçak ende nuk dihet nëse është vënë në kontakt me emisarin e Trumpit për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, me të cilin presidenti Thaçi ka raporte të mira. /GazetaExpress/