Pse Gjykata e Durrësit zgjodhi Ramën përpara Ligjit


Gazeta Express
20 Korrik 2019 21:56

Nga Enton Abilekaj

Ajo që ndodhi me mandatin e Valbona Sakos në Gjykatën e Durrësit ishte një shembull i shkëlqyer për të vërtetën e raporteve mes Drejtësisë dhe Politikës.

Ishte një mesazh për SHBA dhe BE që kanë investuar mund dhe para për Drejtësinë e re, se presioni politik vlen më shumë se ligji, se drejtësia nuk mund të jepet kur presioni vjen nga politika, se Pushteti Gjyqësor dorëzohet përballë Pushtetit Ekzekutiv, sado KPK, KPA apo KLGJ të krijohen.

Shpëtim Reka, që mund të përballet me KPK dhe KPA në të ardhmen e afërt, që, me Kushtetutë, e ka fatin vetëm në dorën e Këshillit të Lartë Gjyqësor, vendosi ta shkelë Kushtetutën dhe t’i bindet Kryeministrit, duke dëshmuar se ai është i pari që nuk i beson pavarësisë së Drejtësisë së re.

Jo më kot Edi Rama e çoi kërkesën në Gjykatën e Durrësit me firmën e tij. Ajo ishte një inkurajim politik që i bëhej një gjyqtari në hall. Kreu i Ekzekutivit, ai që nuk e negocion reformën në Drejtësi, çoi një akt të paligjshëm, që kërkonte një proces të paligjshëm, me emrin dhe firmën e tij, për t’i dhënë shembullin se si një zyrtar i lartë nuk i trembet ligjit nëse ka pushtetin.

Ishte një urdhër për Gjykatën e Durrësit, që të shkelte ligjin.

A mund ta kthente mbrapsht Gjykata kërkesën e Kreut të Ekzekutivit, pasi ai çoi, me koshiencë të plotë, një kërkesë të paligjshme? A mund t’i përgjigjej negativisht urdhrit arbitrar të Edi Ramës? Kjo do mund të ndodhte vetëm nëse ata do të besonin tek organet e reja të Drejtësisë dhe do ta gjenin veten të mbrojtur, nëse e refuzonin presionin politik dhe të pambrojtur nëse i bindeshin urdhërit dhe shkelnin ligjin. Ata vendosën të bëjnë të dytën, sepse e ndiejnë veten të mbrojtur vetëm nga partia në pushtet. Këshilli i Lartë i Gjyqësorit pas këtij vendimi, ka rastin të tregojë se sa është i pavarur.

Është sfida e parë serioze e organeve të reja të Drejtësisë. Është mundësia e parë që ata të gjykojnë, jo vetëm gjytarin Reka për vendimin, por edhe kryetaren e Gjykatës së Durrësit, Joana Qeleshi, për pranimin e çështjes, vetëm 2 ditë pasi për të njëjtën çështje ishte marrë një vendim po nga gjykata e saj.

Vendimi i Gjykatës së Durrësit, nuk kishte asnjë vlerë për mandatin e Valbona Sakos. Ajo mund ta apelonte vendimin, sipas ligjit dhe ta merrte mandatin. Nëse do të marrë ajo Bashkinë apo do të vazhdonte Dako deri në ardhjen e saj apo dikujt tjetër nga PS, nuk ka asnjë ndryshim thelbësor.

Kjo ishte vetëm një provë më shumë e sjelljes së Edi Ramës me Shtetin, ishte një dëshmi publike, se si në sy të të gjithëve, pa iu dridhur dora, ai mund të shkelë ligjin dhe të urdhërojë të gjithë të bëjnë të njëjtën gjë, se si ai është i sigurtë se nuk ka më asnjë Pushtet të pavarur që t’i vërë fre kalërimit të tij të harbuar mbi të gjitha institucionet e vendit.

Mimoza Margjeka, gjyqtarja që ia refuzoi mandatin Valbona Sakos, mund të ketë ketë marrë një vendim të paligjshëm, mund të jetë shtyrë nga arsye politike, mund të ketë bërë një favor për opozitën.

Kjo është një çështje që i takonte Gjykatës së Apelit – Kolegjit Zgjedhor, ose edhe KLGJ për ta diskutuar. Çfarëdo gabimi të ketë bërë gjyqtarja, me dashje apo pa dashje, shërbeu për një provë të rëndësishme, për të diskretituar raportin e Kreut të Ekzekutivit me Drejtësinë dhe Ligjin, për të nxjerrë publikisht, pa përgjime, presionin me të cilin përballen Prokurorët dhe Gjyqtarët, kur duhet të marrin një vendim që nuk i pëlqen Edi Ramës. Shërbeu gjithashtu për të sfiduar organet e reja të Drejtësisë. Tani duhet të zgjedhin mes firmës së Kryetarit të PS dhe Ligjit.

Te fundit


Kthehu lart