Banorë dhe aktivistë nga Peja, si dhe nga Plava e Gucia, zhvilluan sot një protestë paqësore në zonën e Çakorrit, duke kërkuar hapjen e pikës kufitare dhe funksionalizimin e plotë të rrugës që lidh Kosovën me Malin e Zi.
Protesta, e mbajtur nën sloganin “Mjaft me izolim!”, nisi rreth orës 12:00 në zonën Kutllovë-Kuçishtë, ku morën pjesë qytetarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë nga të dyja anët e kufirit.
Organizatorët theksuan se kërkesa kryesore është hapja e pikës kufitare në Çakorr dhe funksionalizimi i rrugës, e cila sipas tyre do të lehtësonte ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.
Njëri nga iniciatorët, Muhamet Nikqi, deklaroi se protestat dhe peticionet do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave, duke shtuar se rruga ekziston prej dekadash, por vazhdon të mbetet e mbyllur për qarkullim të rregullt.
Para mbajtjes së protestës, banorët e zonave përreth kishin ndërmarrë iniciativa për hapjen dhe pastrimin e rrugës malore, me qëllim mundësimin e pjesëmarrjes së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit.
Protestuesit kërkuan nga institucionet e Kosovës dhe të Malit të Zi që ta trajtojnë këtë çështje si prioritet strategjik dhe të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese për hapjen e pikës kufitare, duke theksuar se funksionalizimi i saj do të ndikonte pozitivisht në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale, shkruan Klan Kosova.
Në përfundim të tubimit, organizatorët ritheksuan se angazhimi qytetar do të vazhdojë deri në hapjen e plotë të kësaj rruge dhe vendosjen e një pike kufitare funksionale në Çakorr./EO/