Pse mbeti mister vdekja e Rrahman Morinës, sipas gazetarit Halil Matoshi? - Gazeta Express
string(71) "pse-mbeti-mister-vdekja-e-rrahman-morines-sipas-gazetarit-halil-matoshi"

Pse mbeti mister vdekja e Rrahman Morinës, sipas gazetarit Halil Matoshi?

Gazeta Express

28/01/2020 14:56

Mbrëmë në televizionin publik të Kosovës janë publikuar për herë të parë pamjet e një prej ngjarjeve më misterioze të viteve ’90-ta në Kosovë – vdekja e Rrahman Morinës, ish-zyrtar i lartë krahinor që u bë bashkëpunëtor i Serbisë. Ka 30 vjet që spekulohet për këtë rast, pasi shumë shpesh thuhej se Morina është vrarë me revole, është helmuar ose ndonjë konspiracion tjetër.

Sido që të jetë, pamjet e publikuara ku Morina në ditën e 15 tetorit 1990 shihet duke dhënë shpirt, hedhin dritë dhe pothuajse i japin vulë të vërtetës për vdekjen e tij.

Lexo Edhe:

Për të biseduar rreth kësaj çështjeje, Gazeta Express ka kontaktuar me gazetarin shumëvjeçar Halil Matoshi, i cili ka treguar se pse, sipas tij, janë krijuar teoritë konspirative rreth vdekjes së tij.

Matoshi thotë se arsye që gjithçka kishte mbetur e mjegulluar është fakti që mediat në gjuhën shqipe ishin mbyllur atë kohë nga masat e dhunshme të Beogradit.

“Sistemi i burimeve të informimit në atë kohë ishte i mbyllur, për ne gazetarët shqiptarë ishte dyfish i mbyllur, pra askush me saktësi nuk ka ditur se çfarë ndodhi me të, në mbledhjen ku Lidhja e Komunistëve të Kosovës po transformohej në Partinë Socialiste të Milosheviqit, si artikuluese e fashizmit gjithëserb”, thotë Matoshi.

Ai thekson se regjimit në Beograd nuk i konvenonte vrasja e Morinës dhe se ai ka vdekur nga sulmi në zemër.

“Mirëpo duket se nuk ishte në interesin e kreut serb helmimi ose vrasja e tij, porse Rrahmani i gjallë i bashkuar me idenë serbe të mposhtjes së kryengritjes politike të Kosovës, ishte interes madhor serb. Mirëpo, ashiqare ai vdiq nga ataku kardiak, duke mos mund ta menaxhonte presionin e dyfishtë, si dhe ndërgjegjen e tij të rënduar, sepse derisa ai punonte me njerëzit e Milosheviqit, në Kosovë njerëzit arrestoheshin me arbitraritet, torturoheshin e vriteshin për të vetmen arsye se ishin shqiptarë. Së këndejmi, Morina ishte ndër përgjegjësit e fashizmit konsensual serb”, thekson ai.

Të hënën televizioni publik ka transmetuar një video të paparë më herët ku shihet Rrahman Morina, që rrëshqet nga ulësja e tij dhe bie poshtë.

Gazeta Express, në maj të vitit 2016, kishte realizuar një dokumentar të titulluar “Tradhtari i Madh”, në të cilin kishin folur zyrtarë të saj kohe të partisë komuniste dhe familjarë të Rrahman Morinës. Vetë akterët e asaj kohe kanë dilema rreth rolit të tij dhe nëse ai kishte shkuar rrugës së tradhtisë kombëtare.

#ZonaExpress: “Tradhtari i Madh”

Morina kishte filluar karrierën e tij si efektiv policor në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, dhe pastaj si përfaqësues i Lidhjes Komuniste të Kosovës.

Morina ka vdekur në vitin 1990, në moshën 47-vjeçare, në Prishtinë, gjatë mbledhjes ku po themelohej Partia Socialiste e Milosheviqit. Ai ka qenë i martuar me Bratislava “Buba” Morina, avokate serbe, ministre e qeverisë dhe përfaqësuese e refugjatëve nga Serbia. Se nuk ka vdekur për flamurin kuqezi, siç është thënë një kohë të gjatë në opinionin publik të Kosovës, Matoshi s’e ka asnjë dilemë.

“Rrahman Morina ka qenë pjesë e policisë dhe politikës serbe në Kosovë, ai ishte angazhuar në fushatën kundër shqiptarëve me të gjitha kapacitetet. Politikisht injorant, por i veshur me fuqi, si duket i ingranuar në shërbimet e milicive sekrete serbe (UDB e KOS), punoi për idenë serbe për suprimimin e autonomisë së Kosovës”, ka thënë ai. /GazetaExpress/